Reichel: Serbia duhet të na bindë që e meriton statusin

Gjermania, pret nga Serbia që deri më 9 dhjetor, të japë prova të besueshme se do të krijojë marrëdhenie konstruktive me fqinjët e saj dhe fqinjësia e mirë e Serbisë, sipas ambasadorit gjerman në Kosovë, Ernst Reichel, nënkupton shuarjen e strukturave paralele në veri.
Në një intervistë për “Kohën Ditore” si ambasador i Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel, ka thënë se shteti që ai përfaqëson po pret që të bindet nga Serbia. Ambasadori ka shpjeguar se nuk mund të pritet që strukturat paralele të hiqen deri më nëntë dhjetor, por nëse do që atë ditë Këshilli i ministrave të BE-së të vendosë për t`i dhënë statusin kandidat, Serbia duhet të gjejë një rrugë të tregojë se ka hequr dorë nga këto struktura.
Përfaqësuesi i Gjermanisë në Kosovë ka kërkuar që dialogu teknik të vazhdojë. Ai nuk e ka përjashtuar nevojën për dialog politik. Sipas tij, për veriun mund të ketë bisedime por nuk mund të hiqet dorë nga Plani i Ahtisaarit në aspektin e statusit për komunat veriore. .
Ambasadori gjerman është entuziast për idenë e menaxhimit të integruar të kufirit Kosovë - Serbi. Një zgjidhje e tillë, sipas ambasadorit, do të shuante nevojën që në veri të ketë barrikada. Ai i kupton vështirësitë që mund të dalin gjatë zbatimit të idesë për shkak të mosnjohjes së pavarësisë nga Serbia, por e ka një zgjidhje. Ambasadori gjerman kërkon nga EULEX-i dhe institucionet kosovare që të luftojnë korrupsionin. Vetëm me sundim të ligjit, Kosova do të mund të bëhet një vend atraktiv për investime, thotë ai.