E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: S’ka dialog me kockat mafioze të Ramës, s’mund të dalim mbi gjykatat

Kreu i qeverisë Sali Berisha u jep fund kërkesave spekullative të Edi Ramës për të dalë mbi ligjin dhe mbi gjykatat, me anë të shantazheve që shqiptohen, siç tha ai, “nga qen të rrahur apo kocka mafioze të tipit Gramoz Ruçi”. Ai përsërit apelin formal që opozita të kthehet në parlament për të ndihmuar në aksionin e reformave të integrimit, që do të sjellin edhe heqjen e regjimit të vizave

Kryeministri Sali Berisha duket se i ka dhënë përgjigjen përfundimtare opozitës jo parlamentare, lidhur me kërkesat e pajustifikuara të tyre, për hapjen e kutive. Kreu i qeverisë tha se çështja e zgjedhjeve është një çëshje e mbyllur tashmë dhe se asgjë s’mund ta ndryshojë vendimin e gjykatave. Nga qyteti i Krujës ku përuroi nisjen e punimeve të rrugës që lidh qytetin e Krujës me Vendin e Shenjte të Sari Salltikut, kryeministri Berisha i apeloi kreut të opozitës Edi Rama, që të heqë dorë përfundimisht nga kërkesat e papranueshme dhe të pranojë verdiktin e popullit. “Hapja e kutive është një çështje e mbyllur. I bëj thirrje kreu të opozitës të heqë dorë nga kërkesat e papranueshme, dhe të pranojë verdiktin e popullit. Por, jo vetëm me qen të rrahur dhe me kocka mafioze të tipit Gramoz Ruçi, por edhe Enver Hoxhën po ta zgjosh nga varri, harroje se mund të ndryshosh vendimet e gjykatave të këtij vendi të lirë apo mund të shkelmosh shtetin ligjor. Jo, kjo nuk mund të ndodhë, ndaj edhe mos i mashtro njerëzit për karrigen tënde, por hajde të ulemi në parlament të vazhdojmë reformat, se vendimet e gjykatave janë të paprekshme”, u shpreh kryeministri.
Berisha tha se mbetet i hapur për të bashkëpunim të mundshëm me kryesocialistin, por më parë ai duhet të rikthehet në parlament, për të kontribuar në aksionin reformator për integrimin e vendit dhe heqjen e vizave.
“Duke mbetur gjithmonë i hapur dhe ftues për Edi Ramën, që të rikthehet në parlament, të vazhdojmë dialogun, të vazhdojmë bashkëpunimin për reformat dhe procesin e integrimit, pasi të gjitha këto tingëllojnë si një anakronizëm për të bllokuar heqjen e vizave apo për të bllokuar vendimin për statusin e kandidatit dhe këto vendime janë marrë tashmë dhe nuk ka më pengesë dua t’i them këtu nga Kruja e Skënderbeut një gjë: Jam dhe do të mbetem i hapur në respekt të plotë të rolit jetik, të rëndësishëm të opozitës dhe për bashkëpunim me të”, deklaroi kryeministri Berisha.
Duke komentuar protestën e opozitës në Tiranë për hapjen e kutive, Berisha tha se është e drejtë e të gjithë qytetarëve, madje shtoi se edhe i kishte përshëndetur në mënyrë demokratike.
“Duke ardhur këtu te ju, nga zyra ku po punoja, tek dritarja ime, një grup qytetarësh protestonin. Dola dhe i përshëndeta. I përshëndeta në mënyrë të sinqertë se kjo është meritë e demokracisë, të protestojnë. Disa prej tyre e mirëpritën përshëndetjen time,  të tjerë u acaruan nga përshëndetja ime. Por dua t’u them edhe atyre se përshëndetja ime ishte shumë e sinqertë, sepse në këtë sistem, në këtë regjimi dhe në këtë pushtet çdo njeri ka dhe do të ketë tërësisht të garantuar të drejtën e protestës së lirë, për çfarëdo që ai mendon. Kjo është një arritje e pacenueshme për çdo qytetar, ndaj dhe unë i përshëndeta me shumë kënaqësi protestuesit te dritaret e mia”, nënvizoi kreu i qeverisë.
Berisha nënvizoi vullnetin e qeverisë që drejton për të respektuar me përpikëri vendimin e gjykatave dhe mohoi në mënyrë kategorike qoftë edhe një tentativë për shkelmim të vendimeve të gjyqësorit, porsa kohë në një vend demokratik ku respektohet ndarja e pushteteve, ky sistem është i pavarur.
“Ka vendosur gjykata që nuk mund të ketë rinumërim dhe atë vendim e ka  marrë si kundër teje, ashtu edhe kundër meje. Edhe ne kërkuam rinumërimin e Fierit dhe gjykata e hodhi poshtë. Atëherë ne nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të punojmë së bashku për zgjedhjet e ardhshme. Janë edhe rreth 1160 ditë, gjer në vitin 2013, me durim të ulemi, të përgatisim, të përmirësojmë të gjitha ato që janë për t’u përmirësuar. Zgjedhjet nga e gjithë bota u identifikuan si zgjedhjet më të mira që ka njohur Shqipëria”, shtoi kryeministri.
Në këtë aspekt, Berisha theksoi se “ne, jemi të vendosur me përkushtim të madh të bëjmë çdo përpjekje që qytetarët gjatë 6-mujorit të parë, të kenë vendimin përfundimtar të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave, pra të lëvizin të lirë në mbarë Evropën”. “Këtë prisni ju, këtë kanë dëshiruar baballarët tuaj, këtë kanë dëshiruar gjyshërit dhe stërgjyshërit, këtë kanë pritur shqiptarët në dhjetëra dhe qindra vite, këtë po e shndërrojmë në realitet”, tha më tej Berisha.
Lidhur me integrimin e vendit në BE, kryeministri Sali Berisha bëri me dije se vendimin i Unionit, do të shndërrohet në punë intensive të qeverisë për mirësinë e çdo qytetari shqiptar.
“Ju garantoj që ai vendim që u mor më datë 16 nëntor do të shndërrohet progresivisht në një mirësi të prekshme nga çdo qytetar shqiptar. Ne po e ndryshojmë Shqipërinë dhe po i japim asaj pamjen evropiane. Ne po ngjitemi drejt majave se ato na presin dhe vërtetë kjo është një rrugë e shkurtër me 342 milionë investim, por është një rrugë që kap një majë dhe nuk ka asnjë aspiratë më të drejtë të njeriut se sa të ngjitet sa më lart në interesin më të mirë të tij, të familjes dhe të vendit të tij”, u shpreh në vijim kreu i qeverisë Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›