E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librat, mbi 70% e nxënësve hasin vështirësi

SHKRUAN: Jonida Tashi 11-02-2011 11:06

Pjesa më e madhe e nxënësve në arsimin parauniversitar hasin vështirësi me tekstet shkollore, mbi të gjitha për shkak të cilësisë së dobët të tyre. Tashmë ky shqetësim i vazhdueshëm i prindërve, drejtuar mësuesve kujdestarë të fëmijëve apo edhe drejtuesve të shkollave, është përkthyer në shifra nëpërmjet një anketimi që Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (SOROS) ka publikuar së fundmi. Sipas monitorimit të SOROS, prindërit, të pyetur rreth vështirësive që hasin fëmijët në të përvetësuarit e dijeve, konfirmojnë se 74.1% e nxënësve ndeshin vështirësi përgjatë procesit të nxënies. Kështu, 59% e prindërve të intervistuar mendojnë se arsyeja e këtyre vështirësive është cilësia e dobët e teksteve. Për më tepër, monitorimi tregon se 56.4% e prindërve të intervistuar kanë vënë re ndryshime në përmbajtjen e teksteve, nga viti në vit, e ndjekur kjo nga 42.9% e prindërve të intervistuar, të cilët nuk kanë shquar ndryshime në këtë drejtim. Gjithashtu, 43.8% e prindërve të intervistuar mendojnë se në përgjithësi, cilësia e teksteve është rritur, ndërsa vetëm 20% e tyre mendojnë se ka rënie në cilësi, e ndjekur kjo nga 35.2% e prindërve, të cilët nuk shquajnë ndonjë ndryshim në këtë drejtim. Nisur nga ky problem me tekstet shkollore që nuk është i vetmi, SOROS ka evidentuar të gjitha të dhënat e nxjerra në bashkëpunim me një grup ekspertësh, përgjatë periudhës gusht-nëntor 2010, për monitorimin e zbatimit të procesit Altertekst 2010, në qytetin e Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës, të cilat do ia dorëzojë zyrtarisht edhe Ministrisë së Arsimit. Një tjetër problem i evidentuar nga monitorimi i SOROS-it, për paketën Altertekst 2010, është ai që ka të bëjë me shpërndarjen dhe shitjen e librave. Kështu, të pyetur rreth cilësisë së procesit të shpërndarjes së teksteve, 39.8% e prindërve mendojnë se shpërndarja ishte më e mirë këtë vit shkollor, ndërsa 13.3% e tyre konfirmojnë të kundërtën, e ndjekur kjo nga 46.4% e të pyeturve, të cilët nuk vërejnë ndonjë ndryshim krahasuar me vitin e shkuar. “Rezultatet e monitorimit sugjerojnë se tekstet nuk kanë mbërritur në sasinë e duhur për të gjithë titujt, pasi vetëm 29.9% e prindërve kanë mundur t’i sigurojnë të gjitha tekstet që me vizitën e parë në shkollë, ndërsa rreth 28% e prindërve të intervistuar u është dashur të vizitojnë shkollën në tre apo më shumë raste, për të siguruar të gjitha tekstet e nevojshme”, - thuhet në monitorim. Po ashtu, pajisja e blerësit të tekstit me faturë tatimore ka qenë një rregull i pazbatuar në shumicën e rasteve, pasi 81% e prindërve të pyetur nuk janë pajisur me faturë tatimore, çka do të thotë se ata nuk do të përfitojnë subvencion sipas ligjit. Lidhur me shitjen e librave, nëse do të ishte më mirë tregtimi i teksteve në shkollë apo librari, 83% e prindërve preferojnë tregtimin e teksteve në shkollë, ndërsa vetëm 15.8% e tyre preferojnë tregtimin e teksteve në librari.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›