Liderët shtetërorë urojnë për Krishtlindje

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e Kërshëndellave, e ka uruar Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Në urim thuhet, mes tjerash, presidentja thekson se e vlerëson angazhimin e Kishës Katolike dhe, siç shprehet ajo, “angazhimin tuaj për harmoninë dhe dashurinë mes njerëzve të të gjitha etnive e besimeve, për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë ne”.
“Në këtë fundvit, së bashku me festat, ne numërojmë edhe sukseset tona të deritashme, bëjmë një bilanc të punëve të kryera, si rezultat i angazhimit të pakursyer të qytetarëve dhe institucioneve, me përkrahje të vazhdueshme të partnerëve e miqve tanë ndërkombëtarë. Po kështu, në këtë përmbyllje viti, ne bëjmë planet për punët e mëdha që na presin vitin që vjen, për të përballuar sfidat përpara nesh dhe për ta përmirësuar jetën e qytetarëve duke hapur horizonte të reja për qytetarët e për shtetin tonë”, thuhet në telegramin e presidentes dërguar Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Me këtë rast, presidentja Jahjaga ka uruar gjithë besimtarët katolikë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.
Me rastin e Ditës së Krishtlindjes, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka uruar Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji dhe të gjithë besimtarët katolikë të Kosovës.
Në urim, thuhet “I nderuar Imzot Dodë Gjergji, Kam kënaqësinë që në këtë ditë të shenjtë, t'iu uroj Juve dhe të gjithë besimtarëve që ju u prini, Ditën e Lindjes së Krishtit. Lus Zotin që Ju dhe të gjithë qytetarët katolikë të Republikës së Kosovës, të keni gjithmonë paqe, shumë begati dhe harmoni”.
“Kjo ditë, e cila frymëzon njeriun me besimin më të madh te Zoti, le të jetë një festë e madhe dhe një rast për të shpalosur ndjenjat e dashurisë, të respektit dhe të vullnetit, për të sjellë edhe më shumë lumturi dhe mbarësi në familjet e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në urim.
Telegram urimi për Krishtlindje ka dërguar edhe Kryetari i Prishtinës, njëkohësisht lideri i LDK-së, Isa Mustafa. Në një telegram dërguar Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, Mustafa e ka uruar atë në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në emrin e tij.
“Duke e vlerësuar lart punën dhe angazhimin Tuaj të përhershëm për paqen, dashurinë dhe harmoninë midis njerëzve pa dallim etnie e besimi, si dhe duke e çmuar përkushtimin e përhershëm të Kishës sonë Katolike për lirinë, pavarësinë dhe të ardhmen e vendit, ju dëshiroj shëndet dhe suksese të mëtejme juve, meshtarëve të Ipeshkvisë dhe të gjithë besimtarëve katolikë të vendit.
Me besimin e plotë se fjala dhe predikimi Juaj i urtë do të jenë edhe më tej mesazh dashurie për të gjithë njerëzit vullnetmirë në vend, ju lus, i dashur Ipeshkëv Gjergji, të pranoni ndjenjën e konsideratës sime më të lartë! Për shumë mot Krishtlindjen!”, thuhet në urimin e Mustafës.
Ndër të tjera, lideri Mustafa u ka shprehur urime të përzemërta të gjithë besimtarëve katolikë dhe qytetarëve të vendit me rastin e Krishtlindjes.
“Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta, juve dhe familjeve tuaja, me rastin e festës së Krishtlindjes, e cila simbolizon ditën e lindjes dhe të forcimit të besimit në Zotin. Krishtlindja është dita e paqes mes Zotit dhe njerëzimit, si dhe në mes njerëzve të botës mbarë.
Uroj që kjo ditë e shenjtë të jetë shtysë për më shumë dashuri në mes qytetarëve të vendit tonë, të cilët janë një shembull i rrallë i harmonisë dhe mirëkuptimit në mes njerëzve me etni dhe besime të ndryshme.
Po ashtu, në këtë ditë të shënuar, dëshiroj që t’ju shpreh urimet e mia dhe të gjithë anëtarësisë së LDK-së përfaqësuesve të Korit diplomatik të akredituar në Kosovë, ushtarëve dhe komandantëve të KFOR-it, si dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë të misioneve ndërkombëtare në vendit tonë, të cilët janë larg familjeve të veta dhe festat e fundvitit do t’i presin këtu në Kosovë”, thuhet në urim./Indeksonline/