E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libia ne krize kufoma ne rruget e Tripolit

Banorët në Tripoli përballen me krizë humanitare, ndërsa luftimet vazhdojnë në disa lagje të kryeqytetit. Pjesa më e madhe e qytetit ka mbetur pa ujë, energji elektrike, apo kushte të përshtashme të higjenës. Në gjendje kritike ndodhen edhe spitalet, që përveçse se përballen me një numër të madh të plagosurish, kanë mungesa në medikamente, ndërsa ushqimi dhe karburantet po shkojnë drejt fundit në të gjithë Tripolin.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, apeloi për ndihmë urgjente dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndihmojë në rikthimin e rregullit në vend. Luftimet po pakësohen çdo ditë, pasi më herët kryengritësit morën nën kontroll edhe një nga bastionet e fundit të kolonel Gadaffit në kryeqytet. Siç njofton BBC, rezistenca e besnikëve të regjimit po pakësohet dhe në qendër të Tripolit mbizotëron qetësia.
 
Tashmë, për banorët dhe këhsillin Kombëtar të Tranzicionit nis sfida e vërtetë, ajo e pasluftës, vendosja e rregullit, qetësisë dhe e shërbimeve jetike për popullsinë. Bëhet fjalë për një qytet me dy milionë njerëz që tashmë nuk ka një qeverisje efektive. Lidershipi politik dhe vetë populli duhet të zgjidhin me shpejtësi këtë çështje, pasi praktikisht, kur vjen puna për ujë dhe ushqim, situate bëhet serioze. Probleme ka me higjenën, pasi përveç mungesës së ujit dhe energjisë, rrugët janë të mbushura me mbetjet e luftimeve, e sidomos kritike është heqja e kufomave nga rrugët.
 
E premtja dëshmoi skena horrori në spitalin e distriktit Abu Salim, i sapo çliruar nga kryengritësit. Komiteti i Kryqit të Kuq tha se gjeti në spital trupat e dekompozuar të 200 pacientëve, burra, gra e fëmijë. Spitali ishte braktisur nga pesoneli me nisjen e luftimeve. Trupa të pajetë gjenden edhe në rrugët e tjera të Tripolit, duke krijuar kushtet për epidemi.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›