E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave do të bëhet 6-mujorin e parë të vitit 2010

Konfirmojnë ambasadorët e Francës dhe të Holandës gjatë inspektimit të sistemit TIMS në pikën kufitare të Qafë-Thanës, me Ministrin Lulzim Basha

Shqipëria do të përfitojë nga liberalizimi i vizave brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm. Këtë garanci kanë dhënë përfaqësuesit diplomatik në vendin tonë të Francës dhe Holandës. Ambasadorja e Francës Maryse Daviet dhe Ambasadori i Holandës Henk Van den Dool, pasi vizituan Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës së bashku me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, shprehën besimin për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë në mesin e vitit të ardhshëm.
Ambasadorët e Francës dhe Holandës vëzhguan në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës se si funksiononte sistemi TIMS, si ndërlidhej ky sistem me sistemin MEMEX dhe me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, si funksiononin kamerat e instaluara të vëzhgimit, si funksiononin lexuesit optikë të pasaportave biometrike, e po kështu edhe se si bashkëpunonin agjencitë e ndryshme që operojnë në kufi, policia kufitare, dogana, kontrolli fito-sanitar, shërbimi i antidrogës etj. Mbresëlënëse, e përkufizuan ambasadorja franceze dhe ambasadori holandez përshtypjen e tyre për funksionimin e sistemeve të kontrollit kufitar në këtë pikë të kalimit kufitar.
Ambasadorja Daviet vlerësoi se është bërë një progres i shpejtë në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve që është një çështje kyçe për liberalizimin e vizave.
“Çdo shqiptar do të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave dhe ne presim të bëhen së shpejti hapa konkretë. Shpresojmë që liberalizimi i vizave të arrihet në mesin e verës së vitit të ardhshëm”, u shpreh ambasadorja franceze Maryse Daviet.
Ambasadori Van den Dool shprehu kënaqësinë që progresi në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave ka qenë i dukshëm dhe i shpejtë si në fushën e dokumenteve të sigurta të udhëtimit edhe në fushën e sigurisë së kufijve.
“Ajo që ne shpresojmë është që misioni i Komisionit Evropian të konstatojë këtë progres dhe të japë sa më shpejt mbështetjen e tij për liberalizimin e vizave”, deklaroi ambasadori holandez Henk Van den Dool.
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm Lulzim Basha siguroi të dy ambasadorët se të njëjtën situatë mund të gjejnë në të 26 pikat e kalimit kufitar.
Basha theksoi se një rol të veçantë në përmbushjen e kritereve kanë pasaportat biometrike për të cilat Shqipëria po ecën me hapa jashtëzakonisht të mëdhenj përpara dhe me praktikën më të mirë evropiane, e në këtë aspekt përmendi faktin se pikërisht në koncensionarin e prodhimit të dokumenteve të identitetit operon një kompani prestigjioze franceze “Sagem” ndërkohë që pasaportat prodhohen nga një kompani holandeze. “Shqipëria, sa i përket kohës që kur ka nisur lëshimin e pasaportave biometrike, por edhe për sa i përket ecurisë, është përpara edhe në raport me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, sepse gjatë këtij takimi u informova nga të dy ambasadorët se vendet e tyre respektive kanë nisur prodhimin e pasaportave biometrike vetëm para pak muajsh. E rëndësishme është që ne po ecim përpara me kriteret dhe besoj se në këtë drejtim, verifikimi që pritet nga Komisioni Evropian do të japë rezultatet e duhura për të arritur heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda 6 mujorit të parë të vitit që vjen”, deklaroi ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Ashtu si ambasadorja franceze Daviet dhe ambasadori holandez Van den Dool, theksuan progresin e arritur nga Shqipëria dhe përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave në fushën e sigurisë së dokumenteve dhe menaxhimit të integruar të kufijve e ka njohur dhe vlerësuar vetëm një muaj më parë edhe Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian Helmut Lohan pas një vizite në PKK të Bllatës, Dibër, dhe po ashtu vetëm pak ditë më parë ministri i Brendshëm i Italisë Roberto Maroni pas vizitës në Qendrën e Personalizimit të Dhënave të Dokumenteve të Identitetit, në Qendrën Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në PKK Rinas.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›