SHBA/ Trafikimi i armëve, Diveroli pranon fajësinë
Trafikanti amerikan i armëve, Efraim Diveroli, i akuzuar se i kishte shitur ilegalisht municione kineze Afganistanit, ka pranuar fajësinë për konspiracion për mashtrim të qeverisë amerikane. Diveroli e pranoi fajësinë të hënën, në Majami të Floridës. Prokurorët bënë të ditur se Diveroli, president i firmës "AEY" kishte një kontratë 298 milionë dollarëshe me Pentagonin për të furnizuar me municion qeverinë e Afganistanit. Kontrata e ndalonte kompaninë e Diverolit të përdorte municion nga furnizues kinezë. Diveroli e pranoi se kishte blerë municione kineze nga një kompani shqiptare. Diveroli tha se kompania e tij e kishte ripaketuar municionin për të zhdukur shenjat e prodhimit kinez para se ta dërgonte në Afganistan. Gjithashtu Diveroli pranoi se i kishte shitur 90 milionë raunde municioni kinez Afganistanit. Qeveria amerikane i kishte paguar kompanisë së tij mbi 10 milionë dollarë. Shpallja e dënimit për Diverolin është parashikuar të bëhet më 10 nëntor. Ai përballet me pesë vjet burg dhe 250 mijë dollarë gjobë.