E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshje mes shiitëve dhe sunitëve në Bahrejn

Nga Express më 05 mars 2011 në ora 13:17

Në Mbretërinë e Bahrejnit janë zhvilluar për të parën herë që prej fillimit të protestave para dy javësh përleshje të dhunshme midis myslimanëve sunitë dhe shiitë.

Qindra vetë u turrën me thika dhe shkopinj kundër njëri-tjetrit në vendbanimin Hamad. Në përfundim policia i ndau të dyja palët.

Shumica shiite e popullsisë ndihet e diskriminuar prej familjes mbretërore sunite. Ndërkaq opozita u shpreh e gatshme për bisedime me qeverinë.

Është pranuar ftesa e shtëpisë mbretërore për dialog tha opozitari udhëheqës, Abdul Xhalil Halil.

Në një letër të hapur, gjashtë grupe të mëdha të opozitës kërkuan njëkohësisht dorëheqjen e qeverisë dhe lirimin e të burgosurve politikë.

Në shtetin e vogël të Gjirit Persik po zhvillohen që tri javë demonstrata për reforma dhe për më shumë demokraci.

Gjatë përplasjeve me policinë u vranë të paktën shtatë vetë. Protestat mbështeten para së gjithash prej shumicës së popullsisë shiite.

Demonstrata pati edhe në Egjipt, ku qindra protestues kanë tentuar të sulmojnë ndërtesën që i përket shërbimit të brendshëm të sigurisë në Aleksandri.

Tre persona janë plagosur pasi forcat e rendit kanë hapur zjarr ndaj tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›