Oficeri i RENEA-s rrezikon jetën për të shpëtuar të revoltuarin për pronat
Tiranë Për më shumë se dy orë, kryeqyteti mbajti frymën pezull, pas kërcënimit të një 57- vjeçari për t’u hedhur nga një shtyllë elektrike, 30 metra e lartë, në rast se nuk i zgjidhej problemi i pronave. Revolta e 57-vjeçarit Çaush Isaraj kaloi pa pasoja për të, por jo për efektivin e RENEA-s, 43-vjeçarin Ardian Dibra, i cili humbi kontrollin dhe ra nga shtylla, në një lartësi prej 7 metrash. Historia nisi rreth orës 08:30 të mëngjesit të djeshëm, kur Çaush Isaraj, i ardhur në Tiranë vite më parë nga fshati Picar i Gjirokastrës, hipi në majën e një prej shtyllave elektrike që ndodhen në rrugën “Don Bosko”, duke kërcënuar se do të hidhej, në rast se nuk i zgjidheshin problemet që ai kishte me pronat në Gjirokastër. Nga ajo që Isaraj thoshte gjatë kohës që ndodhej mbi shtyllë, disa persona i kishin grabitur pronat e tij në Gjirokastër. Situata u bë alarmante, pasi 57-vjeçari herë pas here bëhej gati të hidhej. Kanë qenë banorët e zonës ata që njoftuan forcat e policisë për atë që po ndodhte në zonën e tyre. Kaq është dashur që vendi të rrethohej nga agjentë të shumtë, të cilët nisën negociatat me Isarajn, për ta bindur atë të zbriste në tokë. Nga ana e saj, Policia e Tiranës kërkoi ndërprerjen e energjisë në të gjithë zonën për shkak se shtylla e tensionit të lartë ishte një rrezik më vete për 57-vjeçarin Isaraj. Përveç forcave të shumta të policisë, në vendngjarje mbërritën dhe ambulancat dhe makinat e zjarrfikësve, të cilat me anë të shkallëve të tyre do të bënin të mundur zbritjen e Isarajt. Ka qenë zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Dorian Muçaj, i cili ka negociuar fillimisht me Çaush Isarajn për të zbritur, por ky i fundit e ka refuzuar. Duke parë që situata po rëndohej nga momenti në moment, janë thirrur për ndihmë efektivët e forcave RENEA, të cilët janë të specializuar për situata të tilla negociimi. Një grup negociatorësh u munduan të bindnin 57-vjeçarin të zbriste nga shtylla, por pa sukses. Në këto kushte, në kohën kur grupi i negociatorëve kanë qenë duke komunikuar me Isarajn, 3 efektivë të RENEA-s kanë hipur në shtyllë, pa mjete mbrojtëse dhe pa u vënë re nga 57-vjeçari. Menjëherë, efektivët e RENEA-s arritën ta neutralizonin Isarajn, i cili edhe pse i bllokuar nga këmbët, ka tentuar të lirohet prej duarve të efektivëve të RENEA-s dhe të hidhej. Në këtë kohë, 57-vjeçari humbi pjesërisht ndjenjat dhe zbritja e tij u bë e vështirë. Për të bërë të mundur zbritjen e tij, në ndihmë i erdhi një prej makinave të Elektrikut, brenda koshit të së cilës gjendej një tjetër efektiv i RENEA-s. Pas disa përpjekësh, më në fund u bë e mundur hipja e Isarajit në kosh dhe zbritja e tij, i shoqëruar nga dy efektivë specialë. Kur dukej se gjithçka kishte përfunduar me sukses dhe kur njerëzit kureshtarë, të mbledhur rreth vendit të ngjarjes, nisën të duartrokisnin, efektivi i RENA-s Ardian Dibra humbi kontrollin dhe ra nga një lartësi prej rreth 7 metrash, duke u përplasur me kokë në asfalt dhe duke humbur ndjenjat. Menjëherë forcat e policisë i erdhën në ndihmë kolegut të tyre, duke e nisur atë në drejtim të Spitalit Ushtarak për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore. Sipas ekzaminimeve të para, 43-vjeçari Dibra ka pësuar dëmtime në kokë dhe në mushkëri, por fatmirësisht nuk ka pasur fraktura. Ndërkohë, 57-vjeçari Isaraj është dërguar në Spitalin Psikiatrik në Tiranë për t’iu nënshtruar dhe ai kontrolleve mjekësore.
2 Orë zgjati situata e krijuar, pas tentativave për t’u hedhur nga shtylla e tensionit të lartë e 57-vjeçarit Çaush Isaraj. Punonjës policie dhe forca të RENEA-s realizuan operacionin për shpëtimin e tij
7 Metra ishte lartësia prej nga ra oficeri i RENEA-s dhe një nga polumbarët më të mirë të saj, Ardian Dibra, duke pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe në mushkëri. Gjendja e tij mbahet nën kontroll nga mjekët
Mjeku kirurg: Gjendja e efektivit
të RENEA-s, ende në rrezik
Gjatë përplasjes me tokën, Ardian Dibra ka pësuar dëmtime në kokë, ku ka edhe mpiksje gjaku. Për këtë arsye, ai mbahet nën vëzhgim mjekësor
Vetëm pak minuta pas ekzaminimeve të para, të kryera ndaj efektivit të RENEA-s, Ardian Dibra, mjeku kirurg Ali Lila ka bërë të ditur gjendjen e pacientit. Sipas tij, Dibra ka pësuar dëmtime në kokë, më konkretisht është vërejtur një shembje e trurit si dhe disa mpiksje gjaku. Edhe në mushkëri, në anën e majtë, është vërejtur një sasi e vogël ajri, e cila sipas mjekut nuk përbën problem, pasi nëse ajo shtohet, mund të ndërhyhet dhe të nxirret ajri. Nga verifikimet e kryera rezulton se nuk ka pasur dëmtime në shtyllën kurrizore dhe as në pjesën e jashtme të kokës, por vetëm një shembje e lehtë në shpatullën e majtë, pasi në momentin e rënies Dibra ka amortizuar goditjen me anë të shpatullës. Sipas mjekut Lila, situata e pacientit është e rrezikshme për shkak të dëmtimeve që ka marrë në kokë, pasi nuk dihet sesi mund të ndryshojë situata. Për këtë arsye, ai do të mbahet 24-48 orë në reanimacion, nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekëve.
Edhe gjatë orëve të pasdites, gjendja shëndetësore e Dibrës ka qenë e njëjtë. Gjatë një komunikimi telefonik me mjekun Ali Lila, ky i fundit ka konfirmuar se situata vazhdon të mbahet nën kontroll. “Pacienti është i vetëdijshëm dhe përgjigjet në rast se i drejton pyetje. Por herë pas here ka shqetësime dhe dhimbje të kokës. Për këtë arsye, ai do të mbahet në kontroll të rreptë”- deklaroi mjeku Lila. I pyetur në lidhje me një ndërhyrje të mundshme kirurgjikale, mjeku ka deklaruar se deri më tani nuk paraqitet situata e rënduar për të kryer një ndërhyrje, pasi mpiksjet e gjakut në kokë mund të kalojnë me mjekimet që është duke marrë Dibra. Por sërish ai shton se është ende herët për të folur që efektivi i RENEA-s është jashtë rrezikut për jetën.
Ankth te Ushtaraku për shëndetin e Dibrës
Menjëherë pas mbërritjes së Ardian Dibrës në urgjencën e Spitalit Ushtarak, efektivë të shumtë policie mbërritën aty për t’u interesuar në lidhje me shëndetin e kolegut të tyre. Përveç kolegëve të RENEA-s, ku mes tyre kishte dhe nga ata që kishin ardhur me shapka shtëpie dhe me rroba gjumi, ishin dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët të alarmuar nga ajo që kishin parë mbërritën me urgjencë në spital. Të pranishëm në Spital ishin dhe familjarët e Dibrës, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij, të cilët me lot në sy shpresonin që gjithçka të shkonte mirë. Por ata, si edhe kolegët e Ardian Dibrës, u qetësuan disi kur panë që ky i fundit ishte duke ecur në këmbë në drejtim të pavijonit te Reanimacionit, ku do të qëndrojë gjatë 24 orëve të ardhshme nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekëve. Ardian Dibra është një prej efektivëve më të përgatitur të forcave RENEA. I njohur ndryshe me nofkën “Gozhda”, Dibra ka marr pjesë në një numër të madh operacionesh për arrestimin e personazheve më të njohur të botës së krimit.