Librazhd, zjarr në fshatin Mirakë
Një vatër e re zjarri është shfaqur sot në fshatin Mirakë të rrethit të Librazhdit. Flakët e zjarrit fillimisht kanë përfshirë malin Ulok, dhe zjarri po përparon drejt malit të Zgarës. Policia pyjore ndodhet në vendin e ngjarjes dhe së bashku me banorët e fshatit po vazhdojnë punën për izolimin e flakëve.
Ende nuk dihet shkaku i këtij zjarri. Ndërkohë që në ditët e mëparshme në rrethin e Librazhdit ka pasur vatra zjarri, kryesisht në komunën Librazhd-Qendër, të cilat kanë pasur rrezikshmëri të madhe, pasi në këtë zonë ka pasur disa municone të mbetura, të vitit 1997. Por zjarrëfikset, të ndihmuara edhe nga reshjet e shiut që kanë rënë në qarkun e Elbasanit, kanë bërë të mundur shuarjen e këtyre flakëve.
Në qarkun e Elbasanit gjatë këtij sezoni veror janë regjistruar vatra të shumta zjarri, të madhësive të ndryshme.