E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libi, festohet 40-vjetori i ardhjes në pushtet të Kadafit

Banda ushtarake, 400 kërcimtarë, aerobi ajrore dhe fishekzjarre janë përgatitur për të festuar sot në Tripoli 40-vjetorin e ardhjes në pushtet të Muamar Kadafit dhe partisë së tij, më e madhja në vend.
Festimet gjashtëditore në shtetin e Afrikës së Veriut janë menduar për të përcjellë botës mesazhin se eksportuesi botëror i naftës, prej vitesh i izoluar, tashmë është sërish i hapur për tregti pas vitesh sanksionesh të rënda, deklaruan organizatorët.
Por polemikat vazhdojnë të ndjekin Kadafin, kryesisht me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, pas pritjes prej "heroi" që Tripoli i rezervoi një ish-agjenti libian, i cili ishte dënuar në Skoci me burgim të përjetshëm për atentatin në Lockerbie që vrau 270 persona, por që u lirua për arsye humanitare.
Abdel Basset al-Megrahi, i vetmi person i dënuar për sulmin e vitit 1988 ndaj një avioni të "Pan Am", u lirua nga burgu për shkak se vuan nga një sëmundje vdekjeprurëse.
Libia ka ftuar disa zyrtarë të lartë nga vendet perëndimore, por liderët evropianë pritet të bojkotojnë festimet, përfshi edhe kryeministrin italian Silvio Berlusconi, i cili dy ditë më parë ishte në Libi për të përkujtuar përvjetorin e parë të marrëdhënieve miqësore Itali-Libi.
Presidenti i Venezuelës Hugo Chavez pritet të jetë i pranishëm dhe disa liderë të tjerë afrikanë përfshi presidentin e Zimbabvesë, Robert Mugabe dhe atë të Sudanit Omar Hassan al-Bashir, pritet të marrin pjesë në një samit të Unionit Afrikan.
"Libia po hapet me botën, ky është mesazhi kryesor", deklaroi Philippe Skaff, i cili drejton ekipin që koordinon festimet. "Kjo është hera e parë që ata aktualisht po presin me krahë hapur mijëra të huaj. Është hera e parë që po japin kaq shumë viza", shtoi ai.
Libia ka ndërprerë mbështetjen për grupet revolucionare rreth botës, bëri paqe me Uashingtonin duke ndërprerë një program të armëve bërthamore dhe ka filluar të paguajë kompensime për bombardimet dhe sulme të tjera për të cilat akuzohet nga vendet perëndimore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›