Liberalizimi i vizave, misioni faktmbledhës i KE përfundon inspektimin në terren

Në shtator Parlamenti Evropian merr vendimin për hyrjen e Shqipërisë në "Schengen"
UPDATE- Ekspertët e Bashkimit Evropian ka përfunduar sot misionin teknik në Tiranë në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave. Grupi i ekspertëve mbërriti në Tiranë dy ditë më parë për të verifikuar në terren përparimin e bërë lidhur me kriteret e mbetura të identifikuara në propozimin e Komisionit Evropian, të miratuar më 26 maj 2010, për heqjen e detyrimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Përmes një njoftimi për mediat, zyra e BE në Tiranë bën të ditur se “Duke u bazuar në raportet e ekspertëve, shërbimet e Komisionit Evropian do të përgatisin vlerësimin e tyre për përmbushjen e kritereve të mbetura. Ky vlerësim do t’u paraqitet në muajin shtator Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian, të cilët do të vendosin më pas për heqjen e detyrimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë”- thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e Komisionit Evropian në Tiranë. Eurodeputetja Tanja Fajon do të prezantojë një projekt/rezolutë, votimi i së cilës do të kërkohet që të mos shtyhet. Nëse ekspertët do të japin një vlerësim pozitiv, vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave do të merret nga ministrat e Brendshëm të 27 vendeve anëtare. Ndërsa kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, është shprehur se heqja e vizave është e mundur të kryhet brenda vjeshtës së këtij viti. Ai ka vënë në dukje angazhimin e autoriteteve shqiptare në këtë proces, duke u shprehur se janë përmbushur kushtet teknike.
...