Referendumi në Irlandë, "kushtetuta" e Bashkimit Evropian drejt disfatës
Sondazhet e fundit në Irlandë kanë treguar rezultate shokuese, sipas të cilave vota kundër marrëveshjes së Lisbonës do të dominojë në referendumin e javës së ardhshme. Sondazhet tregojnë se ata që kanë ndër mend të votojnë "jo" janë dyfishuar deri në masën 35 për qind, në krahasim me tre javë më parë. Ndërsa ata që do të votojnë "po", kanë shënuar një rënie prej pesë pikësh, duke zbritur në 30 për qind. Të pavendosurit janë rreth 28 për qind (12 pikë më pak) dhe 7 për qind janë ata që nuk kanë ndër mend të votojnë. Sipas një sondazhi të kryer nga "Irish Times", justifikimi që paraqesin shumica e atyre që do të votojnë "jo", 30 për qind, është se ata nuk e dinë se çfarë përmban marrëveshja dhe as nuk e kuptojnë atë. Vetëm pesë për qind citojnë shkaqe të brendshme për votën kundër. Ata që planifikojnë të votojnë "pro" thonë se do ta bëjnë këtë në mënyrë që Irlanda të vazhdojë të përfshihet akoma më shumë në BE. Mbështetësit e "po"-së gjithashtu thonë se do të donin që të mundësonin funksionimin më efikas të bllokut. Sondazhi tregon edhe një ndasi të qartë sociale e ekonomike me një shumicë zgjedhësish të shtresës së pasur ose të mesme, që kanë ndër mend të votojnë "po" dhe një shumicë mes klasës punëtore që ka ndër mend të votojë kundër. Ndërkohë, zgjedhësit e moshuar janë të prirur të jenë më pozitivë kundrejt marrëveshjes, por ka vetëm një mazhorancë zgjedhësish që mbështesin votën pro mes njerëzve të moshës mbi 50 vjeç. Rezultatet e sondazhit janë kaq negative, pavarësisht se të gjitha palët politike në Irlandë mbështesin marrëveshjen dhe do të duhet një punë e madhe, para referendumit të 12 qershorit, për të ndryshuar drejtim. Irlanda është i vetmi prej 27 vendeve anëtare të BE-së që do të zhvillojë një referendum mbi marrëveshjen e bllokut dhe po përballet me një presion të jashtëzakonshëm për të siguruar votën pro, pasi refuzimi do të rrënonte edhe procesin e ratifikimit në pjesën tjetër të Bashkimit Evropian. Por, Dublini ka qenë në vështirësi gjatë gjithë kohës së promovimit të marrëveshjes dhe është përpjekur të gjejë një shkak madhor për të bindur zgjedhësit të mbështesin dokumentin që zgjedhësit e thjeshtë mendojnë se i prek drejtpërsëdrejti ata. Për më tepër, politikanë të lartë, përfshirë edhe Kryeministrin Brajan Kouen, kanë pranuar se nuk e kanë lexuar të gjithë dokumentin, ndërsa zëvendëskryeministrja, Mari Koughlan, kur u pyet nëse e kishte lexuar atë, dha një përgjigje të gabuar mbi numrin e komisionerëve evropianë të parashikuar sipas marrëveshjes. Zgjedhësit kundër gjithsesi thonë se Irlanda humbet fuqitë e saj dhe cenohet neutraliteti i saj tradicional, çka mohohet kategorikisht nga ana e qeverisë. Pjesa më e madhe e Evropës do të fokusohet tani te votimet në Irlandë, të enjten. Disa, gjithsesi, po përgatiten edhe për një votë të mundshme kundër. Sipas raporteve, Republika Çeke, që merr presidencën e BE-së më 1 janar, kur edhe supozohet se Marrëveshja e BE-së do të hyjë në fuqi, ka përgatitur dy dokumente se si Bashkimi Evropian do të funksionojë në gjysmën e parë të 2009-ës, njëri në variantin me marrëveshjen e BE-së në fuqi dhe tjetri pa të.