Lideri i opozitës shqiptare hetohet në prag të zgjedhjeve
Prokurorët kanë nisur një hetim pasi Partia Demokratike e ka akuzuar liderin e opozitës socialiste, Edi Rama, se ka abuzuar me detyrën kur ishte kryebashkiak i Tiranës
Nga Besar Likmeta, BIRN
Albi Serjani, zëdhënës i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, i tha Balkan Insight të hënën se një padi penale është regjistruar dhjetë ditë më parë, bazuar në një ankesë të bashkisë së Tiranës.
Regjistrimi i çështjes do të thotë se prokurorët tani do të intervistojnë dëshmitarët dhe do të angazhojnë ekspertë për të vlerësuar nëse ka ndodhur ndonjë krim dhe lideri socialist mund të thirret për të dëshmuar.
Serjani tha se hetuesit po shqyrtojnë akuzat për abuzim me pushtetin, por nuk është identifikuar akoma asnjë i dyshuar.
Më 13 janar, bashkia e Tiranës depozitoi një padi penale në lidhje me një ndërtesë me katër kate, që i përket familjes dhe të afërmve të Linda Bashës, gruas së Ramës, me akuzën se ka marrë një leje ndërtimi të jashtëligjshme në vitin 2006, kur lideri socialist ishte kryebashkiak.
Sipas bashkisë së Tiranës, toka ku është ngritur ndërtimi ishte planifikuar të ishte një hapësirë e gjelbër dhe leja ka shkelur ligjin.
Partia Demokratike e ka quajtur këtë leje si një dhuratë martese nga Rama për gruan e tij, edhe pse Rama nuk ka lidhur kurorë deri në tetor të vitit 2010.
Të dy, edhe Rama, edhe e shoqja, kanë mohuar ndonjë shkelje dhe i kanë cilësuar akuzat si të motivuara politikisht.
Rama, kryetar i Partisë Socialiste, ka shërbyer si kryebashkiak i Tiranës për tre mandate nga viti 2000 deri në vitin 2011. Ai humbi në zgjedhjet e majit 2011, të cilësuara si kontroverse.
Një task- force antikorrupsion e zyrës së prokurorit të Tiranës ka nisur një verifikim paraprak për padinë në janar dhe tani ka regjistruar procedimin penal.
Çështja vjen dy muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit dhe ka shansin që të shtojë tensionet politike, të cilat edhe tashmë janë shumë të larta.
Ajo që e ngarkon më shumë situatën është edhe koha e gjatë që është dashur për të realizuar procesin e verifikimeve paraprake për padinë.
Sipas një urdhri të Prokurorit të Përgjithshëm, verifikimi paraprak pas një padie penale nuk duhet të zgjasë më shumë se 30 ditë.
Në këtë rast është dashur më shumë se tre muaj për të regjistruar procedimin penal, duke e shtyrë hetimin në fazat fillestare të fushatës zgjedhore.