E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet krra - krra

Ishte një i njohuri im, të cilit nuk mund t’ia përmend emrin pa i marrë leje, që më kërkoi takim në një nga ditët kur dy procese zhvilloheshin njëkohësisht dhe brenda Tiranës. Një grup profesorësh të universiteteve kryesore të vendit konstatonin me shqetësim degradimin e sistemit universitar dhe i kërkonin qeverisë së PD-së (të para vitit 2009) një reformim të menjëhershëm dhe të thellë. Këtë e bënin në kohën kur për herë të parë në zymtësinë e hapësirës universitare ishin shfaqur zhurmshëm disa njerëz të dyfishtë, si pa lidhje: Gjysëm gazetarë-gjysëm pasanikë, gjysëm të penës-gjysëm të parave, gjysëm publikë-gjysëm të panjohur, gjysëm injorantë-gjysëm anglishtfolës, gjysëm të çelët-gjysëm me ngjyrë të cilët thoshin se po ndërtojnë universitetet e para private në këtë vend. Mbaj mend me saktësi se si, për t’i shpëtuar rrënimit, profesorët i kërkonin qeverisë me insistim shndërrimin e universiteteve të vendit në institucione të vërteta publike dhe po me të njëjtën saktësi mbaj mend se si, në të njëjtën kohë, individët e përbërë nga “gjysmat” çirreshin me një krra-krra korbash të padurueshme, gërvishtëse, gati gati gjakosëse, duke lajmëruar kështu se po “themelonin” universitetet e para private në Shqipëri. Ndërsa të parët, profesorët, gjithmonë e më shumë paralajmëronin një betejë që po e fitonin jo ata, por qeveria. Të dytët, korbat paralajmëronin atë që një korb di të paralajmërojë me krra-krranë dhe të zezën e thellë të tij: Vdekjen. Është e vërtetë që në këtë rast paralajmëronin një vdekje tjetër, por po aq të zezë e po aq të thatë sa edhe krra-krraja: Shkatërrimin përfundimtar të standardeve dhe bashkë me to edhe të universiteteve të vërteta në Shqipëri. Zëri i të njohurit tim në telefon ishte i mekur, i pafuqishëm, sikur gjenerohej nga një distancë që më shumë se e largët dukej se vinte nga thellësitë, nga nën të. “Luftën për universitete publike të vërteta po e humbim sepse është një luftë e planifikuar për t’u fituar nga dikush tjetër”, - më tha i njohuri im kur u takuam. “Si, nga e di ti”, - gati belbëzova dhe më dukej sikur flisja me dikë që kishte ardhur përkohësisht midis njerëzve për të ndenjur aq kohë sa i duhej për bërjen e denoncimit dhe për t’u larguar me shpejtësi që të mos shihte me sytë e tij gjëmën. “Po ta them ty pasi më në fund e kuptova që s’kam kujt t’ia them tjetër”, - tha ai. Pse, kujt tjetër ia ke thënë dhe s’të ka dëgjuar, pyeta ashtu kot, çfarë më erdhi në kokë. “Ministrit, - më tha, - madje i kam çuar letër edhe Kryeministrit, madje i kam kërkuar edhe takim, madje jo vetëm një, as dy, por tri herë për t’i treguar çfarë po ndodh me këto gjasme universitete që po lindin, me këto privatet”. Sikur u lehtësova dhe e pyeta pa ditur se çfarë budallallëku po bëja: Kaq e rëndësishme është për ty se çfarë ndodh me disa kioska -universitete?! Madje vazhdova më tej duke i thënë se ne e kemi një luftë për të bërë, atë të universiteteve publike dhe nuk kemi kohë dhe as energji për beteja të vogla, periferike. “E ke gabim”, - më tha. Ata po mbjellin farën e të keqes në këtë vend dhe ç’është më e keqja, po lindin nga korrupsioni qeveritar. Kështu do ta ndërtojnë edhe të ardhmen, me korrupsion. Gjasme, universitetet do të dominojnë shumë shpejt pjesën më të madhe të hapësirës universitare dhe si qelizat kanceroze do të shumëzohen në mënyrë të pakontrolluar jo vetëm duke e infektuar, por duke i sjellë vdekjen të tërës, krejt sistemit universitar të vendit. Ndërsa ai fliste, mendja ime shkoi përsëri te korbat e te vdekja që paralajmërojnë ata. “Universitetet - korba”, - thashë.
* * *
I njohuri im ka qenë një autoritet i rëndësishëm i universitetit më të madh të vendit. Por, për fatin e tij të keq, për një kohë të shkurtër ka qenë edhe autoritet i atij universiteti privat në të cilin djali i Umberto Bossi-t ka marrë diplomën që hetohet sot nga policia italiane. U largua prej atij universiteti shumë shpejt, disa vjet më parë, sapo filloi ta njohë mirë dhe me vullnetin për ta denoncuar atë, për t’i thënë të vërtetën qeverisë së vendit të tij. Donte të denonconte gjithshka që kishte parë, gjithshka të paligjshme që provonin ta detyronin për të bërë, por shumë shpejt e kuptoi që përpjekja e tij ishte e kotë dhe përballë indiferencës së qeverisë hoqi dorë prej saj. Nëse nuk do të ishte dhënë nga mediat lajmi i diplomës së blerë te “dyqani” i universitetit “Kristal” nga i biri i politikanit italian, as unë sigurisht nuk do të isha kujtuar për të njohurin tim dhe aq më shumë, nuk do të isha ulur për të shkruar këto rreshta pas asaj lodhje të gjatë në vite shkaktuar prej shurdhërisë së kësaj qeverie. Aq më shumë që, çështja e diplomave të blera dhe universiteteve të shitura (në kuptimin që janë pa standarde), tashmë është shndërruar në një lloj epidemie edhe në kuptimin se nuk ka mbetur shqiptar në këtë vend që të mos e dijë. Gjithsesi, një situatë tjetër i ka ndryshuar gjërat, i ka bërë akoma më të shëmtuara, i ka ngritur në nivelin e një gjymtimi shtetëror. Gjendja e sistemit universitar nuk është më ashtu si do ta kishte raportuar i njohuri im, dikur te qeveria e vendit të tij. Sot, asnjë nuk ka më iluzionin se qeveria do të mund ta zgjidhë problemin e universiteteve të shitura dhe diplomave të blera. Qeveria është vetë problemi sepse është palë me ta, me universitetet-korba. Madje është edhe mbrojtësi i tyre më i mirë. Është bërë e tillë me një shpejtësi shumë të madhe, të pabesueshme për çdo qeveri të një vendi tjetër, madje edhe me sistem universitar të zhvilluar. Pa skrupull, pa dinjitet, përbuzëse ndaj qytetarëve që qeveris. Ja rruga e ndjekur. Universitetet private filluan të licencohen nga qeveria edhe duke pasur një fakultet në përbërjen e tyre, megjithëse ligji e kushtëzonte licencimin e një universiteti me më shumë se kaq. Licencoheshin pa pasur profesorë, me mësimdhënës mediokër, pa pasur tekste universitarë e pa kushtet më minimale për të dhënë mësim përmes kërkimit shkencor. Pas licencimit u ndoq me shpejtësi rruga për akreditimin e tyre. Kjo gjë përbën edhe pjesën më të shëmtuar të procesit sepse qartësisht u kuptua që akreditimi nuk u kërkua si një realizim konkret i standardeve, por si një rrugë formale, ndjekja e së cilës mundëson marrjen e parave, si nga studentët ashtu edhe nga qeveria. Akreditimi u krye në kushtet e komandimit të sistemit nga qeveria. Pra, nuk ishin strukturat akredituese, por thjesht ishte vetë qeveria që ka akredituar universitetet private të këtij vendi. Madje, edhe më konkretisht: Është vetë ministri i Arsimit në krye të procesit akreditues që vendos nëse do të akreditohet apo jo një universitet privat (sigurisht, në një mbledhje formale qeverie, sa për të larguar “kopilin nga dera”), çka e bën sistemin e akreditimit të varur prej tij, në një konflikt interesi, pa përmbajtje demokratike e thellësisht të dyshimtë. Universitetet private u hoqën nga skema e TVSh pas akreditimit, një hap i paimagjinueshëm ndaj një strukture private që në thelbin e saj ka maksimizimin e fitimit. Dhe më në fund erdhi edhe çasti i lumtur: Qeveria do të financojë universitetet private ashtu si financon edhe ato publike! Me taksat e tyre qytetarët e uritur të këtij vendi do të paguajnë bosët e universiteteve private dhe këta të fundit do të bëjnë ç’është e mundur të realizojnë dy gjëra: E para, t’i shërbejnë politikisht qeverisë dhe jo vetëm dhe e dyta të shkurtojnë sa më shumë kohën dhe shpenzimet për graduimin e një studenti. Që të dyja sigurisht çojnë atje ku çdo biznes privat synon: Maksimizimin e fitimit. Pjesa tjetër është përrallë. Qoftë ajo e shndërrimit në institucione jo fitimprurëse, qoftë ajo e “hallit” patriotik për të ndihmuar në edukimin e rinisë së këtij vendi, apo qoftë ajo e cilësisë së edukimit.
* * *
Universitetet private në Shqipëri mbajnë emra të çuditshëm, gati gati irealë, që më shumë se çdo gjë tjetër duan të lënë të kuptohet se vetëm në Shqipëri nuk ndodhen. Universiteti evropian, amerikan, mesdhetar, ndërkombëtar, planetar, ndërplanetar dhe në fund fare, ai që i vë vulën të gjithëve, është universiteti me emrin UFO. Duket sikur vetëm të jenë shqiptarë nuk duan. Aq sa kanë pranuar të mos i përkasin jo vetëm Shqipërisë, jo vetëm kontinentit ku ndodhet vendi ynë i vogël, por madje të mos i përkasin as planetit që na rrotullon të gjithëve. Kanë kërkuar të duken sikur janë jashtëtokësor, sikur vijnë nga një civilizim tjetër, me misionin e shenjtë për të dhënë mësim dhe jo për t’iu dhënë tokësorëve ashtu në përgjithësi, por më të veçantëve midis tyre, shqiptarëve. Vërtet, ç’hall kanë me këta emra e ç’shqetësim? Apo ndoshta nuk kanë emra realë që i përkasin këtij vendi, emra shqiptarësh të shquar, vendesh, profilizimi apo ç’mision kanë që nuk e durojnë dot onomastikën e shtetit të cilit i përkasin? Sigurisht, nuk kemi të bëjmë me hobi as me trille, por me çështje që lidhen me vetë ekzistencën e veçantë, gati jo njerëzore, të universiteteve - korba të këtij vendi. Në thelb kemi të bëjmë me një alibi. Me alibinë që është emri që i lidh me përmbajtjen dhe jo vendi ku gjenden, pra, jo Shqipëria. Ne vërtet jemi në Shqipëri, duket sikur thonë bosët e tyre, por të gjitha të tjerat i kemi të ndryshme nga universitetet e këtij shteti. Vazhdojnë: Universitetet shtetërorë janë të prapambetur, ndjekin një stil të vjetërsuar, ndërsa ne jemi ndryshe. Kemi shkëlqim, kemi profesorë të huaj, i paguajmë dhjetëfish mësimdhënësit, kemi libra të huaj, një shkollë që bëhet edhe atje, në Evropë, në Amerikë, por jo në Shqipëri. Vazhdojnë: Prandaj, automatikisht kur të mbaroni këtë shkollën tonë, mund të gjeni vend pune ekzaktësisht tek ajo hapësirë që përcaktohet edhe në emrin e saj. Nëse universiteti është evropian gjeni punë në Evropë, nëse është amerikan, gjeni punë në Amerikë, nëse është planetar, ndërplanetar, ufo, gjeni punë... e kështu me radhë. Gjithsesi, e keqja nuk është këtu. Dyshimi te ndershmëria e marketingut është e keqja më e vogël. E keqja më e madhe është te substanca dhe substanca e universiteteve private të këtij vendi nuk mund të zbulohet pa zbuluar lidhjet e tyre me qeverinë. Gjatë gjithë kësaj kohe qeveria ka bërë ç’është e mundur të legjitimojë këto universitete duke mos e merituar dhe në kushtet e një diskriminimi të thellë të sistemit universitar shtetëror. E ka bërë këtë sepse vetëm kështu do të mund të krijonte, dhe e ka krijuar pothuajse, iluzionin që universitetet private janë të një cilësie jo vetëm të barabartë, por edhe më të mirë se ato shtetërorë. Aq sa ka arritur në pikën e trajtimit njësoj financiarisht një universitet të organizuar si privat (këtu nënkuptoj edhe thellësisht autonom) me një universitet të organizuar si shtetëror (dhe këtu nënkuptoj thellësisht jo autonom). Aq sa është gati të bëjë edhe ranking duke dashur që përfundimisht të legjitimojë ekzistencën e tyre, megjithëse dihet mirë që një ranking ka kuptim të bëhet midis universiteteve dhe jo midis hijeve të tyre. Të gjitha këto kanë çuar në krijimin iluziv të një besueshmërie thellësisht të pamerituar. Të veshur me “koracën” e një besueshmërie të paqenë, por të kalbur nën të, universitetet private jo vetëm që po disorientojnë publikun shqiptar, por po infektojnë krejt sistemin universitar. Nuk është vetëm shitja e diplomave, nuk është vetëm cilësia e dyshimtë e procesit mësimor, por mbi të gjitha është mungesa e integritetit ai virus që ka hyrë dhe po mundohet ta shpërbëjë krejt sistemin universitar të vendit.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›