Liderët nderojnë Presidentin e ndjerë Rugova

Liderët e vendit, pas homazheve në Prekaz në nderim të dëshmorëvëe të rënë në për liri, kanë vazhduar homazhet e tyre pranë varrit të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, ku kanë vënë dhe kurora lulesh.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se në pesë vjetorin e pavarësisë, po nderojnë presidentin historik, Ibrahim Rugova.
“Jemi këtu që sot në 5 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, të nderojmë presidentin e parë, presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova me platformën e tij politike, për liri pavarësi dhe demokraci, mobilizoi si asnjëherë më parë në historinë e shtetit tonë popullin duke e orientuar atë drejt vlerave më të mirëfillta të vendeve të Bashkimit Evropian. Duke e orientuar popullin tonë, që të jetë një vend i liri, sovran dhe shtet i pavarur, duke vendosur miqësi të përjetshme me SHBA-të”, ka pohuar Jahjaga.
Ndërsa kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, pranë varrit të presidentit Rugova ka pohuar se në 5 vjetorin e pavarësisë, po nderojnë jetën dhe veprën si dhe angazhimin shumëvjeçar të Ibrahim Rugovës, si udhëheqës i lëvizjes për liri dhe pavarësi.
“Jemi sot të gjithë së bashku që në rastin e 5 vjetorit të pavarësisë, të nderojmë jetën dhe veprën, angazhimin shumëvjeçar si udhëheqës i Lëvizjes për liri dhe pavarësi të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova. Sot bëjmë këtë nderim institucionet e shtetit, nderon shteti i Kosovës për atë përkushtim angazhim shumë vjeçar dhe lëvizjen për liri dhe pavarësi. Andaj respektojmë sakrificat e të gjithë kontribuuesve në kuadër të saj dhe të presidentit Ibrahim Rugova, si një udhëheqës shumëvjeçar i kësaj lëvizje”, ka thënë ai.
Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka theksuar se gjatë ditës kanë vënë kurora lulesh dhe kanë bërë homazhe tek varret e dëshmorëve dhe tek varri i Ibrahim Rugovës, si një ndërlidhje natyrshme e luftës së UÇK-së dhe të një rezistence afatgjate, për liri dhe pavarësi.
“Sot së bashku me institucionet e Republikës së Kosovës, vumë lule te dëshmorët tanë. Tani po përfundojmë te presidenti Rugova, si një ndërlidhje shumë e natyrshme e luftës së UÇK-së dhe të një rezistence afatgjate, për liri dhe pavarësi. Gjithë ne do të punojmë bashkërisht në mënyrë që ta ndërtojmë shtetin e Kosovës dhe në mënyrë që ai të bëhet sa më dinjitoz dhe të përgjigjet kërkesave dhe aspiratave që patën dëshmorët tanë dhe presidenti Rugova”, ka thënë Mustafa.
Ndërkaq edhe Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në shënimin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Haradinaj, pasi ka vënë kurora lulesh, pran varrit të presidentit Rugova, ka thënë se po i bënë nderim presidentit historik dhe ideatorit të pavarësisë së vendit. Ai, po ashtu, ka pohuar se në një ditë si kjo, respekti dhe përulja për themelet e lirisë së shtetit, është obligim primar.
“Në përvjetorin e 5 të pavarësisë, bëjmë nderim te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova, ideatorit dhe kryesit ose bërësit të pavarësisë, me ide dhe të zbatuara me ndihmën e tij. Andaj në një ditë si kjo, respekti përulja për themelet e lirisë sonë të shtetit tonë, është obligim primar”, ka thënë Haradinaj./Indeksonline/