Toni dhe Lahm, dhimbje koke për Jurgen Klinsman
Dëmtimet rrezikojnë të komprometojnë rikthimin e Bajernit të Mynihut. Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klinsman nuk do të ketë shërbimet e sulmuesit Luka Toni për sfidën e sotme kundër Volfsburgut. Italiani, që në sezonin e kaluar u shpall golashënuesi më i mirë në Bundesligë, ka luajtur i dëmtuar në brinjë kundër Fiorentinës dhe tashmë duket se situata është agravuar. Dëshira për të mos munguar në sfidën e Ligës së Kampioneve kundër ish-skuadrës së tij i kushtoi shumë Tonit, që tashmë do të mungojë edhe në ndeshjet me Eintrahtin e Frankfurtit dhe Arminian. Sipas stafit mjekësor, sulmuesi mund të rikuperohet në kohë për ndeshjen e kthimit në Champions me "vjollcët" e Prandelit, që do të luhet më 5 nëntor në Firence. Problem tjetër shqetësues në ambientet e kampionëve të Gjermanisë është edhe Filip Lahm. Mbrojtësi pritet të mungojë për të paktën katër javë, pas dëmtimit të pësuar kundër Fiorentinës, ku dëmtoi pjesërisht një kockë të këmbës. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të klubit, pas ekzaminimeve mjekësore. "Shpresojmë që periudha e rehabilitimit të tij të jetë më e shkurtër, por duhet të bëjmë pa të (Lahm) për dy ose tre ndeshjet e ardhshme", tha trajneri Klinsman. Megjithatë, vetë lojtari nuk duket se është dorëzuar nga ky problem. "Besoj që do të rikthehem në aksion përpara pauzës dimërore, edhe pse në momentin që flasim nuk e njohim diagnozën përfundimtare", u shpreh lojtari i përfaqësueses gjermane. "Kur detyrohesh të frenohesh për shkak dëmtimi, të vjen keq, por nuk është ndonjë dramë. Kam kaluar situata më të këqija".