E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libi, shpallet armëpushim i menjëhershëm

Situata në Libi vazhdon të jetë e tensionuar edhe pse sipas njoftimeve më të fundit, raportohet se lideri i Libisë Moamar Gedafi ka deklaruar armëpushim dhe se pranon rezolutën e Këshillit të Sigurimit. Lajmi është bërë i ditur nga burime të qeverisë që deklarojnë armëpushimin e menjehershëm. Ndërkaq një vendim i tillë pason deklaratën e pak orëve më parë të Gedafit. Koloneli kishte dhënë paralajmërim kundër çdo lloj sulmi ndaj Libisë, duke garantuar se do ta kthejë në ferr jetën e atyre që do të guxojnë të ndërmarin sulme. “Nëse bota është çmendur, atëherë do të çmendemi edhe ne. Do të përgjigjemi dhe ne- citohet të ketë thënë Gedafi, për një televizion portugez, disa orë para së Këshilli i Sigurimit të miratonte rezolutën që autorizon pËrdorimin e forcës në Libi. Ndërkaq fluturimet ajrore tregtare janë janë pezulluar në Libi, konfirmon kompania Eurocontrol, e cila raporton se ka hyrë në fuqi menjëherë vendimi i miratuar nga Këshilli i Sigurimit për zonën e ndalim–fluturimit mbi Libi. Pas rezolutës së Këshillit të Sigurisë në OKB, edhe Bashkimi Europian pohon se do të ndërmarë sanksione kundër regjimit të Libisë, dhe të hënën do të vendosë për sanksione edhe ndaj shoqërisë libiane të naftës. Lajmi është bërë i ditur nga burime diplomatike në Bruksel. Pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i hapi rrugën ndërhyrjes ushtarake nga jashtë në luftën në Libi, edhe NATO- dhe vendet tjera po konsiderojnë mënyrat për zbatimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara për imponimin e zonës së ndalim fluturimit mbi Libi, për të parandaluar forcat e Moamer Gadafit që të kryejnë sulme ajrore kundër kryengritëse. Por pavarësisht ndërhyrjes së ndërkomëbtareve, forcat pro Gedafit kanë vijuar me sulmet edhe gjatë orëve të fundit. 4 persona kanë mbetur të vrarë dhe 70 të tjerë janë plagosur si pasojë e bombardimeve kundër qytetit të Misuratas nga besnikët e Gedafit. Misurata, ndodhet 200 km në lindje të Tripolit, dhe është ende në duart e kryengritesve. Më herët Këshilli Kombëtar, qeveria e rebelëve në Bengazi të Libisë deklaroi se do t`i rezistojë sulmeve të Gedafit. Nëpërmjet një njoftimi shpërndarë për mediat ndërkombëtare, Këshilli shprehet i bindur për t`i rezistuar kolonel Gedafit dhe deklaron se kërcënimet e tij nuk e frikësojnë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›