E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohen amendamentet pro-serbe

Amendamentet e propozuara nga deputetët grekë dhe rumunë në Parlamentin Evropian që, në tekstin e Rezolutës për Kosovën, të vihej në dukje se misioni i EULEX-it në Kosovë ka status asnjanës dhe që ai të mos zbatojëatje planin e Ahtisaarit, u hodhën poshtë në Strasburg. Propozues i Rezolutës në fjalë ishte europarlamentari holandez Jost Lagendik, të cilin media serbe, me këtë rast, menjëherë mbas publikimit të Rezolutës, e etiketoi "lobist pro-shqiptar".

Pas rrëzimit të amendamenteve për Rezolutën e mësipërme për Kosovën, për të cilën do të votohet në Strasburg, më 4 shkurt 2009, dhe, duke pasur parasysh se pavarësinë e Kosovës, tashmë, e kanë njohur 22 shtete evropiane, është e qartë se në Strasburg do të votohet në favor të Rezolutës dhe këtë e konfimoi edhe vetë europarlamentari Lagendik. "EULEX-i nuk mund të jetë asnjanës dhe ai duhet ta përfundojë atë detyrë, për të cilën është angazhuar që në fillim dhe kjo është: të ndihmojë autoritetet kosovare për forcimin e sistemit gjyqësor dhe të shërbimeve policore e doganore në Kosovë", tha ai.

Në Rezolutë theksohet se BE-ja, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, do të luajë rolin kryesor në garantimin e stabilitetit të Kosovës dhe do të mbështesë e do të ndihmojë, politikisht dhe ekonomikisht, zhvillimin e saj "drejt një perspektive evropiane të qartë". Ajo (rezoluta) u kërkon autoriteteve të Prishtinës që "të vazhdojnë ti përkushtohen promovimit të frymës së paqes dhe të tolerancës", ndërkohë që në të Beogradi vlerësohet që e pranoi EULEX-in "në përputhje me aspiratat e Serbisë që të anëtarësohet në BE". Sidoqoftë, Beogradi nuk është aspak dakord me rezolutën në formën që ajo është, pa amendamentet e propozuara nga europarlamentarët grekë dhe rumunë, pasi ai kërkonte që në të (rezolutë) të vihej në dukje qartë se EULEX-i është vendosur në Kosovë mbi bazën e vendimit të Këshillit tëe Sigurimit të OKB-së dhe se duhet të zhvillohen bisedime suplementare për zbatimin e planit 6-pikësh.

Ndërkohë, të pakënaqur dhe të zhgënjyer se plani aq i përfolur prej gjashtë pikash i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mund, të cilin diplomacia serbe e konsideroi "fitore të madhe", ka mbetur në letër, Serbia po kërkon me ngulm që të fillojë zbatimi i këtij plani. Ministri i së ashtuquajturës "Ministri për Kosovën e Metohinë", Goran Bogdanoviç, i dërgoi këto ditë shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zanieri, një letër, ku i kërkon fillimin e bisedimeve për zbatimin e planit 6-pikësh.

Serbia vazhdon të pretendojë se EULEX-i, deri tani, nuk ka realizuar asnjë nga detyrat, për të cilat ka ardhur dhe ka marrë përsipër në Kosovë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›