E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotësi më i madh i Tiranës, për vete është arratisur e po fle në Pezë

Edi Rama u ofron qytetarëve të Tiranës ndotje toksike me 20-30 % jashtë standardeve të BE, ndërkohë që për vete, ka zgjedhur të rrisë jetëgjatësinë, me arratisjen në Kullën e Dashamir Myslym Pezës

Ndërsa të gjithë politikanët reciprokisht merren me diktaturën e urgjencës, “Ultimatumi” i Strasburgut, cilësia e ajrit që thithin banorët e kryeqytetit kalon normat e parashikuara nga BE-ja, duke ulur deri në dy vjet jetëgjatësinë e qytetarëve të Tiranës. Niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë ka tejkaluar me 20-30 % limitet e përcaktuara nga vendet e Bashkimit Europian. Efektet që shkakton ndotja e ajrit shtojnë me 1500 numrin e të sëmurëve në vit. Të dhënat tronditëse mbi pasojat negative që shkakton ndotja e ajrit lidhen direkt edhe me vdekshmërinë e përvitshme. Smogu i automjeteve, pluhuri dhe djegia e mbeturinave, janë tre nga faktorët më të rëndësishëm që bëhen shkak për ndotjen mjedisore. Dhe me e keqja është se këto lajme kalohen si të parëndësishme ...është me të vërtetë për të ardhur keq që shqiptarëve nuk u intereson fare shëndeti i tyre, por bëhen copash për politikanët e tyre “të dashur”. Ndofta, siç duket shqiptarët po preferojnë të vdesin ngadalë e me vuajtje.
Për të ardhur në seriozitet, ky monitorim i arritur nëpërmjet aparaturave të posaçme pranë ISHP-së dhe Poliklinikës Qendrore në kryeqytet jep rezultatin eklatant se ndotja vjen kryesisht nga “djegiet” e ndryshme të cilat shkaktojnë edhe një sërë sëmundjesh dhe sjell uljen e jetëgjatësisë së kryeqytetasve. Projektet afatshkurtra për shtimin e sipërfaqes së gjelbër, uljen e ndotjes apo sigurimin e qytetarëve për një shëndet të mirë, nuk kanë bërë ndonjë hap përpara, por veç shumë hapa pas. Qeverisja e bashkisë Tiranës nga ana e kryebashkiakut Edi Rama, po e shndërron në një bombë ekologjike dhe një rrezik katastrofik për ambientin ku qytetarët jetojnë. Sepse Tirana përbën një rast unikal në planet përsa u përket ngrehinave të tipit gradaçiel, të cilat mbijnë si kërpudha helmuese në hapësirat mes pallateve, duke i privuar qytetarët nga terrenet sportive, lulishtet dhe ambientet e tjera çlodhëse. E parë në këtë këndvështrim, të duket sikur jeton në ndonjë qytet ku mbizotëron anarkia e kaosi, ndërkohë që përgjegjësia mbetet gjithsesi jetime. Edhe për 2009-10, Tirana vazhdon të jetë në krye të listës së zezë të ndotjes së ajrit, pasi në disa zona niveli i ndotjes së pluhurave është 10 herë mbi normat e BE-së.
Por këtë herë, sipas ISHP-së, nuk rritet vetëm ndotja, por edhe zonat e konsideruara me rrezik shumë të lartë. Sipas monitorimit të ajrit për vitin 2009-10, nuk është vërejtur asnjë përmirësim i cilësisë së ajrit. Bile specialistët raportuan se zonës së “21 Dhjetorit”, si pika më e ndotur në Tiranë, tashmë i është shtuar edhe zona te “Zogu i Zi”. Pika më e ndotur nga grimcat e imëta (PM10), sipas monitorimit, ka rezultuar “21 Dhjetori” me 445 mg/m3, shifër kjo marramendëse dhe tepër shqetësuese, pasi duke ditur që normat e BE-së janë 50 mg/m3, standardet janë kaluar në 395 mg/m3. Pas “21 Dhjetorit” dhe “Zogut të Zi”, për nivelin e ndotjes radhitet qendra e Tiranës, me 129 mg/m3. Edhe në këtë pikë, gjatë 4 viteve të fundit, niveli i ndotjes sipas monitorimit ka ardhur gjithnjë në rritje. Më pas vjen “Pazari i Ri”, Liceu Artistik, kryqëzimet apo rrugët parësore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›