Libi, mbahet konferenca e partisë myslimane

Vëllazëria Myslimane ka zhvilluar konferencën e saj të parë publike në Libi, pas ndalimit që i është bërë për dekada të tëra. Disa qindra delegatë morën pjesë dje në hapjen e konferencës në qytetin lindor, Bengazi.
Konferenca po mbahet nëntë muaj pas nisjes së kryengritjes popullore, e cila e përmbysi sunduesin shumëvjeçar të Libisë, Muamer Gadafin.
Nën pushtetin e Gadafit, Vëllazëria Myslimane e Libisë, kishte mbajtur takime sekrete në vend ose jashtë Libisë. Në fjalimin e tij, lideri Sulejman Abdelkader, ka theksuar një natyrë të moderuar të kësaj lëvizjeje politike.
Shumë vëzhgues besojnë se në zgjedhjet e ardhshme në Libi, do të ketë ballafaqime ndërmjet grupeve të partive religjioze dhe atyre sekulariste.