Lidhja Shqipëri-SHBA nuk po fiket...
Aleksander Arvizu nuk ka qenë kurrë në Shqipëri më parë. Ai do të vijë për herë të parë në vjeshtë për të marrë mandatin si ambasadori i radhës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Vetëm para pak javësh u mësua se ai ishte kandidatura e Presidentit Obama për të zëvendësuar Withers, por teksa e dëgjoje para dy netësh të raportonte në Kongresin Amerikan për Shqipërinë, kishe përshtypjen se ishte në mbarim të mandatit në Tiranë dhe jo që se kishte nisur akoma. Diplomati Aleksander Arvizu bëri një raportim të gjatë dhe me detaje për ekonominë e politikën si dhe për një tablo të përgjithshme për situatën në Shqipëri, duke përdorur dhe shprehje informale të tipit shqiptarët mezi po presin të udhëtojnë pa viza në Evropë. Serioziteti dhe përpikmëria e Arvizut në përgjigjet e gjata që i jepte kryetares së nënkomisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Jeanne Shaheen, nuk tregojnë vetëm seriozitetin dhe vëmendjen që Arvizu i kushton punës së tij si diplomat karriere. Pa dyshim kjo sjellje tregon seriozitetin me të cilën SHBA-të sillen ndaj të tjerëve dhe për rastin tonë vëmendjen që SHBA vazhdon ti kushtojë Shqipërisë. Me ikjen e administratës republikane dhe ardhjen e ekipit të Obamës u duk se impenjimi amerikan kah Evropa u minimizua dhe më tej vëmendja ndaj Evropës Lindore e Ballkanit u la mënjanë.
Duke parë këtë zhvendosje të fokusit amerikan, lehtësisht do të vinim në dyshim se sa është Shqipëria në axhendë të Uashingtonit. Pas një mbështetjeje të fuqishme për tu anëtarësuar në NATO dhe vizitës historike të një presidenti amerikan në Tiranë, me të drejtë shqiptarët do të mendonin se tashmë misioni u krye, amerikanët skanë pse të shqetësohen më për ne. Në të kundërt, duket se do të vazhdojmë të ndihemi dhe për shumë si amerikano-dashësit më të mëdhenj në Evropë, pasi jo vetëm ndërgjegjja jonë historike, por dhe vetë Amerika na e ushqen këtë. Në të gjitha raportimet e organizmave amerikanë Shqipëria zë vend me rëndësi. Pavarësisht se Uashingtoni përkrah dhe nxit rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian të të gjitha vendeve që kanë mbetur jashtë tij në Ballkan, nuk e gjen asnjëherë veten jashtë loje në çështjet politike apo çfarëdo ngjarjeje tjetër.
Rënia e murit komunist për shqiptarët nuk ishte vetëm muri që na ndante me Evropën, ku ndodhemi gjeografikisht, ishte muri që ndante me ëndrrën amerikane, ku ndodheshim vetëm shpirtërisht. Flamujt amerikanë janë valëvitur krah atij evropian që prej viteve 90 dhe vazhdojnë të jenë pjesë e mitingjeve partiake dhe pas 20 vitesh rritjeje si shtet në demokraci. Shqiptarët (e Kosovës) janë më së paku prej dhjetë vjetësh një kauzë gjeopolitike e SHBA-së, për të cilën ajo ka rrezikuar dhe vazhdon të përplaset më superfuqi të tjera botërore. Duket se buzëqeshja e çlirët e Arvizut në Senatin amerikan kur fliste për ndryshimet në Shqipëri apo kur e quante këtë vend të vogël një aleat të madh në luftën kundër terrorizmit ishte një buzëqeshje arketipore, që buronte nga njohja e gjatë dhe lidhja e veçantë që kjo superfuqi botërore ka me popullin shqiptar në anën tjetër të oqeanit dhe që shumëkush e ka cilësuar për shkak të kësaj lidhjeje si shtetin e 51-të të SHBA-së. Pavarësisht kohërave, lidhja shqiptare-amerikane duket se është një lidhje që nuk njeh shuarje.