E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri që ndryshoi Gjermaninë

Në një shesh në Danzika, te një pllakë prej bronzi, qëndron i ulur Oskar Matzerath, shkurtabiqi me daullen e tij prej teneqeje me ngjyrë të bardhë e të kuqe, e cila 50 vjet më parë ndryshoi letërsinë gjermane dhe mënyrën se si e shikonin të kaluarën e tyre gjermanët. Në të djathtë të tij qëndronte ulur me mustaqet e shpupuritura, çibukun në gojë dhe pamje të heshtur, "krijuesi" i tij dhe qytetari i nderit të Danzikës, Gunter Gras. Por, shkrimtari ishte rebeluar ndaj këtij monumenti që kishin vendosur t‘i ndërtonin ndërsa ishte ende gjallë, ashtu siç ndalon çdo njeri të flasë për "bilancin" e jetës së tij letrare kur ende jeton. "Kam akoma disa projekte të tjera", tregon ai. Kryetarit të Bashkisë së Danzikës i kishte sugjeruar që më mirë t‘i shpenzonte ato para për të ndërtuar banjat të cilat mungojnë në shtëpitë popullore, se sa për një monument bronzi. Në mënyrë paradoksale, qyteti i tij i lindjes- që sot quhet Gadnsk dhe jo më Danzig, polak dhe jo më edhe gjerman -të cilin ai u detyrua ta braktiste pas luftës së dashur prej Hitlerit, është ndoshta i vetmi që e ka mbrojtur në mënyrë të pakushtëzuar. Ndërsa gjermanët nuk arrijnë akoma ta falin autorin e "Daullja prej teneqeje"- që për shumë vite kishte përhapur ngado të vërteta të hidhura -se pati thënë me zë të lartë në një nga librat e tij të fundit, "Duke qëruar qepën", që në moshën 16-vjeçare, në muajt e fundit të luftës, kishte qenë vullnetar i "Waffen SS" (edhe pse kanë emra të njëjtë, duhet thënë se ishte shumë ndryshe nga SS e famshme që kishte kryer në Evropë krimet e tmerrshme). Nga ana tjetër, askush në këta 50 vjet nuk ka kontribuar në pajtimin mes polakëve dhe gjermanëve më shumë se sa shkrimtari gjerman. Ai, pasi u largua nga Danzika, u shndërrua në Gjermaninë Perëndimore për gjysmën e gjermanëve si simboli i kombit të tij dhe për gjysmën tjetër të tyre si një njeri që tradhton kombin, vendin e tij, përveçse një shkrimtar i neveritshëm. Bissau, Kaschubei, sot është bërë Bysewo, periferi e Danzikës. Gras nisi të fliste qysh 50 vjet më parë "për atë që kishte humbur". "Daullja prej teneqeje", tregon ai, "është një përpjekje për të fiksuar një pjesë të atdheut të humbur përgjithmonë". Kuptohet se atdheu aty do të jetë për të vetëm dhe gjithmonë "Heimat", vendi i lindjes, rrugët e fëmijërisë, jo "Vaterland", një fjalë që asnjë gjerman nuk mund ta shqiptonte pas luftës. Gras nuk donte ta zinte në gojë as në ditët euforike të unifikimit, e si gjithmonë guxoi të shkonte kundër rrymës. Për të, kombi gjerman ngelej ai komb kulturor që e kishte dashur dhe kultivuar gjithmonë, duke mbajtur gjatë viteve të Luftës së Ftohtë raportet me shkrimtarët e Gjermanisë tjetër, përveç asaj të "Stasit"; dhe jo kombi politik që ishte njollosur me krime të turpshme. Romani doli në vitin 1959, por disa muaj më parë shkrimtari 30-vjeçar kishte lexuar kapitullin e parë dhe të 34-in përpara "Grupit 47", dhe menjëherë e kishte kuptuar se ai roman do të ndryshonte letërsinë gjermane. Ai ishte përgjigjja e të gjithë atyre që pyesnin përse pas Luftës së Dytë Botërore, pas shkatërrimeve dhe gërvishtjeve që kishin lënë shenjë në historinë e një populli, ndër më të civilizuarit në tokë, nuk kishte akoma një roman që të ishte i barabartë me traditën letrare gjermane. "Daullja prej teneqeje" ishte përgjigjja e kësaj dhe nga gjithë përgjigjet që u dhanë më vonë me kalimin e viteve, mbeti më e rëndësishmja. Për gjermanët ishte njëlloj sikur dikush papritur kishte thyer murin dhe ajri kishte hyrë në një dhomë që për shumë kohë ishte mbajtur mbyllur. Ky roman burlesk, mbi vitet më të errëta të historisë gjermane, ishte si një pasqyrë ku gjermanët panë reflekset, një pasqyrë që i lejonte të perceptonin të ardhmen si diçka tjetër, diçka të huaj dhe në të njëjtën kohë shumë të qartë për të njohur tiparet e tyre. "Daullja prej teneqeje" rrëzoi gjithçka që deri atëherë ishte thënë në gjuhën gjermane dhe me një furi anarkike, forcë dhe fantazi të jashtëzakonshme, duke dhënë një imazh epik të së kaluarës gjermane. Ai ishte libri i kohës së pas luftës, që pati një sukses të jashtëzakonshëm në gjithë botën. Me një goditje të vetme, Gras i kishte dhënë rezonancë Gjermanisë, që ishte zhdukur nga lidhja e vendeve qytetare. Gjermania ka qenë gjithmonë vendi ku shkrimtari i ka rënë daulles. Dhjetë vjet më pas doli në qarkullim "Ditari i një kërmilli", kujtimet personale të një fushate të humbur elektorale në krah të Villy Brandt. Gunter Gras, që e mbështeti shumë Vili Brandtin, më vonë nuk nguroi ta kritikonte. Duke analizuar ato vite, krijohet përshtypja se si shkrimtari Gras, në një moment të caktuar, u gjend përpara një dileme: t‘i afrohej avangardës eksperimentale evropiane, apo të merrej me politikë edhe si shkrimtar. Ai vendosi të zgjedhë këtë të dytën. Çmimi "Nobel" që ju dorëzua në vitin 1999 në Gjermani pati thuajse efektin e një pajtimi, meqenëse ai urrehej shumë nga një pjesë e mirë e gjermanëve. Gerard Shrëder foli për "poshtërimet dhe fyerjet me të cilat ishte përballur shkrimtari". Ai mbeti i njëjtë dhe nuk ndryshoi edhe kur deklaroi se në moshën 17-vjeçare kishte qenë pjesë e "Waffen SS": një figurë publike me rezistencë dhe kokëfortësi heroike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›