“Liberalizimi i vizave, Shqipëria në rrugën e duhur”
Ministri Lulzim Basha në takimin e ministrave të BE-së në Bruksel, merr përgëzimet, për luftën kundër trafikut
Ministrat e Bashkimit Evropian përshëndesin punën e qeverisë shqiptare, në drejtim të luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore. Gjatë referimit në Ministerialin e BE-së, me temë “Drejt një veprimi global kundër trafikimit të qenieve njerëzore” që u zhvillua në Bruksel, ministri i Punëve të Brendshme Lulzim Basha, deklaroi se lufta kundër trafikut përbën një prioritet madhor të qeverisë shqiptare.
Ashtu siç theksoi edhe raport progresi, këtë vit Shqipëria ka bërë përparime në luftën kundër këtij trafiku duke zbatuar Strategjinë Kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore.
Në veçanti Shqipëria është vlerësuar si vendi me praktikën më të mirë në rajon për ndërtimin dhe vënien në funksionim të bazës së të dhënave për viktimat e trafikut.
Ministri Basha nënvizoi faktin se Shqipëria që prej vitit 2006 ka në fuqi Moratoriumin për mjetet e shpejta të lundrimit në det, i cili ka rezultuar mjaft efektiv duke bërë që ky trafik nëpërmjet kufirit detar të jetë pothuajse zero.
Gjithashtu gjatë fjalës së tij, Basha informoi homologët në Ministerial mbi hapat e ndërmarrë nga Shqipëria për pajisjen me pasaporta biometrike të qytetarëve shqiptarë dhe modernizimit e sistemit të gjendjes civile.
“Deri më tani janë pajisur me pasaportë biometrike 9 për qind e qytetarëve shqiptarë, çka do të thotë se Shqipëria ka ritmin më të lartë në rajon në këtë drejtim, duke pasur parasysh se procesi filloi në muajin maj të këtij viti”, nënvizoi Basha.
Gjatë Ministerialit ministri Basha u takua dhe bisedoi me Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian dhe Komisionerin për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë Jacques Barrot, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës Thornbjorn Jagland, ministra dhe homologë të Suedisë, Belgjikës, Sllovenisë, Francës, Gjermanisë, Greqisë, Holandës, Norvegjisë etj.
Gjatë këtyre takimeve ministri Basha nënvizoi progresin e arritur nga Shqipëria në prioritetin kryesor të qeverisë Berisha, liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Ai ka marrë mbështetjen e bashkëbiseduesve për ecjen përpara me ritme të përshpejtuara të këtij procesi të rëndësishëm për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.