Rilindasin Hasan Tahsini, 130-vjetori e gjen pa varr
Në sallën “Aleks Buda” tek Akademia e Shkencave u organizua sesioni përkujtimor, me rastin e 130-vjetorit të vdekjes së Hasan Tahsinit (1812 – 1881). 130 vjet nga vdekja e rilindasit dhe filozofit Hoxhë Hasan Tahsini, ende nuk dihet vendi se ku prehet trupi i tij. Në këtë përvjetor shoqata shqiptaro-turke, risolli në kujtesën e të gjithëve vlerat e kësaj figure, por edhe të bëjë një thirrje për gjetjen e varrit të tij. Në këtë veprimtari ligjëruan studiues të njohur shqiptarë, të cilët hodhën dritë mbi rolin e Hasan Tahsinit si dekan i rilindësve shqiptarë, si dhe mbi kontributin e tij në fushën e astronomisë, psikologjisë, filozofisë dhe gjuhësisë. Sesioni përkujtimor u organizua nga Shoqata Kulturore Shqiptaro – Turke “Hasan Tahsini”, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), Qendra Kulturore Turke “Yunus Emre” dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Sipas kryetarit të shoqatës Ibrahim Hoxha, Hasan Tahsini ishte njeriu që nxiti atdhetarët shqiptarë të vepronin për çështjen kombëtare, deri në arritjen e pavarësisë. Hasan Tahsini ishte ndërkohë edhe një nga mendjet më të ndritura të diasporës shqiptare, por edhe të Stambollit të shekullit të 19-të. Shkencëtar dhe filozof, ai u bë rektori i parë i Universitetit të Stambollit ku studiuan edhe rilindasit që erdhën pas tij.