Liberalizimi i vizave, realizimi i një ëndrre për shqiptarët, premtimi më madhor i qeverisë

Heqja e vizave, Kryeministri Berisha në një konferencë për shtyp, flet edhe për luftën kundër korrupsionit
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot përmes një konference për shtyp vendimin e KE-së për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Shefi i ekzekutivit garantoi institucionet e BE-së për përmbushjen e plotë të 3 kritereve të propozuara dje nga Kolegji i komisionerëve. “Heqja e vizave nga BE me Shqipërinë, përbën një ëndërr për shqiptarët. Liberalizimi i vizave është një nga premtimet e qeverisë sime. Garanoj Komisionin Evropian për zbatimin me korrektësi të 3 cështjeve të shpallura dje gjatë dhënies së propozimit. Do organizojmë të gjithë mekanizmat në luftën kundër korrupsionit. Shqipëria sot ka një prej ligjeve më të mira të paketës “Antimafia”- tha Berisha. Gjithashtu, kryeministri paralajmëroi ngritjen e një Task Force, për luftën kundër korrupsionit. “Do ngrejmë Task Force në luftën kundër korrupsionit për të penalizuar pa kompromis”- tha kryeministri, duke shtuar se shkatërrimi i ekonomisë së mafies është penalizimi më i mirë që i bëhet krimit. Sipas kryeministrit sistemi i Drejtësisë do jetë plotësisht i aftë për t’ju përgjigjur kërkesave të qytetarëve.
Deklarata e plotë për shtyp e kryeministrit Berisha
Sot, Komisionerja e Bashkimit Europian për çështjet e Sigurisë dhe Vizave shpalli publikisht vendimin historik për Shqipërinë dhe shqiptarët të Këshillit të Komisionerëve për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, për heqjen e vizave me Shqipërinë. Kjo përbën një arritje madhore historike për çdo qytetar shqiptar. Kjo përbën një ëndërr të realizuar të shqiptarëve, por një ëndërr që nga rilindësit e tyre e gjer në ditët e sotme. Kjo përbën një premtim të mbajtur nga kjo qeveri, e cila ishte zotuar se do të merrte çdo masë, do të bënte çdo reformë, do të miratonte çdo ligj e vendim, në mënyrë që ky vendim, i shumëpritur prej shumë e shumë dekadash, të merrej në Bruksel.
Unë gjej rastin t’i shpreh falënderimin tim më të përzemërt dhe mirënjohjen Komisionit Europian, komisionerëve të Komisionit Europian të Presidentit Barroso, të gjitha qeverive të vendeve anëtare, për këtë vendim historik që u shpall sot, në Bruksel, por edhe për ndihmën dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, pa të cilën ky vendim do të kishte qenë i pamundur, si dhe të garantoj komisioneren Malstrom, Komisionin Europian dhe të gjitha vendet anëtare se tre çështjet e lëna në ngarkim të autoriteteve shqiptare për shqyrtim dhe zgjidhje do të trajtohen dhe po trajtohen me seriozitetin më të madh kjo qeveri, njëlloj si e gjithë paketa e kërkesave të udhërrëfyesit të Komisionit Europian për heqjen e vizave.
Në këtë kontekst, unë kam kënaqësi t’ju informoj se rekomandimi për strategjinë për rintegrimin e të riatdhesuarve, pas një pune shumë intensive, meqenëse kjo nuk ishte në kërkesat e udhërrëfyesit, por u shtua për arsye që dihen, ekspertët shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë kanë përgatitur një nga strategjitë më të shkëlqyera, që tani është në diskutim e sipër me faktorin ndërkombëtar dhe sapo të përfundoi ky diskutim dhe këto opinione, do të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe Komiteti Ndërministror për Liberalizimin e Vizave.
Rekomandimi për forcimin e kapaciteteve ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është marrë dhe po merret me seriozitetin më maksimal të kësaj qeveria, duke angazhuar të gjitha burimet e nevojshme të mundshme. Kështu, për shembull, u mbështet me fonde dhe burime të veçanta Policia e Shtetit për sistemin MEMEX, sistem i analizës on line të kriminalitetit në vend. U dhanë të gjitha burimet dhe kjo është në proces e sipër. Së shpejti, qeveria merr vendimin për të shtuar personelin në drejtoritë e luftës kundër trafiqeve dhe drogës. Ju e keni parë që po merren masa shumë serioze për të bërë zero tolerancë ndaj mbjelljes së kanabisit dhe unë dua të garantoj se, sikundër qeveria është e vendosur të adaptojë zero tolerancë ndaj kësaj, ajo është edhe e vendosur t’i ndihmojë këto zona, komuna, fshatra që në mënyrë fatkeqe kontraktuan mbjelljen e kësaj bime, me projekte intensive për të ndryshuar në mënyrë rrënjësore jetën e tyre, ndërtimin e infrastrukturës, ujësjellësve, ndërtimin e sistemit të vaditjes, përpjekjet për inkurajimin e biznesit në këto zona, por e vërteta është se kjo strategji po funksionon dhe ju jeni dëshmitarë të disa zhvillimeve shumë pozitive të kohëve të fundit, në këtë aspekt.
Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e shtetit kanë përgatitur trajnime të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit. Gjashtë Taks Forca, të ngritura në modelin e Task Force-s së Tiranës, në gjashtë qarqet kryesore të vendit, do të kenë mbështetjen e plotë dhe totale të qeverisë, me të gjitha burimet e nevojshme, në mënyrë që luftën e suksesshme kundër korrupsionit, nëpërmjet penalizimeve që arriti të shënojë, Task Forca e Tiranës, e udhëhequr nga prokurorë, të mund ta zhvillojnë të gjitha Task Forca-t e 6 qarqeve kryesore. Unë kam bindjen dhe arrij në një bindje se ky model i kësaj Task Force është një model vërtet suksesi. Ju e dini që Bashkimi Europian ka bërë përpjekje të shumanshme për të ndihmuar vendin në procesin e integrimit për të luftuar korrupsionin. Në disa vende është krijuar edhe prokurori i antikorrupsionit, por unë mendoj se Task Forca kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik është gjetja më e mirë, sepse grupon specialistë të disa fushave, të lidhura më direkt me këtë luftë.
Rekomandimi tjetër është për ligjin antimafia. Së pari, dua të theksoj se ky ligj i bën nder të madh Shqipërisë. Sot, Shqipëria ka një prej ligjeve më të mira të kohës për këtë fushë. Vullneti ynë është i hekurt për ta zbatuar këtë ligj. Janë krijuar strukturat gjurmuese në Policinë e Shtetit dhe brenda pak ditësh, do të trefishohet personeli në këto struktura. Policia e Shtetit dhe prokuroria kanë nisur një numër çështjesh për konfiskimin e aseteve kriminale dhe disa prej tyre pritet të dërgohen shumë shpejt, në gjykatë. Pra, me këtë ligj, që mishëron në vetvete standardet më të avancuara të luftës kundër krimit të organizuar dhe pasurive të tij, jam i bindur se ngremë në një stacion të ri, apo hapim një kapitull të ri të suksesshëm në luftën kundër saj. Lufta kundër mafias në historinë e vendeve që janë përballuar me të, nga Sicilia deri në Nju Jork, ka qenë e suksesshme me një kusht themelor, shkatërrimin e ekonomisë së saj. Dërgimi i bosëve në burg është asgjë e rëndësishme, sepse ata edhe kur rrinë, rrinë në shpellë apo në hotel, shkatërrimi i ekonomisë është kushti më themelor për këtë luftë. Unë kam besim të plotë se policia, prokuroria e shtetit dhe gjykatat e vendit do të hapin një kapitull të ri në luftën kundër krimit të organizuar duke zbatuar ligjin e konfiskimit të aseteve të tyre. Duhet të konkludoj duke përshëndetur të gjithë qytetarët shqiptarë , sot në këtë ditë të bekuar, në të cilën Komisioni Evropian shpalli vendimin e tij. Natyrisht ky vendim do të ketë shqyrtimin e ministrave të brendshëm, do të ketë shqyrtimin e parlamentit. Ky vendim shënon historinë e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë
Pyetje nga mediat
Pyetje: Siç e thatë dhe ju vendimi tashmë i kalon Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së dhe Parlamentit Evropian për vendimmarrje. Por dje ka patur një sinjal jo shumë pozitiv nga eurodeputeti Svoboda, përfaqësues i së majtës në PE, i cili e lidhi çështjen e vizave me situatën politike në vend. Nga takimi që keni patur ju dhe informacionet që mund të keni, sa ndikim mund të ketë?
Kryeministri Berisha: Ajo çka mund tu garantoj ju është se kjo qeveri ashtu sikundër premtoi me reformat, me vendimet,me ligjet, me veprimtarinë e saj, e bëri këtë, një proces të pandalshëm dhe ky proces i tillë do të jetë bazuar në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara qartësisht dhe të shpallura edhe sot nga komisionerja Malstrom.
Pyetje: Pika e tretë e kërkesave drejtuar Shqipërisë duket sikur më shumë ka të bëjë me punën e gjykatave, se sa me punën e qeverisë. Pra që të dënohet një kriminel me vendimin e gjykatës për dënimin e tij duhet të ketë edhe një pikë për konfiskimin e pasurive, pastaj ti çohet përmbarimit, I cili duhet ti konfiskojë këto pasuri dhe këto pasuri të përdoren për të mirën e publikut. Si do të ndërtoni ju një bashkëpunim me sistemin e drejtësisë që këto konfiskime të bëhen sa më shpejt dhe frytet të vijnë sa më shpejt për të bindur Evropën.
Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen. Unë dua të theksoj se ky proces në vetvete ka qenë një frymëzim dhe shtytje e fuqishme për një bashkëpunim ndërinstitucional. Unë kam udhëhequr Komitetin Ndërministror të Liberalizmit të vizave, komitet në të cilin janë të përfaqësuar të gjitha institucionet e vendit, Këshilli i lartë i drejtësisë, Prokuroria e Shtetit e me radhe. Ajo çka duhet të them është se ky vendim ka ardhur absolutisht, si rezultat i një përkushtimi të të gjithë këtyre institucioneve , i demonstrimit të një vullneti të qartë. Sigurisht gjykata nuk mund të përjashtohet në asnjë rast, sepse ashtu është , ligji i jep mundësinë e konfiskimit, të gjithë procedurat do të ndiqen, por nuk kam dyshim se gjykatësit shqiptarë, sistemi i drejtësisë do të jenë në lartësinë e përgjegjësisë dhe të vendimeve në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë.
Heqja e vizave përbën shndërrimin në realitet të një ëndrre që nga rilindësit tanë e deri më sot. Nuk kam asnjë arsye të dyshoj se gjykatat e vendit nuk do të jenë në lartësinë e pritshmërisë së ligjeve të vendit, por edhe të atyre të cilët hapën dyert plotësisht për qytetarët shqiptarë, në përputhje me rregullat e përcaktuara.