Libi, Bani Walid sulmohet nga rebelët

Bani Walid, një ndër katër bastionet e mbetura në kontrollin e forcave të Gedafit, përveç Jufra-s, Sabha e Sirte-s, është sulmuar nga rebelët libianë. Luftëtarët pro Gedafit megjithatë ende nuk janë dorëzuar. Organizata e Kombeve të Bashkuara është shprehur ndërkaq lidhur me situatën në Libi dhe shtimin e armëve atje.
Ka qenë këshilltari për Libinë i sekretarit të Kombeve të Bashkuara, Ian Martin ai që deklaroi se, "situata aktuale në të cilën shumë njerëz janë duke luftuar me armë duhet të kalojë në një situatë ku ekziston një forcë e vetme publike e sigurisë dhe një ushtri e duhur e cila nuk ka ekzistuar deri më tani në Libi".
Më tej ai shprehu vlerësimin për Këshillin Kombëtar të Tranzicionit i cili kërkoi ndihmën e OKB-së. Martin theksoi se, shtimi i armëve në Libi është një çështje serioze dhe se udhëheqësit e rinj të shtetit duhet të nisin, sa më parë, përgatitjet për procesin e zgjedhjeve për ndërtimin e demokracisë.
Një ditë më parë u deklarua se Muammar Geddafi duhet të gjykohet në Libi për krimet e tij. Ky fakt u deklarua në Londër nga përfaqësuesi i Këshillit Nacional të Tranzicionit, Guma al Gamaty. "Geddaf është përgjegjës për një sërë krimesh të frikshme të realizuara në këto 42 vite, për të cilët duhet të konsiderohet fajtor. Dënimi i tij është një gjë që mund të bëhet vetëm me një proces të mirë gjyqësor në Libi", u shpreh Gamatay.