E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libia ndërprenë Internetin

Nga Express më 05 mars 2011 në ora 13:13

Në Libi është ndërprerë shërbimi i Internetit, ndërsa janë në intensifikim e sipër përleshjet ndërmjet kundërshtarëve dhe përkrahësve të Muammar Gaddafit.

Bllokimin e uebfaqeve e kumtoi rrjeti Arbor, i cili monitoron përdorimin e Internetit, si dhe kompania Google.

Edhe pse libianët kanë më pak qasje në Internet krahasuar me shtetet tjera, bllokimi i tij thuhet se do ta bëjë më të vështirë informimin e tyre për ngjarjet në vend.

Gjatë protestave në Egjipt që çuan në largimin e presidentit Hosni Mubarak, autoritetet mbyllën po ashtu qasjen në Internet për gati një javë.

Në ndërkohë, forcat besnike të Gaddafit po përleshen me protestuesit në përpjekje për të rimarrë kontrollin e qytetit al-Zavijah. Raportet flasin për dhjetëra viktima.

Agjenica Reuters citon dëshmitarët të kenë thënë se të paktën 30 njerëz kanë humbur jetën në përpjekjet e forcave qeveritare për të rimarrë kontrollin e qytetit Zavijah.

Udhëheqësi i protestuesve në këtë rajon thuhet të jetë vrarë, ndërsa të dyja palët pohojnë se kanë kontrollin e zonës.

Dëshmitarët flasin për përdorimin e armëve të rënda, tankeve dhe mortajave në qytetin që ndodhet vetëm 50 kilometra larg Tripolit.

Ndërkohë, autoritetet spitalore kanë bërë të ditur për 27 të vrarë nga shpërthimi i deposë së armëve në Bengazi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›