E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Fyle: Rinovoni konsensusin për KQZ-në. Zgjedhjet janë thelbësore për integrimin (VIDEO)

bregu-fule2

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, ka deklaruar në Bruksel se ata presin progres sa i përket procesit zgjedhor në Shqipëri.

Ai ka folur në Këshillin e pestë të Stabilizim- Asociimit BE- Shqipëri.

Ne kemi bërë të qartë se pas zgjedhjeve shprehemi për negociatat. Ato janë kryesore për nisjen e negociatave për anëtarësim. Zgjedhjet e lira e të ndershme duhet të jenë në interesin jo vetëm të një partie, të gjitha partive dhe të gjitha forcat politike duhet të shkojnë drejt saj.

BE pret progres nga Shqipëria sa i përket procesit zgjedhor. Partitë politike janë përgjegjëse për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit. Ne do të dërgojmë ekipe për të vëzhguar zgjedhjet e qershorit dhe këto zgjedhje do jenë thelbësore për Shqipërinë, tha Fyle.

Bashkimi Europian e konsideron të një rëndësie thelbësore mbajtjen e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe europiane. Do të jetë një test për funksionimin e patrazuar të institucioneve demokratike të vendit, dhe në të vërtetë për progresin në rrugën e integrimit europian. Siç e dini, ne kemi shprehur shqetësimin tonë për pasojat e votimit të fundit në parlament. Dialogu duhet të mbizotërojë mbi përplasjet, tha Lucinda Creighton, Ministre e Çështjeve Europiane.

Por nuk mund të mos ishte në qendër të këtij takimi dhe debati politik për përfaqësimin në KQZ, ndaj dhe Komisioneri për Zgjerimin lëshoi apelin e radhës.

Mund ta them shumë qartë se ajo së cilës iu referuat, nuk është në frymën e konsensusit që çoi palët e interesuara drejt një marrëveshje për Kodin Zgjedhor vitin e kaluar. Dhe ne e shfrytëzuam këtë takim për ti bërë thirrje të gjitha palëve për të rifreskuar urgjentisht konsensusin për hir të Shqipërisë dhe qytetarëve të vendit. Me lini të theksoj se sipas Kodit Zgjedhor shqiptar, organet e administrimit të zgjedhjeve duhet të kryejnë detyrat e tyre në një mënyrë profesionale dhe të paanshme, dhe të funksionojnë në mënyrë të qetë, transparente dhe jo-partizane. Duhet garantuar pavarësia e KQZ-së, deklaroi Fyle.

Kurse ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha se qeveria është e angazhuar për të plotësuar standardet më të larta zgjedhore.

Ajo premtoi luftë kundër korrupsionit, por edhe rikujtoi se është opozita që ka bllokuar votimin e tre ligjeve në Kuvend.

Ndërkohë përpara takimit, TCH ka publikuar pjesë nga qëndrimi i përbashkët i BE në lidhje me progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.

BE përsërit se reforma zgjedhore dhe kryerja e zgjedhjeve janë prioritete kyçe të Opinionit. Në këtë kontekst, BE mirëpret ndryshimet konsensuale të Kodit Zgjedhor në korrik të vitit 2012. BE nxit Shqipërinë të marrë masat e nevojshme për të siguruar zbatimin efikas të Kodit të ndryshuar Zgjedhor. Vëmendje e veçantë duhet të kushtohet për të garantuar se organet e administratës zgjedhore i kryejnë në një mënyrë profesionale detyrat e tyre dhe se frenohen nga marrja e vendimeve apo veprimeve që lidhen me zgjedhjet, në bazë konsideratash politike. BE përsërit se zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare në vitin 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin e qetë të institucioneve demokratike të vendit, dhe për këtë arsye, një element thelbësor për perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE, thuhet në pjesën e zgjedhjeve./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›