Libia akuzon sërish NATO-n për vrasje të civilëve
Qeveria libiane e ka akuzuar përsëri NATO-në për vrasje të civilëve.
Gjatë një sulmi ajror mbi shtëpinë e një njeriu të afërt të pushtetmbajtësit, Muammar al-Gaddafi, humbën jetën të paktën 19 persona, ndër të cilët tre fëmijë, tha zëdhënësi i qeverisë Mussa Ibrahim në Tripoli.
Ibrahim foli për një akt terrorist dhe burracak, i cili nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë. NATO i hodhi poshtë akuzat.
Aleanca ka kryer një sulm preciz ndaj një objektivi legjitim ushtarak, i cili është i përfshirë direkt në sulmet sistematike kundër qytetarëve libianë.
Të dielën NATO pranoi se gjatë një sulmi të saj të kryer një ditë më parë kishte pasur edhe viktima civile.
Ministrat e Jashtëm të BE-së, në takimin e tyre në Luksemburg, vendosën edhe sanksione të reja kundër Libisë.
Në anën tjetër, numri një për çështjet e jashtme në radhët e opozitës së Libisë ka shkuar në Kinë, për bisedime me qeverinë e Pekinit.
Mahmud Jibril pritet të diskutojë dhënien fund të krizës në Libi, ku Kina ka interesat e saj tek nafta.