Amendimet, Komisioni i Ligjeve do të shqyrtojë kandidatët e presidentit
Sfida
Pra, duket se paralel me procedurën që Presidenti i Shqipërisë ka zgjedhur për caktimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Kuvendi po ndërmerr një tjetër iniciativë për ndryshimin e rregullores, e cila në mos në një mënyrë në një tjetër ka si qëllim t’i imponohet presidentit për dekretet që duhet të dërgojë në Gjykatën e Lartë. Duket se mazhoranca e ndihmuar dhe nga opozita në këtë rast, po i bën një sfidë të hapur Presidentit të Republikës dhe kandidaturave që ai do të përzgjedhë. Duhet pasur parasysh se ishte pikërisht Komisioni i Ligjeve, i dominuar nga mazhoranca, ai që dekretet e para të presidentit apo më saktë procedurën e ndjekur për dërgimin e tyre në Kuvend i konsideroi si antikushtetuese.
Beja: Kuvendi po përgatit procedura të reja për dekretet e presidentit
Nënkryetari i Kuvendit, Fatos Beja, tha dje se Kuvendi po përcakton procedurat që të mos përsëriten më situata si ato me rrëzimin e dekreteve të presidentit. Në fakt, Beja nuk ishte shumë i qartë sesi Kuvendi do e zgjidhë miratimin apo rrëzimin e dekreteve, por diçka është e qartë, që qoftë PD, qoftë PS si propozuese të këtyre dekreteve, kërkojnë t’i imponohen Presidentit të Republikës me ndryshimet në rregullore. “Parlamenti po përcakton procedurat përkatëse, në mënyrë që të mos përsëritet më situata e krijuar me rrëzimin e dekreteve të presidentit. Presidenti është vënë në lëvizje për të ushtruar funksionin e tij, duke marrë në konsideratë atë që ndodhi, ndërkohë që edhe parlamenti po vepron në mënyrë që të përcaktohen procedurat që të mos ndodhemi më në një situatë të tillë. Nënkryetari Beja informoi se, si deputet ka depozituar të premten në Kuvend propozimin me shkrim për ndryshimin e rregullores, duke theksuar se kjo është rregullore vetëm për Kuvendin dhe jo për presidentin. Rregullorja përcakton procedurat për parlamentin dhe mënyrën sesi do të veprohet për të realizuar atë që Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar me vendimin e saj lidhur me këtë çështje. Pra, procedurat për të realizuar mënyrën më të mirë që përzgjedhja e kandidaturave të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të përcaktuara me ligj të jenë sa më të sakta, sa më transparente dhe t’i shërbejnë sa më mirë qëllimit të tyre”, - shpjegoi Beja. Duke nënvizuar se presidentit i ka të përcaktuara funksionet e tij në Kushtetutë, ai tha se “për çdo kandidaturë që futet në një procedurë votimi, deputetët edhe publiku duhet të binden se kemi të bëjmë me kandidaturën më të mirë për këtë post që është caktuar”.
Amendimi i Bejës
Pas pikës 6 neni 111 shtohet pika 7 si më poshtë:
Komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen dhe pasi ka marrë miratimin me shkrim të personit të propozuar, shqyrton si përmbushjen e kushteve formale, kushtetuese e ligjore, ashtu edhe meritën e çdo kandidature duke u bazuar ne kritere të matshme dhe objektive. Për të garantuar cilësinë e përzgjedhjes dhe rolin substancial të Kuvendit në këtë përzgjedhje, komisioni bashkëpunon me institucionet shtetërore dhe publike për të zgjeruar të dhënat për çdo kandidat, bashkëpunon dhe/ose kryen konsultime me institucionet përkatëse dhe rrethet profesionale. Për të rritur transparencën dhe ndihmesën e publikut në përzgjedhje, komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Përfundimet e nxjerra nga ky proces shqyrtimi i përcillen Kuvendit për të vendosur miratimin ose të çdo kandidature të propozuar.”