E Diel, 1 Nëntor 2026

Do të loboj personalisht, shumë shpejt Shqipëria merr përgjigje pozitive

Liberalizimi i vizave Shqipëri-BE, garanton ministri italian Frattini

Ministri italian i Punëve të Jashtme konfirmon angazhimin e tij personal, për liberalizimin e vizave të shtetasve shqiptarë, brenda një periudhe të shkurtër, duke filluar që nga 1 janari i 2010-ës. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptarë, Ilir Meta, Franco Frattini u shpreh se një vend si Shqipëria që, ka vuajtur me dekada të tëra izolimin, duhet të përfitojë sa më parë nga marrëveshja e lëvizjes së lirë.
“Angazhimi im për liberalizimin e vizave përputhet në mënyrë perfekte me detyrat e mia në gjirin e qeverisë aktuale. Jam i sigurt se do të ketë së shpejti një përgjigje pozitive për Shqipërinë, sepse propozimi mbështetet në kushte teknike dhe jo politike. Ne mendojmë se një vend si Shqipëria, që siç kujtoi dhe ministri Meta, ka qene i izoluar për dhjetëvjeçarë, duhet të marrë një sinjal të prekshëm”, u shpreh Frattini.
Ai kujtoi se propozimi i tij, kur ishte komisioner evropian solli rezultat pozitiv për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.
Për intensifikimin e këtij procesi, Frattini informoi se, “pas pak javësh ministri italian i Punëve të Brendshme, Maroni do të vizitojë Shqipërinë, dhe bashkë me homologun e tij, Ministrin e Brendshëm shqiptar, do të mund të diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit kundër krimit dhe trafiqeve të paligjshme”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›