E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libra 20% më shtrenjtë

Ndryshimi, librat dhe revistat që do të importohen do të paguajnë 20 për qind TVSH në doganë
"Ligji është diskriminim për prodhuesit e vendeve të BE"
"Mos të mendohet se po preken bizneset e librit, botuesit dhe shtypshkronjat. Taksa 20% për librin e importuar rëndon në kurriz të blerësit, të lexuesit". Të këtij mendimi janë ata që votuan kundër ndryshimeve të ligjit për TVSH-në, deputetë të opozitës dhe sigurisht botues. Sipas ligjit "Për Tatim mbi Vlerën e Shtuar që parlamenti shqiptar miratoi të mërkurën në mbrëmje, TVSH do të paguhet edhe për librin e importit i cili që nga hyrja në fuqi e ligjit do të tatohet në masën 20 për qind.
Sipas subjekteve dhe autorëve që e kundërshtojnë këtë ligj "qeveria, konkretisht Ministria e Financave, duhet të marrë parasysh rritjen e kostos së shërbimeve me 20% në momentin që do të miratojë këtë ligj". Anëtarja e Komisionit Parlamentar për Median dhe Mjetet e Informimit Publik, shkrimtarja Diana Çuli, tha për gazetën se çështja e TVSH-së mbi librin në tërësi është një histori e gjatë për të cilën e vërteta nuk ështëthënë asnjëherë. Çuli ka parasysh premtimin e para një viti të qeverisë për heqjen e tatimit mbi këtë mall, por "faktikisht kjo TVSHnuk është hequr asnjëherë. Ministria e Financave vendosi këtë TVSh e cila ka për të rënduar në kurriz të lexuesit që këtej e tutje ka për t'i blerë librat që importohen, apo periodikun e huaj 20% më shtrenjtë. Çuli pohon se ajo që paskan ditur të gjithë mbi TVSH gjoja të hequr, paska qenë një mashtrim.
Botuesi Petrit Ymeri e sheh problemin në një kënd tjetër. "Vendosja e TVSH-së për librin në import është në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe diskriminon prodhuesit e vendeve të BE. Puna jonë duhet mbështetur dhe jo goditur",- tha Ymeri. Këto ndryshime në ligj janë sipas botuesit kundër programit të qeverisë për integrimin e vendit.
Për kryetarin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Fatmir Toçi, në këtë mënyrë po i bëhet pengesë edhe atij libri që hyn nga Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi. Deri dje botuesit e këtej dhe andej kufirit kanë thirrur që situata mund të ndërrojë vetëm me një vullnet politik i cili do të zbriste gati në zero % TVSH mbi librin. Këta "vargonj të tjerë fiskalë" janë kundërshtuar butë nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Ndërsa dje ministria nuk ka sqaruar më shumë për sa po ndodh me presionet ndaj botimeve, për politikat ndaj të cilave kjo ministri ka përgjegjësi të plotë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›