Përurohet shtatorja e Ahmet Zogut

Është përuruar sot në Tiranë shtatorja kushtuar Mbretit Ahmet Zogu.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se shtatorja e mbretit Zog do të shërbejë si simbol i bashkimit të shqiptarëve.
Kreu i qeverisë ndërsa ka vlerësuar rolin e pamohueshëm të mbretit të parë të Shqiptarëve ka theksuar se sot Ahmet Zogun e nderon mbare kombi, gjithë shqiptaret kudo që janë, raporton oranews. tv
“Sot mbarë kombi nderon mbretin shqiptar Ahmet Zogu me këtë shtatore. Ahmet Zogu në vitet më të hershme derisa mbylli sytë qëndroi i palëkundur në anën e kombit shqiptar, vendit të tij të dashur, miqve të tij të nderuar. Pas shpalljes së pavarësisë ky pasardhës i familjeve më të shquara shqiptare në vitet më të vështira të vendit qëndroi i palëkundur në mbështetje të Ismail Qemalit, në mbështetje të ndërtimit të shtetit të shqiptarëve. Të gjithë i detyrohen këtij burri të madh shtetin që u mungonte që nga koha e Skënderbeut, që bëri gjithçka për të zhvilluar vokacionin perëndimor të kombit, që bëri gjithçka për të zhvilluar njërin prej vendeve aso kohe më të prapambetur të planetit. Me emrin e tij janë të lidhura konsolidimi i institucioneve të shtetit shqiptar, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur në mbarë botën” tha Berisha.
Princi Leka ka falenderuar për nderimin që i bëhet mbretit, duke vendosur shtatoren e tij në Tiranë. Sipas tij, kjo shtatore është tregues i kujdesit të qeverisë shqiptare për figurat e historisë së vendit.
Shtatorja e Ahmet Zogut ka një lartësi prej 3 metrash dhe është vendosur në fund të bulevardit “Zogu I”, pranë Stacionit të Trenit. /Indeksonline/