Rritja e pagave nuk ka nxitur punësimin
Banka e Shqipërisë gjykon se presionet inflacioniste janë të nxitura nga rritja e vazhdueshme e pagave. Nga një analizë e Bankës Qendrore, rezulton se janë pagat e rritura që orientojnë nivelin e përgjithshëm të çmimeve kah rritjes. Sipas analizës në fjalë, një ndër faktorët për shtimin e presioneve inflacioniste në ekonomi me origjinë nga kostot e prodhimit është rritja e pagave. Ky faktor mbart rrezik pro-rritjes së çmimeve në terma afatgjatë, nëse rritjet e pagave nuk do të mbështeten nga rritje të produktivitetit të punës. Prandaj, citohet në analizën e Bankës së Shqipërisë, rritjet e kostove për njësi të prodhuar do të ishin më të ndjeshme nga rritja e këtij faktori dhe probabiliteti i transmetimit në rritje të çmimeve të produkteve apo shërbimeve, do të ishte i lartë. Në këtë mënyrë, presionet inflacioniste do të nxiteshin edhe më shumë nga rritja e pagave, nëse zëri “paga” do të zinte peshë të konsiderueshme te kostot e bizneseve. Rreziku i fenomenit të spirales inflacioniste në ekonomi do të ishte i pashmangshëm. Bizneset, në kompensim të pagave më të larta, do të rrisnin çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tyre. Megjithatë, duke iu referuar analizës, një rritje e tillë e pagave nuk do të rezultonte në dobi të të punësuarve dhe konsumatorëve, sa kohë që ato do të rëndonin kostot për njësi dhe çmimet e produkteve në treg. Nga ana tjetër, nëse çmimet do të vijonin rritjen, të punësuarit do të ushtronin presion të vazhdueshëm për rritje të pagave për të kompensuar rritjen e kostos së jetesës dhe spiralja e inflacionit do të amplifikohej. Në të njëjtën kohë, nëse pagat në ekonomi nuk do t’i përgjigjeshin rritjes së përgjithshme të çmimeve, presionet inflacioniste mund të dobësoheshin dhe përsëri burimi i tyre do të ishte te pagat. Dhe një situatë e tillë do të shpjegohej nga ngadalësimi i shpenzimeve për konsum, fenomen që do të dobësonte kërkesën agregate. Prandaj, duke ndjekur logjikën e analizës, argumenti kundër rritjes së pagës minimale shpesh i referohet rrezikut të shtuar për presione inflacioniste të nxitura nga kostot më të larta të shkaktuara nga ky faktor. Nëse paga minimale e punonjësve rritet, sipërmarrësit mund të jenë të detyruar ta transmetojnë këtë rritje te konsumatorët në formën e çmimeve më të larta. Por kur rritja e pagës minimale nuk ndikon në pagat e punonjësve që përfitojnë nivele më të larta të tyre se ai minimal, fuqia blerëse e kësaj kategorie konsumatorësh mund të bjerë, si rezultat i procesit të ndryshimit të çmimeve. Megjithëse, sipas Bankës së Shqipërisë, teoria e sugjeron këtë skenar si të mundshëm, historia e rritjes së pagës minimale dhe e rritjeve administrative të pagave në ekonominë shqiptare nuk rezulton në shtim të dukshëm të inflacionit në terma afatgjatë. Ky fenomen nuk ka rezultuar si i tillë, sepse: së pari, rritja e pagës minimale nuk është reflektuar në rritje të pagave për të gjitha kategoritë; së dyti, zëri “shpenzime personeli” në aktivitetin e bizneseve vlerësohet me peshë relativisht të ulët në shpenzimet totale të tyre.