E Diel, 1 Nëntor 2026

Malësi e Madhe, orteqe dhe rrëshqitje gurësh

 Shkrirja e dëborës shoqërohet me probleme në zonën veriore. Banorët në Vermosh, sërish në izolim

 

SHKODËR-Dëbora e rënë ditët e fundit në lartësitë mbi 1000 m mbi nivelin e detit në qarkun e Shkodrës ka filluar të shkrijë, por problemet për banorët e zonave malore vazhdojnë. Reshjet e shiut kanë bërë që shkrirja e borës të shoqërohet me rrëshqitje dherash e gurësh, madje edhe rënie orteqesh. Sipas burimeve nga komuna Këlmend në rrethin e Malësisë së Madhe, trashësia e borës në Qaf të Perdolecit është rreth 35 cm dhe rreth 1200 banorë të Vermoshit, Lëpushës etj, vazhdojnë të jenë të izoluar. Përveç dëborës, në aksin rrugor nga Selca e deri në Vermosh janë shfaqur rrëshqitje gurësh dhe çarje dheu, në vende të tilla si Shkëmbi i Shaljanëve apo segmentin Budaç- Vermosh.

***

Aksi rrugor Tamarë- Vermosh paraqet probleme pasi mungon sinjalistika rrugore dhe bora e ngrirë vazhdon të jetë e pranishme. Rrezikshmëri më të madhe paraqet pjesa Selcë- Vermosh, ku rruga ka pësuar ngushtim për shkak të shembjes së tabanit të saj. "Edhe pse kemi dërguar projekte të gatshme për ndërhyrje në përmirësimin e këtij aksi rrugor veçanërisht në pikat e rrezikshme, akoma asnjë masë konkrete nuk është marrë deri sot. Ne përpiqemi ta mirëmbajmë aq sa mundemi, punëtorët punojnë por duhet ndërhyrje e plotë dhe mjete e fonde që ne nuk i kemi",- thotë Rexhep Curri, përgjegjës i sektorit të mirëmbajtjes së rrugëve rurale. Në këtë aks ka mjaft mungesa dhe të mureve mbrojtëse. Dhe zona e Dukagjinit në rrethin e Shkodrës vazhdon të jetë e bllokuar në të dy kalimet e saj nga segmenti Kir- Breg Lumi dhe nga ai Bogë- Theth. Në të parin problemi kryesor paraqitet në Mal të Shoshit ku ka 40 cm bore, ndërsa në segmentin tjetër atë të Thethit, në Qaf Thore ka 30 cm dëborë.

***

Në këto zona malore janë shfaqur dhe orteqe, që madje kanë rënë dhe në rrugë, por pa shkaktuar dëme. Shkrirja e dëborës ka rritur nivelin e ujit në përrenjtë e këtyre zonave të cilët janë fryrë së tepërmi duke vështirësuar kalimin e banorëve në urat që janë ekzistuese. Ura mbi lumin Cem, në afërsi të fshatit Selcë rreth 7 km larg qendrës së komunës në Tamarë është ndërtuar me një financim austriak prej rreth 18.000 euro. Kjo urë ka shërbyer për lidhjen e banorëve të fshatit Selcë dhe atij Gjenoviç me rrugën kryesore që përshkon të gjithë fshatrat e komunës. Ndërtimi i kësaj ure është realizuar në vjeshtën e vitit 2006, ndërsa vetëm pas rreth 1 viti, reshjet e shumta të shiut kanë sjellë shkatërrimin e saj. Rritja e nivelit të ujit nga dëbora që shkrihet sjell probleme për lëvizjen e rreth 400 banorëve të kësaj zone dhe nxënësve që shkojnë në shkollë. Problem paraqet dhe përroi që derdhet në lumin Kir në afërsi të fshatit Prekal të komunës Postrribë, ku mungon një urë normale për kalimin e banorëve nga njëra anë në tjetrën. Burime nga prefektura e qarkut Shkodër bëjnë të ditur se po punohet, po kryesisht në mbajtjen hapur të akseve rrugore nacionale ndërsa probleme paraqesin akset rurale që lidhin fshatrat me qendrat e komunave malore si në Iballë, Fierzë etj në Pukë, Shalë, Shosh, Pult në Shkodër, Këlmend në Malësi të Madhe etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›