E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pallati 176" dhe pallati "N"

Pallatin "176" e njohin të gjithë shqiptarët në Shqipëri e jashtë Shqipërisë. "Është një histori e vërtetë suksesi", do të shprehej për komedinë e njohur mecenatja e historisë dhe e arteve të bukura, Kryetarja jonë e Parlamentit, sikur kjo histori të mos ishte përzier pak si shumë me socializëm. Pra, një sukses i paparë, pa çka se bëhet fjalë vetëm për një komedi. Dhe një komedi që u nis pa shumë pretendime. Realizuesit e saj, miqtë e mi, Alfred Bualioti e Andon Qesari, nuk e kishin parashikuar që vepra e tyre, e stisur me shumë mund e psherëtima, do të kapërcente shekujt e sistemet: sot pas 30 vjetësh, komedia më e suksesshme e kohëve të socializmit, vazhdon të shfaqet në ekranet e televizioneve.

Pleq nostalgjikë e fëmijë kureshtarë, të rritur në kohëra të egra, pasionohen pas historisë së një pallati idilik të kohëve të socializmit, të një pallati të varfër, por të mbushur me humanizëm, ku njerëzit futeshin pa teklif në hallet e në gëzimet e njëri-tjetrit, shiheshin, përshëndeteshin, merrnin e jepnin mes tyre deri edhe lugën e vajit e kokrrën e qepës, ku dashuroheshin aq njerëzisht, dhe ku edhe "më i keqi" i banorëve, magazinieri Vani, ishte aq i vetmuar e pa shokë në veset e tij, saqë rezultonte i padëmshëm për shoqërinë, për rrjedhojë zbavitës e gati-gati simpatik. Histori reale, apo e lustruar, ajo e "Pallatit 176" është gjithsesi një "histori suksesi", si rrallë ndonjë krijim tjetër i kohëve të shkuara. Kjo komedi është bërë pjesë e antologjisë së skenës e ekranit, dhe jo më pak se filmi "Skënderbeu" apo "Nëntori i dytë", që me natyrën e tyre epike e patriotike, ishin të destinuar të preknin zemrat e shqiptarëve.

Ndërkohë, shqiptarët, që e kanë sensin si të komedisë, ashtu edhe të tragjedisë, nuk arritën të fiksojnë në ndjeshmëritë e tyre historinë fare të re të një pallati tjetër. Atë të pallatit pa emër "N" në Gjirokastër, që përpara disa javëve u shkërmoq mu përpara syve të tyre, duke marrë jetën e disa banorëve dhe duke traumatizuar mendjen e shumë të tjerëve. Nuk ishte një komedi e sajuar, ishte një tragjedi e jetuar. Me një intrigë fare të thjeshtë: një firmë ndërtimi me mbështetje të forta politike, në Gjirokastër e në Tiranë, në tentativë për të rrëmbyer sa më shumë truall, i hyri me ekskavatorë themeleve të një pallati të vjetër. Dhe e shembi atë përdhe, duke varrosur brenda rrënojave njerëz e shpresa.

Banorët "e vërtetë" të këtij pallati ishin njerëz hallexhinj e në një pjesë të mirë qiraxhinj, njerëz të dëshpëruar në kërkim të një pune e të një shansi, njerëz që ishin ndalur në atë pallat kalimthi, në pritje të një zgjidhjeje tjetër për jetën dhe familjet e tyre: makar edhe në pritje të një dite të përshtatshme për ta provuar fatin gjetkë, në Greqi. Njerëz që hynin e dilnin si hije në apartamentet e tyre të varfra, pa përshëndetur e pa parë njëri tjetrin në sy. Kështu ndodh në çdo pallat të botës, ku ndryshe nga ç‘kemi parë me të lumturin pallat virtual nr. 176, fqinji nuk ka çfarë t‘i transmetojë fqinjit veç halleve, vuajtjeve e dëshpërimit.

Ashtu si komedia "Pallati 176", tragjedia e pallatit "N" ishte edhe ajo e përgatitur, ndonëse jo nga dramaturgë e regjisorë të talentuar. Tragjedia e jetuar e pallatit "N" u përgatit nga një lukuni e tërë pushtetarësh lokalë e qendrorë të korruptuar, "biznesmenësh" të babëzitur…dhe njerëzish të frustruar e të heshtur, që për të nxjerrë bukën e tyre të përditshme, kanë pranuar të vihen në shërbim të interesave të pista,. Mos flasim për politikën: ditën e parë të tragjedisë kjo u trazua, u frigua se mos linçohej nga njerëzit e revoltuar. Dhe zbarkoi e gjitha te vendi i tragjedisë, për të ngushëlluar e denoncuar pa adresë, apo për të kërkuar hetimin dhe ndëshkimin e shkaktarëve pa emër. Ato ditë, nga Tirana e largët, u dëgjua edhe një zë i veçantë i opozitës socialiste, që guxoi të jetë konkret e të kërkojë dorëheqjen e kryebashkiakut socialist të Gjirokastrës.

Por politika nuk vonoi të tregojë cinizmin e vet, porsa u pa se nuk do të ndodhte "gjëma". Si gjithnjë, u gjet mënyra për të zvarritur hetimet, ndërkohë që çështja, nga trajtimi si krim i organizuar, u kanalizua në zgjidhjen e nevojave imediate të banorëve të mbijetuar. Dhe, cinizëm mbi cinizëm, u hap një pazar i turpshëm mbi vlerën e dëmshpërblimit, duke ndërsyer njërin kundër tjetrit të mbijetuarit e pallatit "N". Edhe një reagim ekstrem i këtyre të fundit, greva e urisë, kaloi mes indiferencës së opinionit të mpirë të Gjirokastrës dhe përqeshjes së autoriteteve.

Tragjedia e Gjirokastrës nuk meriton të harrohet, në mos për gjë tjetër, për faktin se është monada e sëmundjeve të rënda që kanë kapluar shoqërinë shqiptare të epokës së tranzicionit. Në Gjirokastër, bashkë me pallatin "N" u shemb edhe demagogjia e opozitës së politikës "ndryshe", e politikës "për njerëzit". Kjo lloj opozite ishte e para që i braktisi fatkëqijtë. Sigurisht, tashmë në këtë vend, çdo ngjarje e jashtëzakonshme me subjekt zaptim trojesh, tregti hekuri e çimentoje, ka për protagoniste edhe këtë lloj opozite. Dhe kur ndodhin ngjarje, si shpërthimi i "fabrikës" së çmontimit të armëve në Gërdec, apo gremisja e pallatit në Gjirokastër, "opozita e re" i largohet zhurmës së "politikës së vjetër", dhe shfaqet me pamjen mesianike të kryetarit që inauguron një fushëzë virtuale sportive mes ferrit të pallateve, apo që mbjell ndonjë fidan të mekur peme në marzh të hapësirave urbane të përpira nga pallatet-përbindësha, krijesë e tij. Tragjedia e pallatit të Gjirokastrës, me heshtjen "konsensuale" që e pasoi atë, është aktakuza më therëse ndaj lëmshit korruptiv bipartizan, që është zhvilluar veçanërisht rreth biznesit të ndërtimit dhe të trojeve.

Por, në të njëjtën kohë, ajo është edhe tregues i nivelit shqetësues të shurdhimit dhe të mpirjes (në mos të kapjes) së faktorëve të tjerë socialë, veç politikës, që për një gjë të tillë është më së shumti e interesuar. Nën rrënojat e pallatit pa emër të Gjirokastrës mbetën tri gra e vajza. E pra, trembëdhjetë janë sot në Shqipëri organizatat joqeveritare me objekt gruan e të drejtat e saj: por asnjëra prej tyre nuk e ngriti zërin për të denoncuar këtë vrasje. Në fakt nuk është koha për të qenë "burra". Shqetësimi i momentit për OJQ-të e pafundme të grave, dhe jo vetëm i tyre, nuk është të gërricen me qeverinë. Përkundrazi, shqetësimi i tyre i momentit është të tregohen sa më shumë simpatike në sytë e qeverisë, e cila jo rastësisht ka hapur fjalë se ka vënë mënjanë një fond të veçantë…për të mbështetur veprimtarinë e OJQ-ve! Sigurisht, në rast se veprimtaria e tyre është në linjë me veprimtarinë e qeverisë.

Të pashpirta u treguan përballë kësaj tragjedie të përgatitur nga ndërtues-barbarë e injorantë me suport politik, edhe gjithë ato shoqata të ndërtuesve, të arkitektëve, urbanistëve, të mbrojtjes së fëmijëve, të mbrojtjes së qytetarëve…Të pavëmendshme u treguan ndaj kësaj tragjedie edhe mediat, edhe vetë qytetarët gjirokastritë, që e panë tragjedinë të zhvillohej mu përpara syve të tyre. Dhe përballë kësaj indiference të përgjithshme, një tragjedi si ajo e pallatit "N", nuk mund të mos mbyllej, veçse në mënyrën më të mjerë: me daljen nga greva të banorëve të mbijetuar të pallatit fantazmë në vigjilje të ndërrimit të moteve. Në fakt, një grevë e tillë nuk kishte më kuptim, sepse në tragjedinë e banorëve të pallatit "N", kush më shumë e kush më pak, kush për veprim e kush tjetër për mosveprim, ishin implikuar që të gjithë: qeveria, opozita në pozitë, deputetët, bashkia, ndërtuesit, gjyqtarët, gazetarët, ekskavatoristët, kamionistët, OJQ-istët, punëtorët e krahut dhe gjithë banorët egocentrikë e indiferentë të Gjirokastrës. Në kushte të tilla, grevës i mungonte kontraparti, i mungonte edhe audienca. Kundër saj ishin që të gjithë. Dhe kuptohet, viktimave të tragjedisë së radhës shqiptare, nuk u mbeti gjë tjetër, veç të shihnin njëri-tjetrin plot dëshpërim, dhe të dilnin nga greva mes indiferencës e shurdhërisë së përgjithshme, të bindur përfundimisht se ata janë qytetarë të një bote të pashpirt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›