Alarmi, rënia e zjarreve rrezikon shpërthimin e municioneve në Shkodër dhe Berat
Rritja e temperaturave gjatë ditëve të fundit është pasuar me një sërë zjarresh të rëna në zona të ndryshme të vendit. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë djegur me dhjetëra hektarë parcela me ullishte në rrethin e Beratit, ndërsa në Shkodër është rrezikuar të përfshihet nga flakët një zonë ku ndodhet një depo me armatime. Po dje është arrestuar edhe autori i zjarrvënies në fshatin Floq të Librazhdit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se një zjarr i madh mbrëmë në Kodrat e Tepes, i cili ka alarmuar të gjithë banorët e zonës, për shkak se vatra e tij ndodhej fare pranë një depoje me municione. Policia dhe zjarrfikëset kanë rrethuar të gjithë zonën dhe pas disa orësh kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, të cilat, të ndihmuara nga era, ishte e pamundur për ti vënë nën kontroll menjëherë. Sipas policisë në këtë kodër ndodhen depo armatimesh, të cilat rrezikuan ta kthejnë situatën në katastrofike. Tek-tuk u dëgjuan edhe kërcitje fishekësh, të cilat janë të shpërndarë në të gjithë këtë zonë. Zjarrfikëset arritën të shuajnë flakët rreth orës 19.30 ndërkohë që nuk bëhet e ditur nëse zjarri ka qenë aksidental apo i qëllimshëm.
Dëme të konsiderueshme u shkaktuan nga zjarret edhe në Berat. Në zonën e quajtur "Mali me gropa",në fshatin Sqepur, të komunës së Poshnjes, flakët kanë nisur fillimisht në një nga parcelat me ullinj, por të favorizuar nga era, ato kanë përparuar me shpejtësi të madhe dhe kanë përpirë të gjithë shpatin e malit. Reparti i Zjarrfikëses nuk ka mundur dot të hyjë me mjete në afërsi të vatrës, për shkak të terrenit të vështirë malor dhe mungesës së rrugës së makinave në drejtim të kësaj zone. Për këtë arsye punonjësit e repartit zjarrfikës kanë kërkuar ndihmën e forcave të ushtrisë dhe banorëve të fshatrave përreth. Në këtë mal dikur ka qenë një nga regjimentet ushtarake të Qarkut të Beratit dhe e gjithë zona ka qenë e mbushur me municione ushtarake, të cilat kanë filluar të shpërthejnë, duke bërë që të gjitha këto forca të tërhiqen. Përveç rrezikut nga shërbimi, flakët kanë kërcënuar edhe banesat në fshatin Syzes. Deri mbrëmjen e së mërkurës flakët kanë djegur rreth 50 ha me ullishte, ndërkohë që zjarret ende nuk janë vënë nën kontroll nga skuadrat që po marrin pjesë për shuarjen e tyre. Policia bën të ditur se edhe këtë herë zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe dyshohet se është vendosur nga barinjtë për të krijuar kullota të reja, por me gjithë përpjekjet e forcave policore të Qarkut të Beratit për gjetjen e zjarrvënësve, deri tani asnjë prej tyre nuk ka rënë nën prangat e policisë. Ndërsa në orët e para të mëngjesit të djeshëm policia e Librazhdit arrestoi shtetasin Ismet Rama, i akuzuar për shkatërrimin e pronës me zjarr. 47-vjeçari Rama, lindur e banues në fshatin Floq të komunës së Orenjës, është identifikuar si autor i vënies së zjarrit në vendin e quajtur “Zabeli i Apllicajve” në fshatin Floq. Si pasojë e këtij zjarri u dogj një sipërfaqe 0.6 hektarë pyll.
Shkëndija elektrike shkrumbon një banesë
POGRADEC – Shkëndija elektrike është bërë shkas për djegien e një shtëpi, ndërkohë që temperaturat e larta kanë nxitur përhapjen e flakëve, të cilat kanë djegur gjithçka. Burime zyrtare bëjnë të ditur se zjarri ra në banesën e Arefie Xhemallarit, në fshatin Gështenjas të Pogradecit. Nga ekspertiza është arritur në konkluzionin se shkak për rënien e këtij zjarri ka qenë një shkëndijë elektrike në kabllot të cilat kalonin në tavanin e kësaj banese dhe që ishin të amortizuara. Fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz, ndërkohë që ka pasur dëme materiale të konsiderueshme.
14 Gusht 2008