Zbulohet porta e gurtë 2700-vjeçare
Gjatë gërmimeve në Karnak, pranë Luxorit, në Egjiptin e Epërm, një grup arkeologësh egjiptianë dhe francezë zbuluan një pllakë guri në formë porte, të vjetër 2700 vjet, që daton nga koha e mbretit nubian Shabaka, bëri të ditur Ministria egjiptiane për Vepra Antike.
''Porta, që duket të jetë në gjendje të mirë, u dërgua menjëherë në sallën e thesarit mbretëror'', theksoi ministria në kumtesën e saj.
''Vizatimet me ngjyra në portë shfaqin mbretin Shabaka, perëndeshën e së vërtetës Maat dhe hyjninë supreme, Amon Ra'', sqaroi ministria.
"Është kjo hera e parë që gjendet një objekt i dinastisë XXV i cili nuk është shkatërruar nga dinastia XXVI", pohoi Barak Mansour, nga qendra franko-egjiptiane për studimin e tempujve në Karnak.
Ekipi ka zbuluar edhe një mur guri në Karnak, i cili e rrethon tempullin e Ptahut, zotit të qytetit të Memphis.
"Kjo dëshmon se tempujt në Karnak ende kanë shumë sekrete për t’u zbuluar gjatë viteve të ardhshme", tha arkeologu francez, Dominique Valbelle.