E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilanci: Dy dështimet e mëdha të Berishës

Kryeministri Sali Berisha fajëson thatësirën për krizën energjetike dhe asnjë faktor tjetër  
“Por cili do jetë viti (për të pasur energji 24 orë) e kam shumë të vështirë t’ua them”
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha pas dy vjet e gjysmë qeverisje ka pranuar se nuk ka mundur të realizojë plotësisht premtimin e tij elektoral për furnizimin e vendit me 24 orë energji elektrike. Megjithatë, ai edhe dje gjatë prezantimit të përmbledhjes së punës së qeverisë përgjatë vitit 2007, ka theksuar se kjo nuk ka qenë përgjegjësi direkte e qeverisë, por pasojë e mungesës së reshjeve për një kohë të gjatë. Kreu i ekzekutivit është shprehur se zotimi i marrë në 2005 mbështetej në idenë për të importuar maksimalisht, por duke alternuar atë edhe me prodhimin vendas. Llogaritje e cila rezultoi jo e saktë, për shkak se sipas tij kishte thatësirë natyrore. Madje në kulmin e krizës së energjisë, kryeministri Sali Berisha vazhdon të shprehet se ka energji 24 orë, por nuk e cilëson të përmbushur premtimin “Në skemën time unë kam pasur një zotim, që në fund të 2007 Shqipëria do të ketë energji 24 orë. Ky është fundi i 2007-ës dhe Shqipëria ka energji 24 orë, por nuk e quaj të përmbushur zotimin. Zotimi im bazohej në vendosmërinë time për të importuar maksimalisht. Mirëpo kjo përllogaritje humbi në njëfarë mënyre një vlerë për shkak të thatësirës ekstreme, sepse thatësira ekstreme e paparashikuar bëri që prodhimi i vendit të bjerë në mënyrë dramatike”,- u shpreh kryeministri Berisha. Mos mbajtja e këtij premtimi, duket se ka detyruar Kryeministrin që të jetë i kujdesshëm në premtimet e tij të tjera. Në këtë mënyrë ai është dorëzuar para medias duke mos deklaruar, për herë të parë që pas ardhjes në pushtet, asnjë datë tjetër të përafërt se kur Shqipëria do të mund t’i japë fund problemit të energjisë elektrike. “Në një vit normal, në rast se do të jetë një vit normal jo si ai që lamë pas, Shqipëria do të ketë energji, sepse ne do blejmë. Ne nuk ndërpresim energjinë për të kursyer blerjet. Kjo nuk do të ndodhë. Por, cili do jetë viti e kam shumë të vështirë t’ua them. Kjo situatë që është, është optimiste, sepse është në kuota shumë të mira dhe megjithatë nuk mund të bëjmë asnjë parashikim për shkak të thatësirës së jashtëzakonshme që përjetuam. Po ndërtohet një Termocentral në Vlorë, do të marrim vendim për të ndërtuar një termocentral tjetër shumë shpejt sepse edhe njëherë e them, pavarësisht nga kjo lagështirë e këtij fundviti, ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për balancimin e prodhimit të energjisë, kjo është zgjidhja”,- tha ai. Nga ana tjetër, ai, megjithëse është deklaruar kundra rritjes së çmimit të energjisë për familjarët, ka theksuar se është i detyruar ta pranojë atë për shkak të faktorëve të tjerë vendimmarrës, por gjithmonë duke ndjekur një politikë favorizuese për shtresat në nevojë. “Përveç të varfërve dhe Sali Berishës, të gjithë janë pro ndryshimit të çmimit të energjisë. Megjithatë, dua të them se është dyfishuar çmimi i energjisë në botë. Në këtë kuptim e kam të vështirë të eci kundër rrymës”,- u shpreh kreu i qeverisë.
Kryeministri deklaron rrugët e daljes nga korrupsioni. Shfaqet mosbesues ndaj polleve
Kryeministri: Korrupsioni në vend, problemi më serioz
TIRANË- Fenomeni i korrupsionit vazhdon të mbetet një nga problemet kryesore të administratës shtetërore. Një fakt të tillë e ka pranuar vetë kryeministri Berisha, kur ka theksuar se “korrupsioni mbetet një problem serioz në tërësi për çdo vend dhe shumë më tepër për vendin tonë”. Megjithatë ai ka shprehur vullnetin e plotë të qeverisë për të bërë më shumë në këtë drejtim, duke premtuar penalizim të të gjithë atyre personave që deri më sot kanë mundur t’i shpëtojnë drejtësisë. “Parashikojmë penalizimin e atyre që deri më sot nuk janë penalizuar për korrupsion, gjykatës dhe prokurorë, njëlloj si zyrtarët e tjerë. Së dyti, do të kërkojmë heqjen e imunitetit apo kufizimin e imunitetit për të gjitha ato raste kur ka akuza për korrupsion. Dhe, së treti, jemi të vendosur të bëjmë transparencën e plotë të të ardhurave të partive politike dhe brenda shkurtit do e çoj në Kuvend ligjin për të ardhurat”, - pohoi Kryeministri. Pavarësisht nivelit të lartë të korrupsionit, kreu i ekzekutivit ka deklaruar se nuk është i prirur për t’i besuar në mënyrë absolute rezultateve të Transparency International për nivelet e mitmarrjes. “Transparency International boton një raport. Në raportin e saj, Shqipëria ka qenë e 104, tani është e 123. Por në raport kur ka qenë e 104 kanë qenë vetëm 134 vende, kurse në raportin e fundit janë 187 vende. Tani të vijmë te pollet. E vërteta është se unë po t’i kisha besuar polleve në Shqipëri, nuk do të isha këtu Kryeministër sot, do isha prapë në opozitë sipas tyre, por ja që pollet janë polle. A është problematik korrupsioni? Është plotësisht problematik korrupsioni sepse në një vend ku gjykata dhe institucioni i akuzës nuk përballen me ligjin për korrupsion, korrupsioni mbetet qartësisht problematik”,- tha Berisha. Ai shtoi se, “nuk mund të më bindin pollet, të cilat thonë po dënove rritet korrupsioni. Kjo është absurde. Po dënove korrupsioni bie dhe ky është një nga kushtet. Por problemi është se duhet dënuar në të gjitha nivelet, është e domosdoshme të vendoset para ligjit. Është e vështirë të dënohet korrupsioni kur imunitarët mbrojnë me fanatizëm ekstrem, por edhe me paturpësi, imunitetin e tyre para korrupsionit”.
Berisha: S’ka ndryshime në qeveri në 2008
TIRANË- Ndryshe nga një vit më parë, këtë vit kryeministri Berisha ka mohuar zërat për ndryshimet në qeveri. I pyetur dje në lidhje me ndryshime të mundshme në kabinetin e tij, Kryeministri ka deklaruar se qeveria që ai drejton ka punuar mirë, duke lënë të kuptohet se nuk është e nevojshme që të ndryshohet. “Mendoj se qeveria ka funksionuar mirë. Realisht, një qeveri që ka funksionuar dhe që ka bërë kaq reforma duhet konsolidohet edhe më tej”,- u shpreh Berisha. Ndërkohë, në lidhje me situatën e brendshme në Partinë Demokratike, ai është shprehur se ekspertët e kontraktuar gjatë qeverisjes më pas do të jenë potenciale partiake. “PD, si substancë është shumë më e fortë, si formë është e ndryshuar”,- tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›