Liderët premtojnë: Luftë kundër krizës globale
Liderët e 183 vendeve të botës, të mbledhur në Romë, premtuan dje se do të punonin për të përgjysmuar urinë globale deri në vitin 2015 dhe të ndërmarrin veprime urgjente mbi krizën e ushqimit, por kjo vetëm pas bisedimeve shtesë në samitin e Romës, ku qëndrimet e përbashkëta munguan. Në deklaratën përfundimtare të samitit u premtuan 6.5 miliardë dollarë ndihma, por në anën tjetër nuk mundën të shmangeshin ndasitë për biokarburantet. Gjithsesi, liderët botërorë ranë dakord të rritet prodhimi në vendet e varfra. "Ne jemi të bindur se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë hapa urgjentë dhe veprime të koordinuara për të luftuar pasojat e çmimeve në rritje në vendet më vulnerabile të botës dhe në popullatat më të varfra", theksonte deklarata. Samiti ishte një hap i parë i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm për të luftuar krizën globale, tha në anën tjetër "Oxfam", organizata britanike e bamirësisë. Drejtoresha ekzekutive e "Oxfam"-it, Barbara Stocking, tha në një deklaratë se ndërsa liderët e vendeve më të pasura të botës janë në dijeni të rëndësisë së ndihmave për bujqësinë, kriza globale e ushqimit ka nevojë për një plan të gjerë për zgjidhjen e saj. "Si vendet më të pasura të botës, ato duhet të sigurojnë më shumë para për të përballuar pasojat e menjëhershme të krizës aktuale, por edhe për të luftuar disa prej shkaqeve që po kontribuojnë në acarimin e krizës aktuale, duke penguar iniciativat për prodhimin e biokarburanteve dhe duke siguruar ndihma më afatgjata për bujqësinë", tha ajo. "Kriza aktuale ilustron qartë se ajo për çfarë ne kemi nevojë nuk është biznesi i përhershëm, por një reformë e thellë në sistemin e tregtisë ndërkombëtare", shtoi ajo. Deklarata ishte kritikuar madje edhe para se për të të bihej zyrtarisht dakord dhe ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, e kishte quajtur "zhgënjyese". "Teksti ishte fatkeqësisht shumë mangët dhe nuk respektonte ambiciet fillestare", tha ai, i cituar nga agjencia e lajmeve ANSA. Duke riafirmuar një nga qëllimet e Kombeve të Bashkuara, pavarësisht krizës aktuale në të cilën çmimet e larta kanë shkaktuar uri dhe protesta nëpër botë, liderët pjesëmarrës në samit premtuan se do të përgjysmonin numrin e njerëzve të kequshqyer deri në vitin 2015. "Ka një nevojë urgjente për të ndihmuar vendet në zhvillim dhe vendet në tranzicion të zgjerojnë prodhimin e ushqimeve dhe produkteve bujqësore, si edhe të rrisin investimet publike dhe private", thuhej më tej në deklaratë. Kjo e fundit u nënshkrua nga pjesëmarrësit vetëm pas një debati të fortë në lidhje me biokarburantet dhe kufizimet e tregtisë. Prodhimi i biokarburanteve promovohet gjerësisht në Brazil dhe SHBA, por kritikohet nga të tjerët, pasi "grabit" tokë që mund të përdorej fare mirë për t‘u ushqyer. Në përfundim, deklarata theksonte vetëm se biokarburantet përbëjnë njëkohësisht një sfidë dhe një mundësi dhe apelon për kërkime të mëtejshme.