E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Rusvelti, tek Obama 100 ditët për të kapërcyer krizën

Frenklin D. Rusvelti ishte një njeri kurajoz dhe optimist. Kur ishte adoleshent, çdo dimër lundronte me një "iceboat" (varkë me vela e patina, të cilën ia kishte dhuruar e ëma) mbi lumin e ngrirë të Hadsonit. E shihte nga dritaret e shtëpisë mes pemëve, në mëngjeset më të ftohta të shekullit XX, e më pas zbriste për "ta sfiduar". "E vetmja gjë për të cilën duhet të kemi frikë, është frika vetë", do të thoshte më vonë, duke u betuar si Presidenti i 32-të i Shteteve të Bashkuara, por këtë herë nuk e kishte fjalën për lumin e ngrirë, por për demokracinë e vendit të tij. Kjo shprehje do të bëhet më e famshmja e të gjitha kohërave, edhe pse në atë kohë pothuajse askush nuk e duartrokiti në shkallët e selisë së Kongresit dhe pak gazeta e përmendën këtë frazë. Sot, kjo shprehje është kthyer në modë. Barak Obama e ka studiuar mirë dhe që kur kriza ekonomike ka filluar të krahasohet me Depresionin e Madh, Rusvelti është shndërruar në hajmalinë e tij, është shembull modeli për të ndjekur pikë për pikë 100 ditët në Shtëpinë e Bardhë. Që në fillim të tetorit (në vitin 2008), gjatë fushatës elektorale, kur frika për rënien e financave filloi të shtohej, teksa mbante një fjalim në Ohio e duke cituar fjalët e Rusveltit, tha: "Nuk është momenti i panikut, por koha për të zgjidhur problemet dhe për të pasur besim". Në vitin 1933, gjatë Depresionit të Madh, duhej shumë kurajë për t‘u bërë President, madje më shumë sesa sot: mëngjesin e të shtunës, më 4 mars, pak orë para ceremonisë për marrjen e detyrës, Rusvelti mori lajmin se guvernatorët e Ilinoisit, Nju Jorkut dhe Pensilvanisë, kishin urdhëruar mbylljen e të gjitha bankave të vendeve të tyre për një kohë të papërcaktuar, pasi kishin falimentuar 4 mijë të tilla. Papunësia e kalonte 25 për qindëshin; që nga 1929-ta bursa kishte rënë me 75 për qind; uria dhe varfëria kishin përfshirë fshatrat e qytetet dhe ishte trefishuar numri i vetëvrasjeve. Por Rusvelti u shfaq para Kapitolit të Uashingtonit dhe tha se njerëzit nuk duhej të trembeshin. Për 100 ditë e mblodhi Kongresin në seanca të jashtëzakonshme dhe nga 5 marsi e deri më 16 qershor u morën dhe u vunë në zbatim një sërë masash emergjente që ndryshuan historinë dhe fytyrën e Amerikës. Fjalimin për inaugurimin e shkroi prej më pak se katër orësh, mëngjesin e të hënës, më 27 shkurt të vitit 1933, në shtëpinë e Hidi Park, që ndodhej pranë lumit Hadson, ku kishte lindur e ishte rritur. Në këtë shtëpi, mes pyjeve dhe borës, ndodhet edhe biblioteka presidenciale. Duhet të shkosh aty për të kujtuar punën e mrekullueshme që një President ka bërë ndonjëherë në historinë amerikane dhe për të kuptuar se çfarë do të bëjë Barak Obama. Në atë shtëpi janë ekspozuar dokumentet, letrat, librat dhe sendet e atij rrugëtimi kundër kohës dhe frikës, që janë 100 ditët e Frenklin D. Rusveltit.

"Duhet reaguar, madje sa më shpejt të jetë e mundur", përsëriti në çdo fjalim Obama, por shprehja që ai përdor është një nga të shumtat që i ka "vjedhur" Rusveltit, ashtu sikurse edhe slogani: "Objektivi ynë është që të ripunësojmë njerëzit". Më pas shton një frazë nga zonat rurale të Amerikës, "shovel ready", "me lopatë në dorë", për të treguar që është gati t‘i futet punës.

Përgjatë gjithë stinës së vjeshtës, mbi tavolinën e punës së Presidentit të parë zezak gjendej një libër i gazetarit Jonathan Alter, që titullohet "The Defining Moment" ("Momenti i vështirë") dhe tregon tre muajt e parë të presidencës së Rusveltit dhe "triumfin e shpresës". Fraza "defining moment" ("momenti i vështirë") i ka pëlqyer aq shumë, saqë e ka përdorur edhe në fjalimin e fitores në Çikago, kur tha se "ndryshimi mbërriti në Amerikë". Obama i ka lexuar dhe rilexuar 400 faqet e librit për të kuptuar fillimisht sesi ia bëri Rusvelti të komunikonte me qytetarët, t‘u shpjegonte se çfarë po ndodhte dhe t‘i bindte për të rigjetur besimin. Rusvelti hyri në shtëpitë e 60 milionë amerikanëve falë radios: të dielën në darkë fliste për gjysmë ore, duke shpjeguar dhe siguruar se gjithçka do të rregullohej. Kasetat me zërin e tij janë regjistruar dhe ruhen në bibliotekën e Hidi Park. Rusvelti kishte ton të butë, një stil intim dhe informal, ishte didaktik, i thjeshtë dhe shpjegonte çdo fjalë. Edhe Obama i ka dëgjuar këto kaseta, ka studiuar çdo detaj të zërit, për të gjetur sekretin e qetësimit të popullit që është në ankth. Tani Obama thotë se me fjalimin e tij për marrjen e detyrës së re dëshiron të shpjegojë në mënyrën më të ndershme se cila është situata dhe cilat janë idetë më të mira për të kapërcyer sfidën. Rusvelti eksperimentoi shumë shpëtime, jo të gjitha funksionuan, por sforcoja ishte shumë e madhe: risolli qetësinë në sistemin bankar, caktoi 3 milionë të rinj të mbillnin pemë, të ndërtonin parqe dhe hapësira mbrojtëse, u dha hua një milionë personave që rrezikonin të humbitnin shtëpinë ose tokën, rishkroi rregullat e financës dhe hartoi planin më të madh të punëve publike të historisë, duke financuar 270 mijë projekte në të gjithë Amerikën. Ndërtoi ura, rrugë, diga dhe centrale elektrike, duke punësuar dy milionë e gjysmë njerëz. Dërgoi fotografë në çdo cep të vendit për të fotografuar dëshpërimin dhe për të lënë një dokument historik të Depresionit të Madh. Edhe Obama mendon se është një moment i veçantë. Vetëm shteti mund të japë shtytjen e nevojshme për të dalë nga një krizë kaq e thellë, ndaj i ka kërkuar Kongresit të aprovojë një plan prej 800 miliardë dollarësh për t‘i dhënë një hov të ri ekonomisë. Për këtë arsye, edhe Obama dëshiron të ndërtojë ura, rrugë dhe shkolla, duke u mbështetur te burimet e reja energjetike, duke ribërë rregullat në "Wall Street". Qëllimi? Për të rikthyer shpresën. Për të bërë për vete qytetarët dhe për të ndryshuar ndjenjën e tyre, Barak Obama mendon të përdorë të gjitha teknikat që ka eksperimentuar në fushatën elektorale: radio, televizor dhe internet, për të informuar vazhdimisht amerikanët sesi po i shpenzon paratë, duke u thënë numrin e saktë të shkollave në rikonstruktim apo vendeve të lira të punës. Dëshiron të komunikojë vazhdimisht 11 milionë qytetarë, duke shkëmbyer me ta e-mail, ashtu siç bëri gjatë fushatës elektorale. Rusvelti, pas fjalimeve radiofonike, filloi të merrte 50 mijë letra në javë, 10 herë në shumë sesa paraardhësi i tij, por Huver kishte vetëm një sekretar për t‘ju përgjigjur korrespondencës, ndërsa Rusvelti caktoi një skuadër prej 50 personash që të merrej me postën. Shtëpia e Bardhë u pushtua nga letrat zyrtare dhe telegramet, por Rusvelti e kuptoi menjëherë se mesazhi për të qenë sa më bindës nuk mund të përsëritej vazhdimisht, sepse në të kundërt do të humbiste forca e tij. Obama është i bindur për të kundërtën, se komunikimi është një armë e fortë dhe për këtë mbush çdo hapësirë të mundshme me mesazhet e tij. Njëqind ditët e Obamës do të përfundojnë më 30 prill, por ai preferon të gjykohet vetëm për 100 ditët e para. Në fund të 100 ditëve të Rusveltit, Depresioni i Madh nuk ishte zhdukur, kriza vazhdoi gjatë gjithë dekadës, por papunësia ra me 11 pikë. Presidenti demokratik, që u rizgjodh për katër mandate, kishte arritur të mbante më këmbë demokracinë dhe mbi të gjitha t‘u kthente shpresën amerikanëve. Më 16 qershor, kur 100 ditët speciale të Rusveltit përfunduan, ai shkoi me pushime. Me një kapele të bardhë në kokë, hipi në një varkë të vogël me vela dhe lundroi deri në Kanada, ku familja kishte një shtëpizë të vogël për të kaluar pushimet. Nuk ishte kthyer kurrë në atë shtëpi që prej 1921-shit, vit ky kur ishte sëmurë me poliomielit. Por atë verë kishte gjetur kurajën, pasi mundi frikën e Amerikës dhe të tijën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›