E Diel, 1 Nëntor 2026

12 artistë nderohen me çmimin "Kult"

12 artistë të fushave të ndryshme janë nderuar me çmimin "Kult". Edicioni i katërt i Akademisë KULT u organizua në formën e një spektakli të gjatë çmimesh në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Nga 48 artistët që garonin për këtë çmim, 12 janë shpërblyer me trofeun e "Kult"-it.

Çmimin për librin më të mirë artistik të vitit e fitoi shkrimtari Fatos Kongoli, me titull "Jetë në kuti shkrepësesh", roman.

Çmimin për librin më të mirë enciklopedik të vitit e mori Aleksandër Meksi, me titull "Arkitektura e xhamive të Shqipërisë", studim, ndërsa çmimin për filmin dokumentar më të mirë të vitit e mori Petro Lati. Çmimin për interpretuesin lirik më të mirë të vitit e fitoi Irini Nikolla, me operën "Aida". Çmimin aktorja më e mirë e vitit e fitoi Eva Alikaj, me pjesën e luajtur te Lola Blau (Lola).

Çmimin artisti pamor më i mirë i vitit e mori Hasan Nallbani, me një ekspozitë të përbashkët "Mrekullia e dashurisë", pikturë, kurse çmimin skenografi më i mirë i vitit e mori artisti Agim Zajmi me dramën "Pamje nga rruga". Çmimin instrumentuesi më i mirë e mori pianistja Rudina Ciko me "Shopen-Andante, spianato et grande polonaise", koncert për piano dhe orkestër në RTSH. Çmimin aktori më i mirë i vitit e mori Timo Flloko me pjesën e luajtur te "Pamje nga Ura" (Edi Karbone).

Çmimin balerini më i mirë i vitit e mori balerina e re Erisa Gina. Çmimin albumi muzikor i vitit e mori këngëtarja Rovena Dilo me "Dorëzohem". Çmimin regjisori më i mirë i vitit e mori regjisori Albert Minga me "Pamje nga ura".

Festivali

Sulaj vlerësohet me çmim të dytë në Turqi

Në përvjetorin e njëzetepestë të Festivalit të Karikaturës "Aydin Dogan International Caricature Competition", i cili u mbajt në Antalia të Turqisë, karikaturisti i njohur shqiptar, Agim Sulaj u rendit i dyti, duke marrë çmimin në vlerë prej pesë mijë dollarësh. Siç njoftoi gazeta turke "Hurryet", çmimi i parë, në vlerë prej tetë mijë dollarësh, qëndroi brenda kufijve të Turqisë, i cili iu dha karikaturistit turk Ahmet Ozturklevent, ndërsa çmimin e tretë e mori karikaturisti austriak Gerhard Gepp, duke fituar bashkë me çmimin edhe 3.500 dollarë.

I konsideruar si një prej festivaleve më prestigjioze në botë të karikaturës, "Aydin Dogan International Caricature Competition" këtë vit mblodhi 2.665 karikatura nga 971 artistë nga 79 shtete. Fillimisht, komisioni i parë i zgjedhjes kishte përzgjedhur 189 karikatura nga 161 karikaturistë prej 57 shteteve, të cilat ia ka propozuar jurisë ndërkombëtare, në përbërje të Baha Boukhari nga territori palestinez, Etienne Delessert nga Zvicra, Athanassios Efthimiadis nga Greqia,

Michel Kichka nga Izraeli, Marlene Pohle nga Argjentina, Martin Roëson

nga Mbretëria e Bashkuar, Kim Yongmin nga Koreja e Jugut dhe Latif

Demirci, Selçuk Demirel, Hüsamettin Koçan, Tan Oral, të gjithë nga Turqia, të cilët kanë vendosur për tri çmimet e para. Kësaj radhe janë paraqitur tema nga politika, të drejtat e njeriut, lufta

dhe paqja. Veprat e fituesve do të ekspozohen në "IC Hotels Airport" nga 4 deri më 10 qershor, ndërkaq fituesit do t‘i marrin shpërblimet e tyre në një ceremoninë që do të mbahet në tetor në Stamboll.

I lindur në vitin 1960 në Tiranë, Agim Sulaj është njëri prej karikaturistëve më të njohur shqiptarë, fama e të cilit tashmë ka depërtuar edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Ai ka fituar një mori

çmimesh nëpër festivale të karikaturës në vende të ndryshme të botës, duke u renditur si një prej karikaturistëve më të njohur në botë. Sulaj ka qenë edhe fitues i çmimit "Grand Prix" në Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Karikaturës në Kosovë, i cili është mbajtur

në vitin 2006, tema e të cilit ka qenë "Pavarësia". Vetëm disa muaj më parë, Agim Sulaj hapi një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve të quajtur "Ëndërrimtari"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›