E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liderë të karfosur, “barngrënës” të mllefosur

Për fat të keq, edhe në demokraci, qytetarët e zakontë vazhdojnë të konsiderohen si barngrënës, si ca kafshë ripërtypëse të politikës, njëlloj si në diktaturë kur paracaktohej nga prijësi se kush do të ishte armiku i radhës i cili më pas me hyrjabyrja “në emër të popullit” do të dënohej me: “Në litar, në litar!” Njëlloj si atëbotë kur partia dhe udhëheqësi i karfosur na “edukonin” me “bindje” që Jugosllavia e Titos, BS-ja e Hrushovit apo Kina e Maos fillimisht ishin vëllezër e miq me kokë e pastaj, papritur e pakujtuar shpalleshin armiq të përbetuar. Edhe sot, kur na thuhet p.sh që turqit i kemi “vëllezër të një gjaku”, që përsëri jemi të parët për nga mirëqenia e lumturia, apo kur filani cilësohet publikisht kriminel, hajdut, vrasës, horr, lavire, kartel ndërkombëtar i drogës, mafioz, klan i Zemunit, agjent serb, grek, etj. E kur pas ca kohësh për të njëjtit thuhet e kundërta, përsëri u dashka të pajtohemi në heshtje e madje edhe të besojmë, d.m.th të rifillojmë ripërtypjen e politikës si buajt, si lopët e si bagëtia para grazhdit.
Është e vërtetë: Pas shembjes së diktaturës, pronarët e partive e të politikës, - liderët si quhen sot, - kanë ndryshuar (mos më saktë duhet thënë: “Janë zëvendësuar”?), po pyetja që ia vlen t’i bëhet vetes është: A ka ndryshuar populli, d.m.th a jemi demokratizuar, qartësuar, ndërgjegjësuar apo mos kemi mbetur për arsye të mosarsyes po ata qytetarë të “formave të edukimit”, të destinuar e të stërvitur për të kapërdirë me çdo kusht e me çdo çmim “edhe bar”, edhe helm, edhe bajga po të na e kërkojë këtë përçori i kopesë? A jemi pra ne asish qytetarësh të viteve të para të demokracisë kur një partie i jepnim edhe ¾ e votave, një shumicë absolute prej bindjes se “të rinjtë e demokracisë” janë krejt ndryshe nga byroistët e djeshëm të diktaturës meqë na premtojnë aq bujarisht demokraci dhe liri? Shkurt: A po e hamë përsëri “barin” e miut? Ka ardhur koha ta vrasim mendjen për këto pyetje, prej të cilave varet e ardhmja jonë.
***
Derisa në zgjedhjet e fundit është rritur abstenimi dhe asnjë partie nuk i jepet më shumë se 50% e votave, do të thotë që një pjesë e mirë e qytetarëve kanë filluar ta peshojnë e vlerësojnë votën, të mos e hanë propagandën dhe karizmën pa e përtypur. Por, fakti që liderët nuk kanë ndryshuar me votë, duke mbetur për mbi 20 vjet të vetmit të pazëvendësueshëm në Ballkan, duke i shtuar kësaj edhe monopolin dypartiak, tregon jo vetëm pafuqinë e votës tonë popullore për të sjellë një ndryshim rrënjësor të cilësisë së demokracisë, por edhe se mendësia e drejtimit dhe qasja e krerëve ndaj opinionit publik dhe halleve të shoqërisë ka mbetur thuajse e pandryshuar, inerte.
Një vështrim sipërfaqësor i mënyrës se si sillen me opinionin publik krerët e sotëm tregon që edhe këta, njëlloj si “të lavdishmit” e diktaturës, janë të bindur që pas ekranit gjenden ca enë bosh me sy e veshë që mund të mbushen me tallash elektoral, me banderola dhe fishekzjarre, me premtime të gënjeshtërta e me ca hi syve. Ata besojnë se shumica prej nesh, ose më së paku “elektorati i tyre” (si quhen sot: Militantët e partisë), janë të prirur dhe të detyruar (për shkak se nuk kanë tjetër zgjidhje e zgjedhje!) të hanë me qejf sapunin për djathë duke dhënë jo vetëm votën, por duke kryer edhe rolin e tellall-mercenarit, i cili nuk e ka për marre, përkundrazi, e ka për nder të manipulojë, të mashtrojë, të dehet me gotën e zbrazët, madje edhe të vjedhë vota. Veçanërisht dy krerëve të partive të mëdha, kjo ushtri trushkulurish u jep siguri e garanci që edhe pa fushatë më e pakta shifër që mund të kapin do të jetë rrotull e 30%-it. A nuk ndodhi kështu me Berishën në vitin 1997?
Është pikërisht kjo megalomani prej rinoceronti që stimulon arrogancën, papërgjegjshmërinë dhe harbutërinë e tyre të pafre. Media, e cila vazhdon të mbajë në epiqendër të vëmendjes krerët e vetëngopur dhe jo qytetarin e bathorizuar, e ka provuar se është thuajse e pafuqishme të ndërhyjë e të vendosë ekuilibër, arsye, drejtpeshim dhe normalitet mes qytetarit dhe liderit, mes mashtrimit dhe së vërtetës, mes opinionit publik dhe parisë, mes djersës së ndershme dhe korrupsionit. Në një shoqëri ku skandali i krerëve të lartë të shtetit e të partive nuk quhet skandal, por meritë nuk mund të ketë as drejtësi, as barazi, as liri dhe as zgjedhje të lira e të ndershme. Demokracia transformohet në një çark të mbyllur prej nga mund të dalë i fituar vetëm i paudhi, i paturpshmi, mafiozi e më i forti!
Me një kapar të tillë elektoral, krerët tanë të karfosur besojnë se pjesa tjetër e përqindjes që do t’u lipset për të ardhur në pushtet nuk varet dhe aq nga programet, platformat, fjalimet, premtimet, morali, mbajtja e premtimeve, apo n’daç edhe nga shpenzimet marramendëse të fushatave duke bindur zonën gri të elektoratit të zhgënjyer që nuk vendos dot e abstenon, po nga mbështetja e ndërkombëtarëve, sidomos e SHBA-ve. Kështu, sa për të dhënë një shembull, për të më shumë se opinioni i këtushëm vlejnë qokat prej qehajajsh e thuajse të gjithë krerëve ditët e fundit në SHBA, ndërsa qëndrimi ndaj 21 janarit, pazari i shëmtuar për zgjedhjen e Presidentit, dreka e Krokodilit, apo së fundi edhe “ngjala” e Gjirit të Lalëzit, për ta janë “letra pa vlerë”. Këto shembuj provojnë që krerët tanë nuk e çajnë fort kokën ç’mendojmë ne për ta, nëse a kanë apo nuk kanë moral, nëse janë apo jo koherentë, të përgjegjshëm e konsekuentë para opinionit publik, por si do t’i shikojë e i gjykojë trojka e ndërkombëtarëve. Kështu, thëniet pas 21 janarit e ambasadorit Arvizu për Berishën se ai është “burrë shteti” dhe “yll në ngjitje” për Bashën, pas “emërimit” të tij në krye të Bashkisë së Tiranës patën “vlerë” dhe peshë ku e ku më të madhe se të gjitha debatet e gjykimet e opinionit publik shqiptar mbi dhe nën rrogoz. E pra, nëse ambasadori Arvizu do të sjellë emrin e Presidentit të ri një natë para votimit në Kuvend, jo me sms e me zarf, po me figurë e zë a do të kundërshtojnë krerët tanë që të japin, që në raundin e parë, mbi 84 vota?
E megjithatë koha e kryetarëve narcisë që kujtojnë se do t’i ndjekë pas historia, kjo lojë e pacipë e pa rregulla kukamçefthi mbi njëzetvjeçare me kamerat, mikrofonat, fjalën dhe ndërkombëtarët, pa përfillur opinionin publik dhe gjykimin e tij, mesa duket e paska një kufi, një pikë ngopjeje, për të mos thënë edhe vdekjeje. Pikërisht në këtë “pikë” nis përsëmbari rruga e gjatë dhe e vështirë e demokracisë.
***
Zgjedhjet në Greqi e Serbi provuan që edhe në këto vende klasa politike nuk kishte pasur lidhje me popullin. Zemërimi prej një krize të pashembullt, fillimisht ekonomike e pastaj edhe politike, po përcillet me protesta të dhunshme që gjithsesi nuk japin dot një zgjidhje. Gjithsesi tanimë u bë më se e qartë se përfaqësuesit nuk i kishin shërbyer përgjegjësisë, votës, mandatit, mbrothësisë së kombit, po interesave vetjake, pasurimit nëpërmjet politikës duke e konsideruar qytetarin dhe opinionin publik si një kafshë sociale të nënshtruar, si votues të bindur e të pagdhendur, të cilët nuk mund të gjenin tjetër udhë veç të shkonin në zgjedhje si kope, si dele, pas bishtit të partisë tradicionale dhe udhëheqësit të saj, herë pas Pasokut e herë pas Demokracisë së Re. Kur thika shkoi deri në kockë, ndërgjegjësimi popullor ngjalli për habi (prej mendësisë ballkanike “për inat të sime vjehrre”), edhe parti të vdekura ekstremiste, naziste e radikale të majta, dukuri kjo e pa përfytyruar vite më parë. Kriza ekonomike kishte lindur nga kriza politike e përfaqësimit, e cila nuk dukej, sa kohë nuk kishte dalë në ekran filmi: “Thanas, shtërgo rrypin”. Brukseli dhe Washingtoni nuk kanë pse habiten si kofini pas të vjelit për “fitoret” parlamentare të nacionalizmit, populizmit, nazizmit e komunizmit e gjithfarësoj izmash radikale, dukuri që si u pa edhe në Francë, rrezik të mos mbeten raste të izoluara në rajon. A thua kjo “sëmundje” dëshpërimi mund të na infektojë edhe ne?
Në vitet e para të demokracisë, kur çmimi i bukës me vendim qeverie u rrit dhjetë herë e kur pritej reagimi i popullit, i cili asokohe edhe pa këtë rritje të çmimit vuante për bukën e gojës, një udhëheqës i lartë i asaj kohe pat thënë: Këtij populli mund t’i bësh ç’të duash e nuk reagon! Kjo kohë, ndonëse me vonesë, duhet të perëndojë sa më shpejt! E pra, kur edhe ne ta kuptojmë që nuk duhet të veprojmë e të gjykojmë si një kope, kur për çështje dhe interesa kombëtare të mos mendojmë vetëm individualisht, pra kur edhe tek ne të mbrothësohet një opinion publik i vetëdijshëm e i ndërgjegjshëm, prej të cilit të kenë frikë krerët e partive, qeveritë, kryetarët e gjykatave, deputetët, ministrat, shefat e komisariateve etj, atëherë mund të shpresohet që këtij tranzicioni të paanë e të pafund i ka ardhur ngordhja! Përndryshe, për shkak të varfërisë së tejzgjatur, lodhjes, zhgënjimit, mungesës së institucioneve të pavarura, mosbesimit një shekullor tek organet shtetërore, agoni-pafuqisë së opinionit publik e mpakjes së shpresës për t’u integruar e demokratizuar rrezik të paguajmë më shtrenjtë edhe se në vitin e mbrapshtë, 1997!
Vetëm se ndryshimin, ditën e bekuar e të shumëpritur të një demokracie funksionale, nuk mund ta sjellin e ta mundësojnë pikërisht ata që në këto njëzet vjet kanë bërë të pabërën e të pamundurën për të vrarë, gjymtuar, banalizuar, çfaktorizuar dhe shfytyruar në kët’ far’ feje opinionin publik. Kur t’ a kuptojmë këtë mund të themi: “Ditët e mira pas kësaj vijnë”.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›