E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhja e Prizrenit si themel i politikës shqiptare

Fqinjët tanë janë cmirëzinj vetëm ndaj faktit që ekzistojmë. Ata kërkojnë të na e grabisin mendimin e ekzistencës sonë. Le të mendojmë dhe të punojmë për vete dhe të mos ketë asnjë ndryshim midis toskëve dhe gegëve, ne jemi të gjithë shqiptarë dhe duhet të formojmë një Shqipëri të bashkuar. Abdyl Frashëri

Një përkufizim i politikës

Karl Shmiti, në esenë "Koncepti i politikës" (KP) shkruan se kategoritë themelore politike janë "miku" e "armiku", dhe thelbi i sjelljes politike të një kolektivi njerëzor është dallimi midis miqve e armiqve. Ai arrin në këtë përfundim, duke e veçuar sferën e politikës nga sfera të tjera të veprimtarisë njerëzore, pikësëpari morali, estetika dhe ekonomia. Për përcaktimin e armikut të tij, një kolektiv nuk niset nga karakteristikat morale, apo estetike të armikut, ose thjesht nga interesa ekonomike, armiku as nuk përcaktohet nga ndonjë i tretë neutral. Armikun e njohim atëherë kur ndjejmë se ai është ekzistencialisht i huaj për ne dhe se, në rastin më të skajshëm, mund të angazhohemi në luftë kundër tij. Pra, armiku zbulohet në rrethana konkrete prej pjesëmarrësve. Shmiti nuk e ka fjalën për armiq vetjakë, por për armikun publik, atëherë kur "potencialisht një kolektiv luftarak njerëzor përballet me një kolektiv të ngjashëm" (KP, f. 28). Në përballjen e mundshme me armikun lind politika.

Politika nuk ka për qëllim luftën, por mundësia e luftës shkakton mendimin dhe sjelljen politike, sepse nga "kjo mundësi më e skajshme jeta njerëzore merr tensionin specifik politik" (KP, f. 35). Në vetvete dallimet fetare, etnike, racore, klasore, ideore, estetike, etj., nuk janë politike, por kur prej tyre zhvillohet një tension që rrezikon ekzistencën, atëherë ato janë edhe politike. Pra, kemi politikë atëherë kur njerëzit shtyhen prej rrethanave në një pozitë kur ndoshta do t‘u duhet të japin jetën e tyre apo të marrin jetën e armikut, pikërisht grupimi i tyre me të ngjashmit për të zmbrapsur rrezikun e përbashkët i jep përmbajtje politike sjelljes së tyre dhe institucioneve që ata themelojnë. Në këtë mënyrë, politika ka parësi dhe është e përparme ndaj ligjit, sepse asnjë sistem normativ nuk mund të zhvillohet apo të zbatohet pa një çast të vendimit që e tejkalon ligjin. Vendimi autentik politik merret në rrethanën e jashtëzakonshme kur ligjet janë të pezulluara. Natyra autentike e veprimit politik është një vendim mbi atë se çfarë duhet bërë atëherë kur kuadri ekzistues normativo-ligjor nuk jep përgjigje.

Në dyshen mik-armik, nënkuptohet që miku është më i rëndësishëm dhe paraprirës në strukturimin e sferës së politikës, sepse nëse do të ishte e kundërta, atëherë lind pyetja se çfarë kërcënon armiku, aq sa mund të hyhet në luftë me të. Marrëdhënia me mikun nuk përkufizohet nga shfaqja e armikut, por sillet në vëmendjen njerëzve në kuptimin e saj të plotë përballë një armiku.

Lidhja e Prizrenit si shfaqje e kombit shqiptar

Ideja e kombit shqiptar kishte kohë që artikulohej prej intelektualëve, më së shumti nëpër kolonitë e shqiptarëve dhe të arbëreshëve, por hera e parë kur kombi shqiptar u shfaq si një kolektiv politik në trojet etnike shqiptare ishte çasti i mbledhjes së atij tubimi që më vonë do të quhej Lidhja e Prizrenit. Me anë të kundërshtimit të armiqve, tashmë shqiptarët kishin filluar të artikulonin idenë politike të kombit, si një kolektiv i vetëm përballë kolektivëve të tjerë, kombin si një "miqësi politike" të shqiptarëve.

Le të shohim disa prej dokumenteve të hartuar prej udhëheqësve shqiptarë në prag dhe gjatë Lidhjes së Prizrenit. Përfaqësuesit e popullsisë shqiptare të Shkodrës, Podgoricës, Shpuzës, Zhabjakut, Tivarit, Ulqinit, Grudës, Kelmendit, Hotit dhe Kastratit i dërgojnë nga qyteti i Shkodrës më 08.05.1878, një protestë ambasadorit francez në Stamboll, ku midis të tjerash shënojnë: "Fqinjët tanë malazezë, me anë të sulmeve të vazhdueshme kundër qyteteve tona na kanë detyruar prej shekujsh të jetojmë në gjendje mbrojtjeje të përhershme dhe nëpërmjet veprimeve të tyre të egra kanë bërë që të mos kemi asnjë lloj sigurie. Ne katolikët dhe myslimanët, vëllezër që prej shekujsh dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh, kemi qenë gjithnjë të bashkuar për t‘u rezistuar akteve të kusarisë (të malazezëve) dhe kemi derdhur lumenj gjaku për të mbrojtur qytetet dhe fshatrat tona...Shkurtimisht, ne e shohim rrezikun që na kërcënon dhe sa të vdesim nesër të poshtëruar dhe të skllavëruar, pëlqejmë të asgjësohemi sot duke mbrojtur nderin dhe lirinë tonë, prandaj kemi vendosur të mos biem në skllavërinë e Malit të Zi".

Në një protestë tjetër drejtuar Kongresit të Berlinit më 15.06.1878 nga popullsia e Podgoricës, Shpuzës, Zhabjakut, Grudës e Kuçit theksohet dallimi që ekziston midis vendasve dhe malazezve: "...nën presionin që i bëri Rusia shtetit të lartë osman, madhëria e tij padishahu ynë, u detyrua që të na lëshojë nën sundimin e malazezve barbarë, të cilët qysh prej katër shekujsh janë armiqtë tanë". Ndjenja armiqësore shqiptarët shprehnin edhe ndaj serbëve e bullgarëve. Popullsia e Prizrenit më 24.05.1878 i shkruan ambasadorit francez në Stamboll: "Në të gjitha viset e vendit tonë ose të fqinjëve, që janë pushtuar, serbët e bullgarët kanë shkatërruar dhe kanë marrë nëpër këmbë siç nuk është parë më parë kurrë ndonjëherë, pasuritë tona, shtëpitë tona, fëmijët tanë dhe nderin tonë...prandaj do të ishte një veprim jonjerëzor dhe i padrejtë që ne t‘i liheshim [në dorë] një qeverie dhe një administrate sllave dhe bullgare, të cilat nuk kanë asnjë afri me ne dhe kanë treguar [me kohë] armiqësitë e tyre".

Në citimin e mësipërm shkruesit e protestës nuk pranojnë asnjë qeveri që "nuk kanë asnjë afri me ne", pra shohim se në përfytyrimin e autorëve të tekstit po zinte vend ideja që sunduesit duhet të identifikohen me të sunduarit, një nga parimet themelore të nacionalizmit. Menjëherë pason fraza "kanë treguar armiqësitë e tyre", që i referohet një sjelljeje që një kolektiv e gjykon, tashmë si subjekt politik, si kundër interesave, madje vetë ekzistencës së tij.

Ndërsa në protestën e shqiptarëve të Stambollit drejtuar Kongresit të Berlinit kundër pretendimeve territoriale greke, flitet qartazi në emër të kombit shqiptar si një subjekt, si një kolektiv i dallueshëm qartë prej kolektivëve të tjerë dhe me një atdhe integral: "Ne protestojmë kundër copëtimit të atdheut tonë të dashur. Humbja e vendeve aq të shtrenjta për qënien tonë kombëtare, si Janina, Narta dhe Preveza, nuk do të jetë për ne përveç një dënim me vdekje. Ne do të pranojmë më mirë të vdesim bashkë me gratë dhe me fëmijët tanë se sa të nënshtrohemi. Populli shqiptar është i vendosur të ngrihet si një trup i vetëm, kundër lëshimit qoftë edhe të një pëllëmbe toke të vendlindjes".

Ndër vendimet e para të Lidhjes së Prizrenit ishte shpallja e një bese të përgjithshme që ndalonte gjakderdhjen mes shqiptarëve dhe përqendronte vëmendjen dhe energjitë e tyre ndaj armikut të jashtëm. Një interpretim të kohës për këtë besë na e jep Sami Frashëri në artikullin e botuar më 05.07.1878 në shtypin e Stambollit: "Ata kanë marrë vendim të prerë dhe njëri-tjetrit i kanë dhënë besën se [në rast pushtimi] do të luftojnë për të çliruar atdheun derisa të mos mbetet qoftë edhe një njeri i vetëm. Madje kanë hapur edhe listat në të cilat po regjistrohen të gjithë ata që janë të armatosur. Po ashtu kanë hequr dorë nga hasmëritë e vjetra e nga gjaqet që kishin mes veti dhe janë pajtuar të gjithë me njëri-tjetrin".

Nga ky citim kuptojmë se bëhet fjalë për një mobilizim dhe përgatitje të ethshme për luftë kundër armikut dhe besa është shpallur si një mjet paqtimi brendashqiptar në funksion të luftës së mundshme. Sipas Kristo Frashërit, mbledhja e parë e Lidhjes më 10.06.1878 mori katër vendime të rëndësishme. Besa e përgjithshme vinte e treta, ajo paraprihej nga vendimi që të njoftohej Kongresi i Berlinit me anë të një peticioni popullor që asnjë shteti të huaj nuk do t‘i jepej asnjë pëllëmbë tokë, nga vendimi për ngritjen e një fuqie të armatosur nën komandën e Lidhjes dhe pasohej nga vendimi për barazinë politike dhe juridike të mbarë shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Mendojmë se besa luan në këtë rast një rol qendror si një mekanizëm ndërmjetës për shfaqjen e subjektit politik shqiptar. Në malësitë shqiptare besa rregullonte marrëdhëniet shoqërore fisnore dhe ndërfisnore. Në fillim mbledhja e krerëve në Prizren u quajt "besëlidhje", pra një bashkim fisesh kundër armikut të jashtëm, përpara se të merrte më vonë emërtimin "Lidhja Shqiptare", si pasojë e shtrirjes së besës në të gjitha krahinat shqiptare. Besa ndërfisnore zgjerohet kësisoj në një "kontratë" themeluese të popullit apo kombit shqiptar si subjekt.

Ngritja e një fuqie luftarake të përbashkët është një akt i subjektit, ku ai shfaqet si i tillë, përballë kërcënimit të luftës. Gjithashtu barazia politike e juridike e të gjithë shqiptarëve e ka burimin te tradita e besës, e cila në të drejtën zakonore të viseve të veriut nuk i përkiste një kaste apo një elite, por ishte një institucion mbarë-popullor. Besa kështu vendoste atë barazi politike mes shqiptarëve që në shtetin modern sigurohet me anë të konceptit të "qytetarit". Besa e përgjithshme e Lidhjes në funksiononin e një armëpushimi të gjakmarrjeve e grindjeve vetjake shënon për herë të parë shqiptarët si subjekt politik përballë armiqve, ajo ndan sferën e brendshme (të paqes dhe rendit) prej asaj të jashtme (të luftës dhe kaosit) si edhe sferën private (gjakmarrjet dhe mosmarrëveshjet vetjake e fisnore) prej asaj publike (shqiptarët si kolektiv).

Besa e përgjithshme është një vendim i marrë në atë që Shmiti e quan "gjendje e jashtëzakonshme", me fjalë të tjera pezullimin e ligjeve dhe normave që rregullojnë jetën e zakonshme si pasojë e shfaqjes së një kërcënimi të jashtëm. Shmiti te eseja "Teologjia politike" thotë se "sovrani është ai që vendos mbi të jashtëzakonshmen" dhe kjo duhet kuptuar se sovrani vendos se kur ekziston gjendja e jashtëzakonshme dhe se çfarë duhet bërë për ta eliminuar atë. Pra, sovrani është jashtë sistemit ligjor dhe megjithatë i përket atij. Me besëlidhjen e tyre në Prizren, krerët shqiptarë tregonin se diçka e jashtëzakonshme po u ndodhte të gjithë shqiptarëve dhe se u takonte së pari atyre të vendosnin se si duhej zgjidhur kjo rrethanë dhe jo Sulltanit në Stamboll. Veprimi i Lidhjes kishte të bënte edhe me një ndryshim në hierarkinë e vlerave. Çdo kolektiv njerëzor, që të ekzistojë si një njësi politike, duhet të marrë një vendim si grup mbi identitetin e tij dhe ky vendim ka të bëjë edhe mbi vlerat që përcaktojnë të mirën e përgjithshme. Lidhja, vlerat e ruajtjes së ekzistencës dhe mënyrës së jetës së shqiptarëve, pa dallim feje apo krahine, përballë një rreziku të jashtëm, po i vendoste mbi vlerat e respektit të Sulltanit dhe të vullnetit të tij si udhëheqës i shtetit dhe i ymetit të islamit.

Me veprimtarinë e saj, Lidhja e Prizrenit po thërriste në ekzistencë kombin shqiptar, sepse po merrte përsipër përkthimin e vullnetit të popullit shqiptar në vendime dhe veprime specifike politike. Pra, po merrte mbi vete atributet e sovranit, që deri atëherë i takonin Sulltanit. Besa e përgjithshme i anashkalonte institucionet e shtetit osman ndërkohë që bashkonte në një kolektiv shqiptarët, gegë a toskë, myslimanë a të krishterë qofshin. Këtu duhet shënuar se Shmiti gjendjen e jashtëzakonshme e dallon prej gjendjes së urgjencës. Kjo e fundit kërcënon atributet e subjektit dhe jo vetë subjektin. Kur ekzistenca e subjektit si i tillë kërcënohet, atëherë kemi të bëjmë me gjendje të jashtëzakonshme. Gjendja e krijuar pas Traktatit të Shën-Stefanit për Portën e Lartë ishte urgjente, sepse viheshin në dyshim zotërimet e saj në Ballkan, por jo vetë Perandoria si subjekt, përderisa Perandoria ishte nënshkruese e Traktatit dhe u ftua të merrte pjesë në Kongresin e Berlinit. Ndërsa shqiptarët e interpretuan si gjendje të jashtëzakonshme, sepse, siç e pamë te protestat e tyre, pushtimi i tokave të tyre nga shtetet ballkanike ishte çështje ekzistenciale e kombit. Përballë armiqve, Lidhja e Prizrenit afirmoi kombin shqiptar si subjekt.

Gjithashtu Lidhja e bënte dallimin midis shqiptarëve dhe osmanëve/turqve. Për të dhënë një shembull, Lidhja Shqiptare në Gjirokastër në gusht të vitit 1880 merr vendimin se në rast se turqit ua lëshojnë tokat shqiptare grekëve, atëherë do të formonte një qeveri provizore. Nëpunësit e administratës aktuale osmane do të liheshin në punë vetëm në qoftë se ishin shqiptarë, pa dallim feje. Me fjalë të tjera, do të zbatohej parimi nacionalist që të qeverisurit duhet të kenë të njëjtin identitet me ata që qeverisin. Organet e Lidhjes vepronin paralelisht me ato osmane, në disa vende duke i zëvendësuar krejt këto të fundit. Në fazën e fundit të Lidhjes kur u shpall autonomia dhe u formua qeveria e përkohshme, ndaj osmanëve u kalua në veprime të hapura armiqësore, ashtu si ndaj pushtuesve fqinjë. Kjo erdhi si pasojë e dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi, ku vullnetarët shqiptarë u përleshën me ushtrinë e Dervish Pashës.

Lidhja u kujdes që të mos hynte në konflikt me të gjithë armiqtë në të njëjtën kohë. Për sa ishte e mundur dhe meqenëse interesat e dy palëve përputheshin, Lidhja nuk e dëshironte përballjen e hapur me Portën. Pra, sapo shqiptarët e bënë zgjedhjen midis miqve dhe armiqve në një rrethanë reale ku kërcënohej ekzistenca e tyre, duke u shfaqur kështu si një kolektiv politik, ata duhej të zgjidhnin edhe midis armikut dhe armikut. Me fjalë të tjera, në Lidhjen e Prizrenit u bë dallimi midis "miqve" (kombi shqiptar), "mikut të përkohshëm" (Perandoria Osmane, për sa kohë që ajo kishte armiq të përbashkët me shqiptarët) dhe "armikut" (shovinistët fqinjë). Dyzimi i Lidhjes për qëndrimin që duhej mbajtur ndaj Perandorisë - "armik" apo "mik i përkohshëm" ishte një nga arsyet e shkatërrimit të saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›