E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri i ditës: Kur qytetërimet tona shkojnë drejt shterjes

Bota po shkon drejt një çoroditjeje më të madhe, dhe në disa fusha njëherësh - çoroditje intelektuale, çoroditje financiare, çoroditje klimatike, çoroditje gjeopolitike, çoroditje etike. Kështu thotë në librin e tij “Çoroditja e botës” shkrimtari Amin Maalouf, një libër që e ka sjellë në shqip Donika Omari dhe shtëpia botuese IDK.

Vërtet që herë pas here ndodhin ngjarje të papritshme të dobishme; atëherë fillojmë të besojmë se njerëzit, kur ndodhen në qorrsokak, nga e keqja, si për mrekulli, e gjejnë rrugëdaljen. Por, sakaq, ja ku ndodhin turbullira të tjera, që zbulojnë shtysa njerëzore krejt të ndryshme, më të errëta, më të njohura, dhe njeriu nis të pyesë veten nëse lloji njerëzor nuk ka arritur, në njëfarë mënyre, pragun e paaftësisë morale, nëse ecën gjithnjë përpara apo është duke nisur një lëvizje së prapi, që kërcënon të vërë përsëri në dyshim gjithë sa janë përpjekur të ndërtojnë brezat e mëparshëm. Për Amin Maalouf-in, ky çrregullim i botës më shumë se me “një ndeshje të qytetërimeve”, ka të bëjë me shterjen e njëhershme të qytetërimeve, ose më mirë të themi, të dy prej tyre, që përfaqësohen nga Perëndimi dhe nga bota arabe. I pari për shkak se s’i qëndron besnik vlerave të veta, e dyta, sepse prej kohe ka hyrë në një qorrsokak.

Amin Maalouf (1949), shkrimtar me origjinë libaneze, që si rezultat i luftës civile në Liban, që nga viti 1975 jeton në Francë. Ndonëse gjuha e tij amtare është arabishtja, që nga ajo kohë Maalouf shkruan në frëngjisht. Vepra e tij është përkthyer në mjaft gjuhë. Në vitin 1993, u shpall fitues i çmimit Goncourt, çmimit letrar më me emër në Francë. Në vitin 2010, fitoi çmimin tjetër prestigjioz, Çmimi i Princit të Asturias për letërsinë, të fituar një vit më parë nga Ismail Kadare. Në shqip, janë përkthyer më parë dy prej veprave të tij, romani “Samarkanda”, dhe eseja “Identitete vrastare”.

Autori: Amin Maalouf

Titulli: Çoroditja e botës

Përktheu nga frëngjishtja: Donika Omari

Botues: IDK

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›