E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet ne Kosove. Me 15 mije firma kandidat per president

Zgjedhjet presidenciale në Kosovë mund të mbahen në qershor ose në korrik të vitit të ardhshëm, nëse vazhdohet me dinamikën e tanishme të ndryshimeve Kushtetuese. Komisioni për ndryshimet Kushtetuese me konsensus të plotë ka miratuar një pako amendamentesh dhe tani ka nisur debatet me qytetarë për zgjedhjen e drejtpërdrejt të Presidentit të Kosovës.

Pas debatit publik, Komisioni planifikon që gjatë muajit dhjetor ta dorëzojë në Kuvend dokumentin final, miratimi i të cilit do t’i hapte rrugë mbajtjes së menjëhershme të zgjedhjeve presidenciale. Sipas marrëveshjes së arritur në mes të kryeministrit Hashim Thaçi, kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe atij të AKR-së Behgjet Pacolli zgjedhjet duhet të mbahen jo më larg se gjashtë muaj pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese.

Nënkryetarja e Komisionit për ndryshimet Kushtetuese, Vjosa Osmani thotë për Albanian Screen se secili qytetar i Kosovës që ka mbi 35 vjeç dhe arrin të mbledh 15 mijë firma mund të kandidojë për President të Kosovës.

“Duhet të sigurohen 15 mijë firma. Ne kemi shkuar me këtë propozim, duke pasur parasysh që për deputet të pavarur kërkohen 10 mijë firmave dhe meqenëse institucioni i presidentit është institucioni më i lartë, më serioz, natyrisht  se do të duhet një numër më  i madh i firmave sesa për deputetë, Për këtë arsye ne kemi shkuar me këtë numër që është pak nën 1% , ose afër 1% të  votuesve të kualifikuar. Besoj  është një numër që çdo kandidatë serioz do të mund të arrij pa problem”- tha Osmani.

Me ndryshimet e reja, Presidenti që zgjidhet drejtpërdrejt nga populli duhet të tërhiqet plotësisht nga partia politike të cilës i takon.

Aktualisht kanë mbetur për të diskutuar ende disa çështje sa i përket zgjedhjes së drejtpërdrejt të presidentit. Ndryshimet Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit erdhën si rezultat i krizave institucionale të  shkaktuara nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, e cila në rastin e parë konstatoi shkelje ish- Presidenti Fatmir Sejdiu për mbajtjen e dy posteve, institucional dhe partiak dhe në rastin e dytë, shkelje të procedurave nga Kuvendi me rastin e zgjedhjes së ish Presidentit Behgjet Pacolli.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›