E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri “Enver Hoxha”, mirëpritet edhe në Kosovë

Shqiptarët e Kosovës mes Titos dhe Enver Hoxhës zgjodhën Enver Hoxhën, jo për emrin, jo për diçka tjetër, por për faktin se zgjodhën Shqipërinë si shtetin amë, u tha të enjten mbrëma me rastin e promovimit të librit “Enver Hoxha” të autorit Blendi Fevziu.

Henri Çili nga Universiteti Evropian i Tiranës, i cili është botues i këtij libri, ka bërë të ditur se ky libër është duke u mirëpritur edhe në Kosovë. Ai ka thënë se me Blendi Fevziun kanë pasur drojë duke ndarë idenë se si do të pritej ky libër në Kosovë, pasi siç u shpreh ai, Kosova është një shoqëri tjetër dhe ka një specifikë që ndërlidhet me emrin e Enver Hoxhës, me rolin e tij në histori dhe historinë e shqiptarëve.

Një pyetje që shtrohet shpesh se përse Hoxha nuk bashkëpunoi me perëndimin, por me lindjen, sipas Çilit, është fatkeqësia e popullit shqiptar që është udhëhequr nga një diktator komunist, i cili ka shënuar edhe fatin e popullit të vet.

“Pse zgjidhte Enver Hoxha të shkonte me Kinën, pse nuk zgjidhte të bashkëpunonte me perëndimin, me Amerikën, Anglinë etj . Kjo është një pyetje shumë e thjeshtë dhe shumë e rëndësishme. Në fakt ky libër është një arsye për të reflektuar mbi faktin tonë si shqiptar, mbi mënyrën se si na ka hedhur historia nëpër lloj-lloj personazh, mënyra se si fati i jonë është varur nga personazhet patologjik, të cilët kanë shënuar fatin e një populli ose një kombi për 50 vite me radhë”, ka thënë Çili.

Për më tepër, ai ka theksuar se shqiptarët e Kosovës mes Titos dhe Enver Hoxhës zgjodhën Enver Hoxhën, jo për emrin, jo për diçka tjetër, por për faktin se zgjodhën Shqipërinë si shtetin amë.

Sipas tij, mënyra shumë e lehtë e ndërtimit të librit të autorit Fevziu, dokumentimi absolut dhe i qartë që askush nuk ka mundur të përgënjeshtrojë asnjë fakt, asnjë dokument, bën të mundur që komunikimi i këtij libri në Kosovë të jetë i suksesshëm.

Sonte në kinemanë “ABC” është shfaqur edhe premiera e filmit dokumentar “Enver Hoxha” nga Blendi Fevziu. /kp/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›