E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, replika mes Metës dhe PS-së

TIRANË- Liberalizimi i vizave për fqinjët dhe përjashtimi i vendit tonë nga lëvizja e lirë është shndërruar në debat mes opozitës dhe mazhorancës.
Zëvendësministri Jashtëm, Ilir Meta ka akuzuar sot opozitën se derdh lot krokodili, në kohën që duhet të kontribuojë për këtë proces kaq të rëndësishëm për shqiptarët. Menjëherë është përgjigjur Partia Socialiste përmes zëdhënëses, duke i kujtuar Metës se vetëm ai nuk mund të bëjë moral, pasi tradhtoi zgjedhësit vetëm "për të ngrënë një garuzhde nga përsheshi i Sali Gërdecit".

Meta: Opozita ka dalë nga binarët e demokracisë
"Është më e dobishme që opozita në vend që të derdhë lot krokodili, për këtë gjoja mosarritje të bashkohet me përpjekjet e të gjithë ne, të gjithë shqiptarëve, në mënyrë që ky proces të ecë me ritme dhe më të shpejta. Por unë dua të siguroj se këto tre-katër muaj, situata ka qenë jashtëzakonisht dinamike dhe qeveria i ka përmbushur pothuajse të gjitha kërkesat edhe legjislative edhe teknike"- ka thënë Meta sot gjatë një takimi me mediat.
Sipas tij, në vend nuk ka krizë, por i vetmi problem i madh është ç'orientimi politik i opozitës. "Është dalja e saj nga binarët e demokracisë dhe parlamentarizmit dhe shpresoj që kjo thjesht të jetë e përkohshme dhe të jeni të sigurt që përpjekja e tyre për të agresivuar situatën në vend në mënyrë artificiale, do të dështojë"- tha ai, duke ftuar opozitën të bëjë detyrën e saj.

PS: Meta zor se krahason krokodilin me veten
"Ilir Meta jo vetëm që nuk mund të krahasojë opozitën me krokodilin po zor se e krahason dot edhe krokodilin me veten, duke bërë sot sikur i qan hallin atyre që i tradhtoi vetëm e vetëm për një garuzhde nga përsheshi i Sali Gërdecit". Me këtë deklaratë zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, i është përgjigjur Metës.
Sipas saj, Iliri i Sali Gërdecit bën mirë ta hajë atë përshesh pa e ngritur kokën për t'u bërë moral të tjerëve, sepse sa herë flet pështjellon stomakun e popullit opozitar duke na kujtuar ulërimat e tij " Sali ik", apo parullën e tij të famshme " Kush me Saliun do të hajë, kokën ulur gjithë jetën do mbaj"!.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›