Licencohen APIK dhe VAPIK
U konsiderua hap shumë i rëndësishëm, madje edhe historik. Marrja e licencës nga Zyra për të Drejtën e Autorit më së shumti i gëzoi kompozitorin Florent Boshnjaku dhe aktorin dhe producentin Blerim Gjoci. Të dy licencat i morën nga ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, i cili po ashtu dukej i gëzuar. I pari ishte në cilësinë e përfaqësuesit të shoqatës për administrim kolektiv të së drejtës së autorit për fushën e muzikës (APIK), ndërsa i dyti për fushën audio-vizuele (VAPIK).
Duke u uruar atyre punë të mbarë, ministri Krasniqi shfaqi bindjen se një shembull të tillë do ta ndjekin edhe krijues të fushave të tjera që përfshihen në të drejtën e autorit. Ai tha se licencimi i këtyre shoqatave përben një hap të rëndësishëm për Kosovën, pasi, siç u shpreh, kjo po ndodh për herë të parë pas më shumë se 20 vjetëve. “Është një hap ndoshta i vonuar, por na vjen mirë që me një angazhim të madh të zyrës për të drejtën e autorit dhe dy shoqatave të para për administrim kolektiv, kemi arritur të lëvizim gjërat nga vendi. Sot janë licencuar për herë të parë dy shoqata për administrim kolektiv të së drejtës së autorit. Ne do të jemi një qind për qind të përkushtuar për të shtyrë këtë proces përpara, sepse u nevojitet autorëve, shoqërisë në përgjithësi dhe e afron Kosovën me standardet evropiane, sepse kjo fushë është një nga kriteret në rrugën tonë drejt integrimit europian”, tha ministri Krasniqi, duke paralajmëruar hapa të tjerë të rëndësishëm në funksion të mbrojtjes më të mirë të krijimtarisë origjinale.
Ndërkaq, duke folur rreth Strategjisë kundër falsifikimit dhe piraterisë, Krasniqi u shpreh se strategjia është në përfundim dhe shtoi se gjatë muajit gusht do të jetë e gatshme.
“Ne kemi pasur disa takime, të udhëhequr nga Zyra për të Drejtën e Autorit dhe me ndihmën e çmuar të ekspertëve sllovenë, por edhe ekspertëve nga shtete tjera, ne besojmë se jo më larg së gjatë muajit gusht do ta kemi strategjinë të gatshme për të filluar implementimin e saj”, tha ministri Krasniqi.
Për Florent Boshnjakun, kompozitor dhe përfaqësues nga shoqata APIK, që administron të drejtat në fushën e muzikës, marrja e kësaj licence nuk ka qenë një punë e lehtë.
“Ka qenë një punë jo e lehtë që të mbërrijmë deri këtu. Ka qenë një punë e madhe deri në këtë moment nga Zyra për të Drejtën e Autorit. Fatmirësisht jemi në një ditë shumë me rendësi për të gjithë autorët në fushën e muzikës dhe, prej sot nis një obligim më i madh i të gjithë neve dhe ne shpresojmë se do të hasim në mirëkuptim me shfrytëzuesit e muzikës dhe për një kohë të shkurtër do të jemi shtet shembull në rajon”, tha ai.
Ndërkaq, Blerim Gjoci, përfaqësues i VAPIK-ut, marrjen e kësaj licence e konsideroi vendim historik. “Është më të vërtet vendim historik. Është shumë për t’u gëzuar fakti se më në fund u krijua edhe infrastruktura ligjore për diç të tillë dhe ngadalë po fillojnë të implementohen të drejtat e shumëkërkuara të autorëve dhe kështu po përfundon vakuumi ligjor dhe shfrytëzimi i padrejtë i veprave artistike”, tha Gjoci për Express.
Duke folur për hapat që do të ndërmerren pas marrjes së licencës, Gjoci tha se e kanë biznes planin e aprovuar dhe menjëherë do të fillojnë implementimin e tij dhe konsolidimin e radhëve.